Kastriot Dervishi: Miladin Popoviç, “beu” i komunistëve të Shqipërisë
Miladini, “beu” i luftës
Personi në kalë është Miladin Popoviçi. Në pyjet e bukura të Shqipërisë, kalin e tërheq një shoqe lufte. Kapardisja e tij dhe fotografimi në këtë formë, nuk janë veprime të rastësishme. Tregojnë shumë. Popoviçi qëndroi pranë komunistëve të Shqipërisë nga tetori 1941 e deri në shtator 1944. Ishte drejtuesi politik i PKSH-së, ndërsa Dushan Mugosha (i cili qëndroi në Shqipëri në shtator 1941 deri në maj 1944) ishte drejtuesi ushtarak. Te komunistët vihet re një dukuri e çuditshme. Ndërsa flasin në propagandën e tyre për “luftë heroike” në atë kohë, nuk përmendin asnjëherë meritat e dy drejtuesve jugosllavë të partisë së tyre. Thënë ndryshe, është njësoj si të lavdërosh ushtarët e të mos zësh në gojë gjeneralët. Çfarë bënin pra Miladini e Dushani pasi formuan partinë? Pse qëndronin ende në Shqipëri?
Shiheni foton e vitit 1943. Një vajzë e re udhëheq kalin e jugosllavit Popoviç. Simbolika është e qartë në çfarëdo lloj drejtimi. Miladini ishte në fakt “beu” i komunistëve të Shqipërisë.