Artan Xh. Duka: Pёrralla me Bashkimin Europian!
I “madhi” i vogël
Pavarësisht molloitjeve tek Orakulli i Delfit pas mikrofonave, dihet se si shkojnë takimet e shtetarёve tanё me ata grekё. Kryetitull mbetet gjithnjë avazi grek i tё paqёnave nga minoriteti, kufiri, pronat, varret, Himara etj, ndёrkohё qё nduket gjuha apo belbёzohet pёr tё vёrtetat historike nga Ҫamёria, arvanitasit, emigrantёt, Ligji i Luftёs, toponimet etj, pudrosur me ca “furça” adhurimi e servilizmi ndaj fqinjit ne me bukë e ata me gurë, sa nammadh në botë aq dhe të vogël e idhnak në rajon.
Nёse justifikohet se e do puna sa tё futemi nё Bashkimin Europian (BE), gënjejmë veten se jemi më dinak se ta. Plot gjëra ngulen e nuk shkulen ndaj ky avaz kapter Ramiu “puna e komisarit ishte loja”, ёshtё tulatje humbësi qё nuk na nderon.
Jemi shteti amё, me Dardaninё bёhemi dy tё tillё dhe respekti e dinjiteti shqiptar në Gadishullin Ilirik rri me tё vёrtetёn, për sot e mot, me apo pa “teser” të BE.
Veto qё shtyn orёn pas
Qёndrimi kritik gjerman ndaj vetos nё BE ёshtё lajm ogurmirё kur mendon abuzimin me tё, pёrfshi edhe atё grek ndaj nesh me refrenin se rruga drejt BE kalon nga Athina! Por, edhe pa hequr veton, dinjiteti e do qё tё refuzohen tё paqёnat dhe tё kёmbёngulet pёr tё vёrtetat sepse nёse Greqia vijon me avazin e saj, i jep njё arsye tjetёr Gjermanisё e BE tё zhbёjnё veton atje.
Demokracia e vetoja nuk shkojnё bashkё e heqja e saj do tё ҫlirojё marrёdhёniet mes fqinjёve nё gadishullin Ilirik nga ato shqiptaro-greke, maqedonase-bullgare, dardane-sёrbe etj. Ngritja e “kapakut” e tё vёrtetave nuk pengon por nxit integrimin sepse BE ёshtё shtёpi vlerash demokratike ku e vёrteta historike inkurajohet si fillesё e lёnies pas tё mёrive shekullore e miqёsisё e bashkёpunimit pakthim mes kombeve sikurse edhe marrёdhёnia franko-gjermane dёshmon.
Zbythja nёn presionin e vetos ndaj Greqisё nuk shkon, edhe sikur ajo tё mos hiqet nga BE, vetёm nёse pёrdoret si alibi pёr tё justifikuar squllёsinё apo nёnshtrimin ndaj preҫedentёve deri mё sot! Nё kandar ёshtё dinjiteti i shtetarit e kombit bashkё ndaj “topi” i tё vёrtetave duhet hedhur nё oborrin grek e Bruksel sepse miqёsia e bashkёpunimi dy e shumёpalёsh ёshtё i rremё pa dinjitet dhe palёt duhet t’a meritojnё njёra-tjetrёn.
Binjak nga lashtёsia
Pёr mёse njё shekull shteti grek e sёrb, shtrёmbёrojnё tё vёrteta historike nё Gadishullin Ilirik e Europa, nё mos mbyll njё sy, e ka bekuar e mbёshtetur kёtё gjё. Ndaj, tё flitet pёr partneritet strategjik me shtetin grek ndёrkohё qё mbajnё Ligj Lufte dhe bёnё nё Ҫamёri atё qё Serbia nuk e arriti dot nё Dardani e pёr tё cilёn Europa ende nuk bёzan, ёshtё absurditet.
E megjithatё, ndryshe nga Sёrbia, me Greqinё marrёdhёniet duhet tё jenё tё shkёlqyera dhe vёllazёrore se na bashkon historia e gjaku qё nuk bёhet ujё.
Jemi binjak nga lashtёsia dhe Greqia ёshtё shtet ku gёlon si shumicë gjaku kuq e zi qё nuk ka pasaportё dhe fe qё e zhbёn.
Aq sa jemi tё ndarё nё disa shtete, po aq jemi dhe shtete kuq e zi nё rajon, njё e vёrtetё historike kjo qё politika jonё duhet t’a artikulojё se i bёn nder jo vetёm dinjitetit tё shtetit shqiptar por dhe se ҫliron tё tretё nga atavizmat e sё shkuarёs qё i kanё marrё peng drejt emancipimit e identitetit historik.
Pёr BE, hapja e bashkёpunimi kanё si fillesё trajtimin e jo arkivimin apo shtrёmbёrimin e sё vёrtetёs historike ndryshe bashkё me Ilirinё, nё BE do tё futet “kontrabandё” edhe “fuҫia e barotit” qё Europa krijoi me duart e saj dje me caktime kufijsh e i ndruhet sot!
Europa, BE nё rradhё tё parё, duhet tё nxisё në emër të paqtimit frymёn e rishikimit objektiv tё sё vёrtetave nё Iliri duke reflektuar sadopak pёr padrejtёsinё historike ndaj kombit shqiptar qё trazon si “skelet nё dollap” vetё ndërgjegjen e BE.
