Një tregim i Çehovit vjen në shqip nga Jani Malo
ANTON ÇEHOV: NJË NUMËR
Një ditë thirra në zyrë zonjushën Julja, mësuesen e fëmijëve. Duhet ta paguaja.
– Ulu të bëjmë llogarinë, – i thashë. – Duhet të kesh nevojë për para dhe druhesh të hapësh gojën… Pra… Ramë dakord për tridhjetë rubla në muaj…
– Për dyzet.
– Jo, për tridhjetë, e kam shënuar. Unë gjithmonë tridhjetë rubla u jap mësueseve… Pra, ke dy muaj këtu…
– Dy muaj dhe pesë ditë… Dy muaj fiks… E kam shënuar… Pra, kemi gjashtëdhjetë rubla. Duhet të heqim nëntë të diela… nuk punoni të dielave. Shkoni shëtitje me fëmijët. Pastaj kemi tri festa…
Julja u bë lulëkuqe dhe nervoze, zuri të zhubrosë cepin e fustanit, po nuk nxori zë…
– Tri festa… na bëjnë dymbëdhjetë rubla në muaj… Kolja ishte i sëmurë katër ditë dhe nuk i bëre mësim… Vetëm me Varvarën u more… Tri ditë ishe me dhimbje dhëmbi dhe ime shoqe të tha të qetësoheshe pas ngrënies… Dymbëdhjetë edhe shtatë nëntëmbëdhjetë. Zbresim, na mbeten… Hëm! Dyzet e një rubla… Dakort?
Syri i majtë i Juljas u përskuq dhe u lag. Filloi t’i dridhej mjekra. E zuri një kollë nervoze, vuri shaminë te hunda, por nuk nxori frymë.
– Në prag të Vitit të Ri theve një filxhan çaji me gjithë pjatë… Heqim dy rubla… Filxhani kushton më shumë sepse është nga trashëgimia e çmuar e familjes, po nuk ka gjë… Na marrtë të keqen! Ecim më tej! Një ditë të iku nga sytë Kolja, i vogli hipi në pemë dhe shqeu xhaketën… Heqim edhe dhjetë rubla të tjera… Një ditë tjetër nuk ishe e vëmendshme, një kameriere vodhi çizmet e Varvarës. Duhet t’i bësh sytë katër, për këtë të paguajmë… pra, heqim edhe pesë rubla të tjera. Më 10 janar të huajta dhjetë rubla…
– Jo, nuk ka ndodhur një gjë e tillë, – mërmëriti Julia.
– E kam shënuar!
– Mirë…
– Heqim njëzet e shtatë rubla, na mbeten katërmbëdhjetë.
Sytë e Julias u mbushën me lot. Ca bulëza djerse shkëlqyen sipër hundës së saj. E gjora vajzë!
– Po unë vetëm një herë kam huajtur para. Vetëm tri rubla, nga zonja, – mërmëriti Julia dhe zëri i saj dridhej. – Ato janë gjithë- gjithë sa kam huajtur.
– Ou? Dhe unë nuk i paskam shënuar ato. Pra, katërmbëdhjetë heqim tri, na mbeten njëmbëdhjetë. – Merri paratë, e dashur! Tri… tri… tri… një edhe një… Merri…
Dhe i dhashë njëmbëdhjetë rubla. I mori me gishtat që i dridheshin dhe i futi në xhep.
– Faleminderit, – pëshpëriti.
Kërceva në këmbë dhe zura të bëj ecejake në zyrë. Më kërcyen kacabunjtë.
– Dhe përse më falënderon?
– Për paratë.
– Po, dreq o punë, unë të vodha, të grabita! Dhe më thua edhe faleminderit?
– Të tjerët nuk më jepnin asgjë!…
– Nuk të jepnin asgjë. Natyrisht! Të bëra një lojë që të të bëhet mësim i fortë. Merri tetëdhjetë rublat e tua! T’i kam futur në zarf! Po pse nuk bërtite për të drejtën tënde? Përse rri kështu si shushkë? A mund të jetosh në këtë botë nëse nuk përplas këmbët, nëse nuk tregon dhëmbët? Pse nuk guxon?
Ajo mërmëriti ca falënderime dhe doli.
Shqipëroi: Jani Malo.