Presidenti taxhik: Hiqni mjekrat dhe hixhabet
Presidenti i Taxhikistanit, Emomali Rahmon, i bëri thirrje popullit të tij të mos mbajë mjekra apo hixhabe. Rahmon tha se hixhabet dhe veshjet e zeza të grave nuk janë në përputhje me traditat e Taxhikistanit dhe se mjekrat nuk janë domosdoshmërisht reflektim i fesë. Ai tha se taxhikët “duhet ta duan Zotin me zemër” dhe jo të kërkojnë drejtësi përmes atributeve të jashtme. Taxhikistani, ish-republikë sovjetike, me 8.5 milionë banorë, është vend me shumicë myslimane. Qeveria e Rahmonit vazhdimisht ka bërë përpjekje për forcimin e parimeve laike. Ajo ka ndaluar shamitë në shkolla, ka ndaluar të miturit të shkojnë në xhami dhe ka detyruar mijëra studentë të kthehen në shtëpi nga shkollat islamike jashtë vendit.