Albspirit

Media/News/Publishing

Keti Bazhdari: Boll me këtë katolikët, myslimanët, ortodoksët!

Politika shqiptare ka mjaftueshëm hallet e veta, ku përfshihen tifozeri të panevojshme, drama të fryra, mosmarrëveshje çapaçulësh, tani mangët kemi edhe fenë!

Unë e lexova intervistën e dhënë për Der Standart dhe ajo futja e fesë aty ishte fare pa vend. Z. Basha ose e ka bërë nga naiviteti rreshtimin e parantezave të asaj çfarë ka dashur të thotë në atë mënyrë ose është e tëra e qëllimshme për të zgjuar teza separatiste dhe vjelur votë me tinzarllëk, në formën më të rrezikshme për pozitat e Shqipërisë sot. Në qoftë e para, të cilën edhe dua ta besoj, duhet ta mbledhë mendjen dhe t’i sqarojë opinionit publik atë çfarë ka dashur të shprehë. Nëse hesht do të thotë që është e dyta.

Tani të vijmë te katolikët, artikulimi i Bashës dhe gjithë institucionet fetare e politike që janë prekur thellë.

Përfaqësimi politikë që të marrë profil të mirëfilltë, duhet të përmbushin disa kritere meritokratike, që nisin me vlerat intelektuale, vlerat shoqërore, vokacionin dhe angazhimin personal, për të vazhduar më pas me kriteret plotësuese në nënndarje pakicash kombëtare apo komunitetesh të ngushta që i bashkon mohimi i një apo disa të drejtave dhe lirive. Me sa di unë Shqipëria është shtet laik dhe për të kategorizuar këto nënndarje nuk mund të përdoret si kriter feja. Në këtë pikë ligjërisht, ky diskutim është temë e mbyllur.

Nëse konsiderojmë përjashtimin.

Këto institucionet e prekura nga kjo paçavurja e pavend e Z. Basha, qofshin fetare apo politike, me çudisin me këtë reagimin në kor sa herë gjendet hapësira për të thënë diçka pa mbajtur asnjë përgjegjësi, mundësisht duke fituar vëmendje indirekte nga pozicioni i moralistit. Kur vjen puna për tu përballur me raste flagrante s’çelin gojë asnjëri. Fakti që syresh me ‘background’ të pastër kriminal, caktoheshin dhe prezantoheshin në emër të fesë si përfaqësues politikë, gjoja për të marrë vota në zona me mungesë informacioni, jo vetëm që s’i ka bezdisur këto reaguesit e sotshëm, por kanë qenë ata të parët që kanë vrapuar të pozojnë krah tyre. Kuptohet e gjitha për përfitim lekësh të pista e trafik influencash.

Përmendja apo tundja në ajër e 15 emrave që kanë 100 vjet që kanë vdekur dhe as barin s’shkon kush t’ua pastrojë, nuk është vlerë në vetvete, aq më keq ridemensionimi dhe krahasimi i veprës tyre me modele kriminelësh dhe rrumpallhanesh që vetëm harta dhe feja i bashkon.

Unë kam respekt për besimtarët, s’hap debat me jo besimtarët, por kam gjithë revoltën time me shkelësit e ligjit, ordinerët, trafikantët dhe prezenca e tyre si përfaqësues publikë më shkakton alergji po aq sa retorika e një përfaqësuesi publikë si Basha që pretendon se po lan duart me të vërtetën përmes propagandës sektariste. Ai që pretendon të pozicionohet në krahun e civilizimit duhet të heqë dorë nga kundërpërgjigjet dhe të përqafojë qëndrimin, ndryshe listohet si megaloman dhe përfitues i momentit, që nuk meriton vëmendje.

Please follow and like us: