Julian Deda paralajmëron Bashën: Nuk kapemi kollaj, jemi anëtarë partie jo vegla
Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Julian Deda, ka folur me tone të ashpra gjatë takimit që grupi i demokratëve anti-Basha po zhvillon në qytetin e Durrësit.
Deda tha se duhet shpëtuar kjo organizatë politike, që dikush ka futur dorën dhe do ta kapë.
Më tej, ai paralajmëroi se anëtarët e PD nuk janë vegla që mund të tërhiqet e të çohen ku do kryetari.
“Kur e shoh sallën plot mendoj se në fund të tunelit ka një dritë. Ne jemi sot këtu për t’iu kërkuar ndihmë, që ta shpëtojmë këtë organizatë politike, që dikush ka futur dorën dhe do ta kapë. Nuk jemi mësuar ne që të kapemi kaq kollaj, ne jemi anëtarë partie dhe jo disa vegla, që dikush i tërheq dhe i çon ku të dojë. Përgjegjësia është vetëm e njërit dhe e askujt tjetër. Mos kini frikë, sepse s’na bën dot kush asgjë. Janë kërcënime dhe presione kot. Ka pasur presione, por janë kalimtare, sepse ata që bëjnë presion kanë frikë vetë”, tha Deda.