Vendim DEMAJ: Disa pyetje për gjeneralët dhe varrmihësit e PD, para së të flasin e të kërkojnë llogari
Kaluan edhe katër vite të tjera dhe Partia Demokratike, pas zgjedhjeve të 25 qershorit, e sheh veten përsëri në opozitë dhe jo fituese të tyre, ashtu siç duhet të ishte dhe siç shpresonte çdo shpirt i lirë demokrati. Por kjo gjë u ka shkuar për shtat disave, të cilët, të mësuar me ofiqe, duan të mbesin përjetësisht në kupolë, në çdo kohë, duke qenë gjeneralë të përjetshëm, të cilët kanë qenë edhe më aktivët këto ditë, duke kërkuar llogari në një mënyrë të tillë që shkon deri në histeri.Përpara se të flasin dhe të kërkojnë llogari, këta gjeneralët dhe varrmihësit e PD-së duhet që t’i tregojnë opinionit, anëtarësisë dhe simpatizantëve të PD-së:
• Cili është kontributi i tyre në këto 4 vite opozitë?
• Kush nga këta mori përgjegjësi dhe u largua nga ofiqet që mbanin siç bëri kryetari i PD-së, Sali Berisha, pas humbjes së zgjedhjeve të 2013-ës?
• Cili apo cila i kërkoi ndjesë elektoratit për humbjen në zonat ku këta “senatorë” ishin koordinatorë?
• Ku ishin këta zullumqarë kur kërkohej motivim dhe ndërgjegjësim i opinionit publik për të protestuar kundër qeverisë së hashashit?
• Cila është zona e tyre dhe sa aktivë ishin në fushatë për të ndihmuar PD-në që të vinte në pushtet? Ku dhe si votuan këta/këto dhe familjarët e tyre?
• Si mundet që këta humbës të pështirë të ngrenë kokë dhe të kërkojnë kokë turku kur vetë janë përgjegjësit dhe kontribuuesit kryesorë për humbjen e PD-së në 2013-ën dhe në 2017-ën?
• A është faji ynë dhe i të gjithë atyre pak fituesve të zgjedhjeve të 2013-ës që nuk kërkuam largimin e këtyre sabotatorëve nga çdo nivel drejtues i PD-së?
Në zgjedhjet e fundit munguan rreth 200 mijë të Partisë Demokratike vota krahasuar me zgjedhjet e vitit 2013. E përkthyer në përqindje, mund të thuhet se shkon nga 5 deri në 10% sipër rezultatit katastrofik që u mor, duke bërë që të kishte një hartë tjetër të shpërndarjes së mandateve e për rrjedhojë mbase edhe një konfigurim tjetër politik të Shqipërisë dhe të Kuvendit të saj. Kjo do të sillte pa dyshim edhe një emër tjetër si Kryeministër e as më shumë e as më pak, por Lulzim Basha.Janë pikërisht këto vota, të cilat kanë munguar, për shkak të gjeneralëve që nuk e bënë betejën e tyre si çdo demokrat i sinqertë, por punuan si varrmihës të partisë së tyre, duke e paraqitur tashmë më keq se në vitin e tmerrshëm `97, kohë në të cilën as plumbat nuk i penguan demokratët të merrnin aq sa mundnin në një kohë lufte e pasigurie jete e jo më vote.PD duhet të jetë parti e të gjithëve duke mos përjashtuar askënd, por janë pikërisht ”gjeneralët” e përjetshëm që e përjashtojnë veten nga çdo lloj përgjegjësie, por e përjashtojnë dhe e privojnë çdo demokrat a shqiptar të ndershëm nga përfaqësimi, qoftë edhe në nivelet më të ulëta të hierarkisë politike apo qeverisëse,dhe një nga këto zona është pa dyshim Kamza, ose kështjella e pamposhtur e Partisë Demokratike, ku falë anëtarësisë së kësaj dege dhe punës së strukturave në çdo palë zgjedhje kanë njohur vetëm fitore pavarësisht nga kjo, ofiqet dhe benefitet kanë shkuar diku tjetër. Ku qëndron, pra, morali i këtyre individëve, për të cilët më e rëndësishme është karrigia dhe posti i tyre, si në pushtet apo edhe në opozitë, për të vënë në qendër të shënjestrës dhe për të vënë para llogarisë kryetarin e katër viteve opozitë nën pushtetin e kanabisit, korrupsionit të një qeverie të kapur nga krimi? Më vjen ndërmend një prej thënieve më të njohura të Presidentit Kennedy: “Mos pyesni çfarë bën Amerika për ju, por çfarë bëni ju për Amerikën”. Të njëjtën gjë do të thosha edhe për rastin e Partisë Demokratike, e cila në vetvete, është një pasuri kombëtare, që ka ndikuar dhe ndikon jo vetëm në Shqipëri, por kudo ku ka shqiptarë e flitet shqip. Pra, u drejtohem të gjithë të pakënaqurve gjeneralë:• Çfarë keni bërë dhe bëni ju për Partinë Demokratike, pasi e shfrytëzuat në pushtet dhe doni ta shfrytëzoni përsëri në këto vite opozitë?
• Çfarë dhatë ju dhe çfarë sakrifikuat ju për partinë e parë opozitare në Shqipëri, që lindi si shpresë e të gjithë shqiptarëve në kohën e fundit të diktaturës?
U bënë ditë që këta parazitë, bukëshkalë, përfitues janë vërsulur duke mallkuar dhe goditur me gurë PD-në dhe z. Basha, duke dhënë mend, pavarësisht se kontributi i tyre ka qenë i fjetur, ka qenë inekzistent, i dhënë nga kondicioneri, nga kafenetë dhe ndonjëherë nga faqet e librit virtual (Facebook).
U bënë ditë që janë zgjuar pikërisht në çastin kur e gjithë Partia Demokratike duhet të ishte shtëpia jonë e përbashkët, ajo shtëpi e lirisë, e demokracisë, e shpresës së çdo qytetari për një jetë si e çdo qytetari euroatlantik; në një kohë kur kjo shtëpi e lirisë ka nevojë për kontributin e sinqertë dhe të pakushtëzuar të gjithsecilit prej nesh, paçka se e nesërmja na gjen në karrigen e deputetit apo të ministrit. Por nuk duhet të harrojmë një gjë: Partia Demokratike vërtet na dha lirinë e gjithçka tjetër që sjell demokracia; tani është momenti ynë që të japim dhe të bëjmë maksimumin për Partinë Demokratike. Ndaj dhe e mbyll këtu, duke thënë serish që përpara se të flasin dhe të hedhin baltë, gjeneralët dhe varrmihësit e PD-së duhet të kthejnë lupën e shikimit të hollësishëm mbi vete, pastaj të shigjetojnë gjithkënd e gjithçka përveç vetes së tyre.