Albspirit

Media/News/Publishing

Leonora Laçi: Falini se s’dinë çka bëjnë!

Ndjesë o bashkombas!

 Shqiptarë të vërtetë!

Shqiptarë të besës e mikpritjes, ku jeni?! Rënia e perdes së hekurt, solli rënien e perdes në sytë tanë për të njohur jo vetëm shqiptarët e trevave, por më shumë për të njohur veten tonë. E tash në 2017 po na njohin dhe bashkatdhetarët tanë matanë kufirit. Neve na u hoq maska dhe iluzioni se Shqipëria ishte vendi më i zhvilluar i botës, e ndërkohë u përballëm me një realitet që nuk ja kishim ndje as erën, jo më parë fytyrën.

Sot po debatohet dhe diskutohet për popullimin e plazheve të bregdetit shqiptar nga “kosovarët”. Këto debate kanë marrë një rrjedhë negative dhe kjo vetëm sa na i gëzon armiqtëë, e fatkeqësisht ca njerëz që e quajnë vetën shqiptar po shkruajnë duke “dërguar ujë në mullinjtë e armiqve”. E të mjerët ne!

O shqiptarë, a e dini se “ata” vijnë në plazhet tona sepse dëshirojnë të na njohin, sepse kanë luftuar për të qenë të bashkuar nën një shtet, sepse dashuria e tyre për Shqipërinë nuk është e njëjtë me tonën për vendin tonë. Sepse “ata” nuk e duan Shqipërinë londineze vetëm kur luan kombëtarja e futbollit. Sepse “ata” kanë vuajtur nën thundrën e shkaut, kanë pranuar flijimin për hir të nënës Shqipëri, e për kë? Për Ne, që mundohemi të përfitojmë.

E ne nuk e duam as veten, e si mund të duam “ata”?!

Shqiptarët e Shqipërisë duhet të ndjehen të gëzuar që bregdeti po i tërheq bashkombasit tanë. Pasi kjo ka sjell zhvillim të mëtejshem të turizmit bregdetar, ka sjell rritje ekonomike e vetëm dobi kemi pasur. Mos kujtoni se kushton më lirë, jo, edhe pse ndonjë pandeh kështu.

Ndonëse kemi qenë të shkëputur nga pikëpamja ideologjike për një periudhë 45 vjeçare, ku ne ishim të sunduar nga i yni e ju nga i huaji, asnjëherë nuk është venitur dashuria për atdheun nga bashkombasit tanë, po a mund të thuhet e njëjta gjë për Ne?

Shqiptarët që i njeh bota për mbrojtjen e hebrejve, sot janë shndërruar në njerëzit që nuk duan bashkombasit e vet të një gjaku, të një race e të një kombësie!

Hebrejtë na mbajnë mend si vendi i besës e mikpritjes, a ka më paradoksale se kaq, që vëllezërit tanë të mos ndjehen si vëllezër në tokë të tyre, në plazhin e tyre, në shtëpinë e tyre.

 Turp të na vijë!

Kaq thellë paska pa hyrë në ndërgjegjen tonë krimbi komunist i njeriut të ri që vëllezër quajtëm racat e tjera, rusë, kinezë e sllavë, por jo shqiptar.

Shqiptarë të Kosovës na pështyni në surrat kur të na shihni, sepse këtë e meritojmë, ne nuk meritojmë të na respektoni dyfish, të na bëni të ndjehemi në shtëpinë tonë, as të na admironi, as buzëqeshjen tuaj nuk e meritojmë.

Shqiptarë të Shqipërisë bëhuni realë, mos kujtoni se ngritja e volumit të këngës –“Xhamadani vija-vija” në plazh na tregon patriotë, jo, vetëm na bën qesharakë, nuk kanë nevojë shqiptarët e trevave për patriotizmin tonë të shtirur. Ma kurseni turpin që ndjej kur ju ia hidhni në çmime dhe unë jam e pafuqishme për të reaguar, ma kurseni dhe turpin kur dëgjoj këngë patriotike kur ndërkohë ju mezi prisni të merrni rrugët e botës nëpër azile, e atje keni turp të thoni që jam nga Shqipëria. Ma kurseni turpin që miqtë e mi nga Kosova të më shprehin sa e sa raste të zhgënjimit nga Shqipëria. Bashkombasit tanë kanë nevojë për një mikpritje të sinqertë, për një buzëqeshje, për një shërbim dinjitoz, për çmime reale, e jo përdorimin e dy standardeve. S’po ju kërkon kush t’i falni diçka, por t’i trajtoni si duhet, sepse ata nuk janë njerëz të dorës së dytë. Sepse me këto sjellje ne vetëm sa po i largojmë vëllezërit tanë të një gjaku e të një kombësie. Plazhet shqiptare janë të të gjithë shqiptarëve. Vëllezërit tanë matanë kufirit janë rritur me dëshirën për të parë Shqipërinë, e tani që po e shohin dhe po na njohin, po largohen me dhimbje se sa pak gjak shqiptar ka mbetë në venat tona. Falini se s’dinë çka bëjnë!

Please follow and like us: