Albspirit

Media/News/Publishing

Avokatja që takoi djalin e presidentit Trump, mbrojtëse e agjencisë ruse të spiunazhit

Avokatja ruse, Natalia Veselnitskaya, që u takua me Donald Trump Jr., djalin e presidentit amerikan, pasi babai i këtij të fundit kishte marrë nominimin republikan për zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, me vite të tëra si klient kishte pasur edhe shërbimin rus të sigurisë, FSB. Kjo dëshmohet nga dokumentet ruse të gjykatave, të publikuara nga “Reuters”. Këto dokumente tregojnë se avokatja, Natalia Veselnitskaya, kishte përfaqësuar me sukses interesat e FSB-së në një proces ligjor rreth pronësisë ndaj një prone në Moskën veriperëndimore, midis viteve 2005 dhe 2013. FSB-ja, pasuese e shërbimit sovjetik KGB, kryesohej nga Vladimir Putin, para se ai të bëhej president i Rusisë. Nuk ka asnjë sugjerim se Veselnitskaya të jetë punëtore e qeverisë ruse, apo e shërbimeve të inteligjencës, dhe ajo ka mohuar të ketë ndonjë lidhje me Kremlinin. Por, fakti që ajo përfaqësoi FSB-në në një rast gjyqësor, mund të ngrehë pyetje në mesin e disa politikanëve amerikanë.

Hakimi i zgjedhjeve nga FSB

Administrata Obama sanksionoi FSB-në vitin e kaluar për atë që tha të kishte qenë roli i saj në hakimin e zgjedhjeve, gjë që u mohua menjëherë nga Rusia, derisa kryesuesi republikan i Senatit, Charles Grassley, shtroi pyetjen si ishte lejuar Veselnitskaya që të hynte në SHBA. Veselnitskaya nuk është përgjigjur në pyetjet e Reuters-it, të dërguara me email, në lidhje me punën e saj për FSB-në, e as kjo e fundit nuk u përgjigj në një kërkesë për koment. Reuters nuk qe në gjendje që të gjente të dhëna se kur dhe nga kush ishte ngritur padia, e cila daton që nga viti 2003, por dokumentet e apelit tregojnë se në këtë proces ishte përfshirë “Rosimushchestvo”, Agjencia federale ruse e pronësisë qeveritare. Veselnitskaya dhe kompania e saj, “Kamerton Consulting” përfaqësuan ‘njësitin ushtarak 55002’ në procesin pronësor, tregojnë dokumentet. Një listë publike e entiteteve ligjore të Rusisë tregon se FSB, Agjencia ruse e brendshme e inteligjencës, kishte themeluar njësitin ushtarak, adresa ligjore e të cilit qëndron prapa selisë së vet FSB-së. Reuters nuk qe në gjendje që të zbulonte se mos Veselnitskaya kishte punuar edhe raste të tjera për FSB-në, apo që të konfirmonte se kush gjendet tani në ndërtesën që ishte në qendër të këtij procesi. I biri i madh i presidentit Donald Trump mezi priti që të takohej me Veselnitskayan në qershor të vitit 2016, meqë i kishin thënë se ajo ishte një avokate qeveritare ruse, e cila mund të kishte informata të dëmshme rreth rivales së të atit të tij, demokrates Hillary Clinton, gjë që merret vesh nga e-mailat e publikuar nga Trump Jr. Megjithatë, Veselnitskaya është shprehur e gatëshme që të dëshmojë në Kongresin e SHBA-së, , me qëllim largimin e asaj që ajo e ka quajtur “histeri masive” rreth takimit të saj me Trump Jr.,  ndërkohë që Dmitry Peskov, zëdhënës i Kremlinit, ka deklaruar se “ajo nuk ka asgjë të bëjë me ne”.

Please follow and like us: