Albspirit

Media/News/Publishing

Shaip Emerllahu: TAKIMI ME SHKRELIN

Në 20 vjetorin e vdekjes së poetit, Azem Shkreli

 

Me tekstin poetik të Azem Shkrelit jam takuar për herë të parë në shkollën e mesme. Ishin vargje si të shumë autorëve të tjerë që ilustronin një figurë stilistike.
Më 1985, përgatitja e një recitali poetik që do të jepej në një mbrëmje letrare në Fakultetin Filologjik të Universitetin të Prishtinës, më vendosi para poetikës së veçantë të Azem Shkrelit. Ishte një përzgjedhje, ku etnia paraqiste boshtin që do t’i bashkonte shumë poetë bashkëkohorë shqiptarë. Këtë kriter ma diktoi jo estetika dhe poetika, por vlimet shoqërore-politike të viteve 80-ta në Kosovë. Dhe te Shkreli, i cili duke qenë një nga lirikët ma modern hasa sfidën e parë. Në ato tekste poetike që kisha nuk gjeja entuziazmin dhe bërtitjen kolektive për të arritur efektin që kërkoja. Objekti i tij poetik, fliste nga distanca.
Kësisoji, në artin poetik të tij do të endem gjatë për të ardhur deri te dy distiket e para të lirikave “Kështjella e Krujës” dhe “Kushtimi”, që do të paraqisnin hallkën e një strukture të tillë recitali. Që atëherë, vazhdova ta lexoja dhe e rilexoja shpesh poezinë e tij.
Me Azemin ishim takuar disa herë në Prishtinë, e veçmas në orët letrare që zhvilloheshin nga klubi letrar ‘’Jeronim de Rada’’ në Fakultetin e Filologjisë. Më vonë gjithandaj… Në vitin 1994, pata mundësinë ta marrë, me autograf nga vet autori, vëllimin më të mirë poetik të tij ‘’Lirikë në shi’’. Azemi kishte ardhur në Tetovë, prej ku, së bashku do të shkonim në një orë letrare në Kumanovë.
Ky ishte njëherësh edhe takimi i fundit fizik me Shkrelin.
Në fundmaj të 1997-ës, vdes Azemi.
Tani kërkohej rilindja.
Atë ditëvdekje maji, shkrova…

RILINDI PAS FITORES

Azem Shkrelit

kthesave të ashtit të historisë
shtatvargjesh sogjonte shpërndarë
njërendi
në psalmin Kosovë
i fjalshëm feniks rilindi
etshëm pas fitores
vdekjen e vet të bukur
ilirisht ta tallë

fitorja
hise e atij
që di të rilindet Ali Podrimja

Tetovë, 25. V. 1997

Please follow and like us: