Artan Xhemal Duka: Atletet e bardha dhe faqebardha histori!
Të lindur për të “provokuar”!
Kryeministri është i mirënjohur për sjelljet, fjalët e stilin e debatit, veshjet, gjestet e paraqitjet suprizuese, antikonformiste e antiklishe, deri provokuese protokollare në politikë etj nga deklaratat në Beograd, mitingjeve në Greqi, tryezave të Brukselit, piruetat, shakatë e shpotitë, “alergjitë” e “provokimet” protokollare nga atletet e bardha, gjunjëzimet në tapet të kuq, krahedhjet, e përditshmja me syzet e veshjet etj që, të pëlqejnë, s’të pëlqejnë, i krijojnë vazhdimisht publicitet.
Artisti e konformizmi nuk para shkojnë bashkë dhe kjo mbase shpjegon edhe sjelljet e komunikimin unik të tij që zgjat sa vetë jeta sepse artist nuk bëhesh por lind. E kur mplekset me politikën, shpirti i lirë i artistit, nuk përshtatet e ndrydhet por e shpotit e sfidon atë duke rrezikuar nam, për mirë a për keq por që fundja për një artist, aq i bën; nuk jeton për të tjerët por veten! Vetëm se kur je artist-kryeministër, sillesh edhe për të tjerë dhe jo rrallë, zë ngusht plot të tjerë pas.
Kur vjen puna tek politika e marrëdhënia me të huajt, një befasi e tillë ndaj së pritshmes e protokolleve atje do të ishte vërtet e mirëpritur nga të gjitha e pa dallim nëse ajo do të ngrinte më tej “stekën” për ato që lidhen me interesin kombëtar.
Integrimi në BE përbën një objektiv madhor që na përbashkon por, po aq rëndësi sa integrimi ka edhe mënyra sesi integrohemi ku krahas shtetbërjes e normalitetit demokratik vlen edhe dinjiteti kombëtar i bazuar tek të vërtetat historike të shtrëmbëruara gjatë në kurriz të interesit e dinjitetit tonë kombëtar. Një politikë që “provokon” të huajt e thyen tabu e klishe që kanë shtrëmbëruar të vërteta historike për historinë e gjuhën e kombit tonë do të ishte e mirëpritur nga të gjithë. E të tilla ka plot dhe dinjiteti e do që të shtrohen në tryezë.
“Provokimi” me të vërtetën lakuriq!
Kryeministri do të bënte histori e fitonte simpati e respekt nëse një ditë të bukur do të “provokonte” duke u nisur me karvan makinash e autobuzash mbushur me deputetë e gazetarë, drejt fqinjit jugor për të vizituar bashkëkombasit tanë në Çamëri duke vënë edhe një kurorë e përulej në përkujtim të genocidit ndaj popullsisë çame. Duke kërkuar takim me homologun grek për të biseduar për të shkuarat që mbajnë peng të ardhmen mes nesh. Duke kaluar pushimet verore e fundjava në trevat arbërorëre nga Athina e çdo cep i vëndit. Duke takuar vazhdimisht emigrantët rishtas shqiptarë e dëgjuar problemet e tyre. Duke organizuar konferencë për shtyp në fund të vizitave ku të flitet pa doreza për gjëra që mbajnë peng marrëdhëniet me fqinjin duke nisur nga ligji Luftës, zhbalanca mes të drejtave minoritare këtej e mohimit andej, e drejta shtetformuese arbërore, ndjesa ndaj Çamërisë martire si çlirim e shpëtim shoqëror nga makthet e së shkuarës, artifica e kufirit detar të përcaktuar njëherë në shekullin e kaluar etj.
Askush nuk do e ndalojë kryeministrin tonë, jo vetëm për statusin që ka, por edhe sepse nëse bën vaki, do të gjenerojë publicitet të pashëmbullt në mbarë planetin për botën shqiptare e të vërtetat e shtrëmbëruara në shtetin fqinj. Ai do të bënte lajm për veten duke bërë edhe histori për të gjithë.
Kryeministri do të “provokonte” edhe nëse do të dilte matanë në veri për botën shqiptare në Sërbi, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, deri edhe tek Hunzat e famshëm në Himalajë etj, sepse bashkimi i kombit është bashkim zëmrash dhe kufiri fizik nuk hyn në punë. Jemi shteti amë e duhet të sillemi si të tillë.
Ai do të “provokonte” realisht nëse do të rregullonte me ligj apo urdhëronte hapje reale të institucioneve shkencore, ministrive etj në vënd ndaj prurjeve të reja kërkimore e shkencore të kërkuesve e studjuesve vëndas e të huaj rreth historisë e gjuhës shqipe nga zanafilla e civilizimit europian. Nga teoritë e faktet e reja rreth evolucionit pellazg-iper-ilir-maqedonas-arbëror-shqiptar në gadishullin Ilirik, e vërteta historike e ngjarjeve, origjinave të protagonistëve, mitive e legjendave, teoritë e faktet rreth rolit të gjuhës shqipe si bazë për gjuhët e sotme në kontinent – alfabeti pellazgjik, shkrimet mesape, universitetet ilirike, propagandimi e jo kundërvënia ndaj zbulimeve të botës sikurse rezultateve të revistës “Science” për vijimësinë mbi 6000 vjet të gjuhës sonë etj.
Kryeministri do të “provokonte” botën nëse për faktet e reja, studjuesit e rinj etj, ai do të mundësonte që ato të përgëzohen e inkurajohen, mbështeten e promovohen dhe kurrsesi të lejohet të përgojohen, shpërfillen apo blasfemohen, deri cilësohen sharlatanë (ngre hamëndje plot për motivet e këtyre sulmeve) kur ata janë të përkushtuar me zell rilindasi që me fakte e të dhëna të reja arkivore të dalin në përfundime që i pranon edhe bota tashmë, duke thyer tabu e klishe që ende nëpërkëmbin interesin kombëtar e bërë një shërbim kombit mbarë. Kjo rilindje e re duhet të zërë vënd e pasqyrohet në mënyrë kritike në media, reportazhe, tekstet mësimore, takime e botime shkencore sepse puna në shërbim të interesit kombëtar nuk duhet paragjykuar, përkundrazi duhet t’i jepet mundësia e pashtershme për të provuar atë që pretendon.
Ai do të “provokonte” tamam botën nëse bashkë me rishikimin e teksteve historike e gjuhësore do të mbështeste hapjen e muzeumeve të historisë domethënëse rreth rolit të të parëve tanë në formimin e civilizimit europian, nëse do të lobonte në perëndim e Hollivud e gjetiu për të kuptuar se jemi “muzeu” europian, do të mbushte sheshet e rrugët publike me monumente të shquarish – luftëtarë, drejtues, filozofë të lashtësisë e deri sot etj origjina e të cilëve është përvetësuar gjatë e shtrëmbëruar si “greke” apo “latine” dhe që zgjojnë krenarinë tonë si komb e ngërthejnë kuriozitetin e vizitorëve nga bota që historinë e klisheve ende e marrin të mirëqënë etj.
Ai do të “provokonte” realisht nëse toponimet do të kthehen në origjinë, që kalendari të transformohej në kalendar pellazg, që alfabeti pellazg të mësohej në shkolla e të ishte përbri në shkrimet publike, do të përkujtoheshin ngjarjet e mëdha e epokale historike që protagonistë kanë të parët tanë, të organizonte festa mbarë kuqezi në rajon etj. Nëse arbëreshët në Itali janë kuq e zi, bile më shumë se ne, atëhere edhe arvanitasit duhet të flasin po njëlloj pa ndroje gjuhën e të parëve e valvisin flamurin e Kastriotit si ata. Jo për hatrin tone, pasi deri tani ne mbase nuk jemi ende shteti amë i denjë për ta, por për të parët e tyre që luftuan e ranë për Arbërin e u japin identitet e dinjitet sot.
Ai do të “provokonte” nëse fqinjëve u vë përballë në tryezë të vërtetat që ata i dinë por i refuzojnë duke shpresuar e investuar që të mbetemi të ndrojtur e të mekur në kompleksin e inferioritetit ndaj tyre për jetë e mot. Ndroja nga e vërteta përballë karshillëkut bazuar tek trillimi vetëm pështjellon, pezmaton, komplekson e nxit asimilimin ndërkohë që e vërteta mbush me krenari e dinjitet, besim tek vetja e përkushtim tek e ardhmja.
“Provokimi” i botës me të vërtetat për interesin kombëtar nuk është mundësi por detyrim historik e kryeministri bën mirë të nxitojë përpara se lavdia të shkojë tek tjetërkush se kryeministër nuk është përjetë. E që të mos mbahet mënd vetëm për “provokimet” alla-llafe të shumta pa bereqet apo atletet e bardha e gjestet befasuese protokolleve të botës, bën mirë të “provokojë” për faqen e bardhë të historisë e dinjitetit tonë kombëtar. Do na bënte krenar pa dallim dhe atëhere gjithshka artistike e pozante më të huajt, edhe atletet e bardha që i mban për modë a hall, do ja bënim të gjithë “kabull”.
Sa për botën, atletet e bardha do të ishin gjëja më e parëndësishme që do u binte në sy, sikletoste apo argëtonte ata sapo të uleshin në tryezë e dëgjonin e fjaloseshin pa doreza për të shkuarën që mban peng të ardhmen mes nesh. Trofeu i integrimit nuk duhet të jetë harresa ndaj së shkuarës e së vërtetës. Nuk ia vlen si i tillë dhe më mirë pa të se pa dinjitet e identitet sepse zor se Greqia do dalë nga BE kur të hyjmë ne atje, për të mos lejuar hyrje-daljen mes popujve e daljen e “shejtanit” nga shishja në rajon.
Të bëjmë atë që kemi në dorë. Kryeministri i pari. Nuk do të ishte provokim por test për vetë imazhin demokratik të BE, ftesë e sinqertë për bashkëpunim e miqësi me të sikurse edhe dinjitet kombëtar për vetë ne kur të ulemi në tryezën e saj.