Ndue Ukaj: Sulmet ndaj Skënderbeut, qëllim shkombëtarizues
Debatet e fundit lidhur me deklaratën e analistit Mustafa Nano mbi prejardhjen serbe të nënës së Skëndërbeut, kanë sjellë reagime dhe në Kosovë.
Kritiku i artit Ndue Ukaj u shpreh se “Sulmet e pështira kundër Gjergj Kastriotit e Gjergj Fishtës, në thelb, janë në funksion të një agjende të heshtur, por të vazhdueshme shkombëtarizuese”. “Në fakt, kjo agjendë, ka kohë që shqiptarëve tenton t’iu zhbëjë krenarinë, për çdo gjë që është e tyre, duke u thënë popull i pavlerë, duke iu “dekonstruktuar” historinë, mitin e “paqenë” të Gjergj Kastriotit, dhe duke e shpallë Perandorinë Osmane, si çlirimtare.
Sepse, dihet, një popull nuk rron dot pa krenari dhe pa kujtesë. E në këtë funksion, hija e Gjergj Kastriotit ende i tremb haxhiqamilët modern, ndaj trishtohen prej figurës së tij; po aq sa, hija e Gjergj Fishtës, i trishton komunistët dhe nostalgjikët e koncepteve jugosllaviste”, thotë Ukaj.
Sipas tij, këta që përrallisin me koncepte ahistorike, e dinë se ora e tyre është ndalë qëmoti. Po, në Motin e Madh, ndaj kot kukurisin dhe tentojnë ta përdorin filozofinë utopiste të relativizmit të kollajt të çdo gjëje, kundër historisë dhe rrjedhave të saj.
“Shqiptarët kanë përjetuar shumë sulme kundër figurave themeltare të historisë dhe kulturës së tyre, me metoda qyqare dhe me rrëfime ahistorike. Skënderbeu e Fishta janë sulmuar gjithqysh, por ata janë në ato lartësi, ku nuk shkon pështyma dikujt. As gulçimat e britmat e ndonjë aksh publicisti që për të mbetë në vëmendje të opinionit publik, mund të pohojë një ditë se ka parë aksh personazhin duke e pështyrë diellin”, thotë Ukaj.