Albspirit

Media/News/Publishing

Turqia blen sistemin raketor rus S-400

Presidenti i Turqisë Rexhep Tajip Erdogan tha se Turqia ka rënë dakord të blejë sistemin rus të raketave S-400, pavarësisht nga shqetësimet e NATO-s. Blerja vjen ndërkohë që Ankaraja përpiqet ta afrojë Moskën, pas rrëzimit nga Turqia të një bombarduesi rus në vitin 2015. “Tani kemi ndërmarrë hapa me Rusinë për këtë blerje. Marrëveshjet janë nënshkruar”, u tha zoti Erdogan deputetëve të tij. “Me vullnetin e Perëndisë, do të shohim ardhjen e raketave S-400 në vendin tonë dhe do të vazhdojmë pastaj me prodhimin e përbashkët”, tha Presidenti turk. Zoti Erdogan u përpoq ndërkohë të zbutë shqetësimet e partnerëve të tij të NATO-s, “Përse do të shkaktojë kjo tensione? Një vend duhet të jetë në kërkim të mënyrave ideale për sigurinë e vet”, tha ai. Ankaraja ka mosmarrëveshje me aleatët e saj perëndimorë lidhur me mbështetjen që ata u japin grupeve siriane kurde që luftojnë kundër Shtetit Islamik, grupe që shihen si terroriste nga Turqia. Një çështje tjetër janë kritikat perëndimore në rritje ndaj Turqisë mbi të drejtat e njeriut. Partnerët e Ankarasë në NATO kanë shprehur shqetësim rreth përputhshmërisë së sistemit raketor rus me teknologjinë e Aleancës, së bashku me frikën se Moska mund të përdorë sistemin S-400 si një kalë troje për të kompromentuar sistemet e NATO-s. Kjo çështje pritet të shtojë pikëpyetjet rreth besnikërisë së Ankarasë. Zaur Gasimov, analist i në Fondacionin Max Webber që merret me marrëdhëniet ruso-turke, thotë se blerja e sistemit S-400 është një hap i kushtueshëm i palës turke për të demonstruar sovranitetin e saj dhe një sinjal për SHBA, BE dhe Gjermaninë. “Duke blerë sistemin S-400, Ankaraja tregon se është e gatshme të afrohet më shumë me Moskën”, thotë analisti. Ankaraja këmbëngul se sistemi raketor prej 2.4 miliardë dollarësh, i cili njihet si një nga më të efektshmit në treg, përfaqëson çmimin më të ulët në treg. Shitja mbështetet me angazhimin e Rusisë për të transferuar edhe teknologjinë, që gjithashtu është një përparësi e qeverisë turke. Por, pas blerjes së raketave, qëndrojnë ndoshta arsye të tjera, jo thjesht nevojat për mbrojtje. Ankaraja po përpiqet të bindë Moskën për t’i dhënë fund të gjitha sanksioneve ekonomike të vendosura ndaj Turqisë pas rrëzimit të avionit rus. Disa nga këto sanksione janë reduktuar pas një sërë takimesh midis Presidentit Erdogan dhe homologut të tij rus Vladimir Putin.

Please follow and like us: