Ruzhdi Gole: VALË MËNGJESORE
Këmisha e erës…
paska këmishë era,?
Gishtat e shiut, shiu plot gishta?
Me sytë valë sytë borë
e bukura ngjethet
nga kërleshja,
ngazëllen nga përhitja.
Era përtërin gjethet,
era u puth kurmet
të gjelbërtave
kur zhvishen,
shiu i afrohet erës
me xixëllimat e endjeve
me gishtat e tij tej zbehjes
ngjarjet ku janë…
vriten vet
vet ndriten?!
Ku-ku-ku-u-u-u-u-u-…
Burgu – skulptori më i rregjur
gdhend ajrin e pluhurt gjuhë.
Nuk ikim nga gjuha askurrë kund,
Dita ushqehet me bukën që vuan
mbi çdo hiperbolë të etur shiu
çdo metaforë ere me ngut.
Asnjëherë bora
nuk i braktis alpet
as vala mëngjesore tingujt,
ndritëm dikur, rrojmë më pak ndritur…
Ç’më quan ti, mua, ende:
bregdet Vlore saposhkulur
shkulm t’arratisur prej bjeshkëve?
Tespijet e brengës i flak qiejsh
shuaj çdo shi hiperbole
çdo metaforë zonjë ere
gjithë vramendje ngut,
me kukull luan
tej çdo të përkore
në sy të të gjitha terreve
Njeriu vrap vele e kreshte përfund…