Neranxi: Kryeministri jep me qira çadrën e opozitës, ofrohet për ta marrë Shoqata e Tregtarëve!
Pashë që Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, jepte me qira çadrën e opozitës, e cila siç e dini u çmontua mbrëmë. Meqenëse ajo u pagëzua si “çadra e lirisë”, Shoqata për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe Tregut të Shqipërisë ku unë jam kryetar, ofrohet për ta marrë me qira, si simbol i pakënaqësisë për mungesën e lirive ekonomike, krizës së sipërmarrjes së lirë, nga biznesi i madh deri tek i vogli dhe shkatërrimit të konkurrencës si pasojë e investimeve të parave të krimit.
Shumë biznese tashmë kanë hyrë në listën e zezë në Tatime, pasi nuk mund të paguajnë taksat e falimentit të vendosura nga pushteti qendror dhe ai vendor, sidomos në Tiranë.
Sot ka një shifër rekord ku numri i bizneseve që kanë mbyllur aktivitetin e tyre, është më i lartë se ata që janë aktivë. Shkatërrimi i sipërmarrjes private të ndershme, po ndodh me një shpejtësi të frikshme, prandaj lipset që ne të ngrejmë zërin që kjo gjendje të ndryshojë me shpejtësi qe qeveria të marrë disa masa lehtësuese.
Pres që Kryeministri të na e lërë çadrën me një qira të arsyeshme, meqë ka 4 vite që na rrjep dhe jemi pak hollë nga paratë si Shoqatë.
Nikollaq Neranxi, Kryetar i Shoqatës për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe Tregut të Shqipërisë