Kaosi e tensionet nacionaliste, shovinizmi historik, zinxhiri i dramave e luftrave nё gadishullin Ilirik ka krijuar hendek tё madh mes kombeve nё rajon e kjo edhe pёr faj tё “vizatimit” tё kufijve nga Europa dje.
Nё gadishullin Ilirik, mё shumё kemi luftuar se punuar, ngritur mure se shtruar ura, trashёguar mёri e armiqësi se miqёsi e mirёbesim etj me pasojё nё shtetbёrje, kohezion, miopi nacionaliste etj dhe Europa e djeshme ka “gisht” nё tё.
Pёrpara se dikush nё BE tё shprehё shqetёsimin pёr sjelljen e shoqёrisё shqiptare ndaj korrupsionit, tё kuptojё se ёshtё politika ajo qё i bёn gjёrat ҫorap duke abuzuar e shijuar bollёkun nё “bllokun” e saj, me njё dorё edhe nga vetё BE!
Popujt nё BE nuk bёnё “vezёn e kuqe” pa janё nё BE por politika e tyre u fut nё hulli dhe shoqёria vetё nuk vuajti padrejtёsi shekullore me “firmёn” e Europёs me pasoja pafund pas.
Nuk kishte pse tё ndodhte lufta Rusi-Ukrainё qё BE tё motivohej pёr zgjerim; fundja jemi ata qё ishim edhe para lufte. BE duhet tё integrojё pa vonesa gadishullin Ilirik sepse “entropia” e uniformizimit e integrimit do tё ndodhё vetvetiu. Reformimi e demokratizimi, hapja ndaj tё tjerёve, rishikimi objektiv i historisё, bashkёpunimi pa doreza etj, vetёm pёrshpejtohen me Ilirinё brёnda nё BE qё duhet tё dёshmojё po aq pragmatizёm sa dhe NATO me pranimet nё tё.
Integrimi si borxh historik
Europa i ka plot borxhe historike popullit shqiptar dhe “karma” rёndon më tej kur shpёrfillen kontribute nga lashtёsia, Skёnderbeu etj apo mё keq, nёpёrkёmben kufijtё nё dёm tё shtetbёrjes pёr tё cilin BE drejton gishtin sot etj.
Kufijtё nuk ndryshojnё por njё Ilirik nё BE do i zhbёnte ato duke i bёrё tok sёrisht shqiptarёt nё rajon (deri dhe Ballkani i Hapur se Sёrbia, qoftё atje, qoftё nё BE, do të mbetet aty ku është). Jemi i vetmi komb i ndarё nё rajon dhe Europa na i ka bashkimin borxh nё BE sa mё parё!
Integrimi i rajonit nuk ka pse ngelet peng i politikёs sё prapё qё spekullon me tё shkuarёn pёr pushtet e ndёrkohё vetё ёshtё nё “BE” e i leverdis tё jetё i pari i fshatit e jo i fundit i qytetit. Kjo “glasё” politike pёr tё cilёn BE qahet aq shumё, ia doli sepse njё dorё ia dha edhe vetё BE dikur kur i ҫerfikoi si “demokratё”. Nё mos i polli, i mёkoi aq gjatё sa i bёrri “burra” qё ndukin dorёn qё i ushqeu dikur.
BE e ka partneritetin me shoqёrinё dhe jo me politikёn shqiptare qё ka marrё kot dhe ende nuk ka kapistall qё i vё fre, qofshim brёnda apo jashtё BE.
BE duhet tё ndёshkojё politikёn e prapё me nongrata dhe izolim e jo shoqёrinё me pritje “godoje” tek dera e saj. Korrupsioni luftohet duke drejtuar gishtin qartazi ndaj elitёs politike qё tjetёrson mundin e pasurinё e kombit, deri edhe pёr tё lobuar pёr imazh e blerё influencё nё BE. Merremi me kolaboracionistёt se ҫuan kurorёn pёrtej detit por sot politika po ҫon “kurorёn” nё Bruksel duke nёpёrkёmbur pasuri e dinjitet kombёtar.
E nёse BE nuk reagon e “lёkura” ёshtё e thёnё tё shitet, tё shitet shtrёnjtё! Integrimi nё BE duhet tё vuloset me referendum. Duhet t’ja vlejё si partneritet e jo vasalitet, ndryshe duhet tё hapemi e thellojmё bashkёpunimin me ata qё na vlerёsojnё. SHBA nuk ёshtё larg pёr njё planet qё sot ёshtё “fshat” aq mё tepёr sot me Trump tё interesuar pёr influencё e bashkëpunim.
BE nuk ka ҫfarё pret mё tё ftojё aty popullin mё tё lashtё nё Europё. Politikanёt shkojnё e vijnё por shpirti e identiteti europian duhet tё bёjё bashkё pa vonesё tё gjithё kombet nё kontinent nga Iliria, Ukraina, Rusia etj, me tё fituar tё gjithё! Ndryshe, besimi tek BE do tё zbehet dhe politika e prapё do vazhdojё tё abuzojё e t’ia dalё me lojёn me tё shkuarёn duke nanurisur me dekada popujt me pёrralla me… BE!