Velinat e ‘Fiks Fare’: Jeta jonë përtej ekranit
Nga Sara Gurabardhi
Fotot: Geliant Kaleci
Ishin pjesë e ekranit për një kohë të gjatë, e kjo falë pjesëmarrjes në emisionin e përnatshëm ‘Fiks Fare’. Edhe pse të gjithë e dimë, që prezenca e velinave të ndryshme në këtë program është shndërruar në një ‘traditë’, Briseida Mehmeti dhe Anisa Mukaj tërhoqën vëmendje, si dy nga vajzat më të bukura të televizionit. Në harmoni të plotë me njëra-tjetrën, përsa i përket pamjes së jashtme, Brisin dhe Anisën i kemi parë shpesh sëbashku, edhe jashtë orëve të punës. Çfarë i lidh velinat kaq shumë? A janë këto themelet e një miqësie të fortë? Cilat janë projektet e të ardhmes pas mbarimit të ‘Fiks’-it? Single apo jo…? (Mmmm). Këto dhe më shumë detaje për jetën e vajzave jashtë ekranit, do t’i gjeni në këtë intervistë ekskluzive për bordo.al, ku do të njihni një anë krejt të pazbuluar të Brisit dhe Anisës, mendimet e sinqerta për njëra-tjetrën, si dhe planet që ato kanë së bashku.
Si lindi miqësia mes jush? Jeni njohur fillimisht nga emisioni “Fiks Fare”, apo keni patur miqësi të më hershme?
BRISEIDA: Miqësia mes nesh lindi shumë natyrshëm. Ne nuk njiheshim para se të bëheshim pjesë e emisionit “Fiks Fare”. Gjatë tre viteve, ne këtë emision u formua shoqëria që kemi sot. Një shoqëri e vërtetë, në të cilën, secila prej nesh mund të jetë vetvetja dhe jo vetëm që nuk gjykohet për këtë, por e e mbështesim shumë njëra-tjetrën edhe përtej anës profesionale.
ANISA: Miqësia jonë lindi krejt natyrshëm. Kemi qenë në audicionet e hapura në 2014 për velinat në “Fiks Fare” dhe mes vajzave të përzgjedhura ishim dhe ne. Atëhere na kërkohej që të zgjidhnim një vajzë, qellimi i së cilës ishte të formohej “çifti i velinave” një bjonde, një brune dhe ne kemi përzgjedhur menjëherë njëra-tjetrën.,Mbase që atëhere e kuptuam që na priste një rrugëtim i gjatë dhe i bukur së bashku.
Sa kohë shpenzoni me njëra-tjetrën, gjatë 24 orëve?
BRISEIDA: Pjesën më të madhe të kohës e shpenzonim bashkë gjatë periudhës që ishim në punë. Nga e hëna në të premte, ishim çdo ditë deri në oret e vona së bashku për shkak të provave që bënim mbasdite. Sigurisht që kalojmë dhe kohën e lirë së bashku. Tashmë që puna ka mbaruar, shpenzojmë më pak kohë, por nuk e harrojmë njëra-tjetrën. Nëse nuk takohemi, patjeter që flasim çdo ditë.
ANISA: Koha që shpenzojmë me njëra-tjetrën më së shumti lidhet me kohën përgjatë orarit të punës në “Fiks Fare”, kryesisht paradite , si dhe me projektet apo ofertat për të cilat na duhet të punojmë bashkarisht, por natyrisht pa lënë mënjanë dhe kohën e lirë kur dalim për t’u argëtuar. E rëndësishme është që nuk i themi ‘jo’ kurrë njera-tjetres kur bëhet fjalë për të kaluar një pjesë të kohës së bashku.
Mike të ngushta apo jo: a ndani çdo sekret me njëra-tjetrën?
BRISEIDA: Një shoqëri shumë e mirë, pak rendësi ka se çfarë emri i vë. Ne kemi një shoqëri shumë të afërt me njëra-tjetrën dhe ndajmë mjaft sekrete bashkë, si në jetën personale dhe atë profesionale. Pjesën tjetër ia lëmë kohës ta tregojë.
ANISA: E them me bindje që Brisi është një mikeshë e veçantë për mua. Të qenurit bashkë na ka bërë më të “forta” si velina, por dhe në tërësinë e botës televizive. Përsa i përket sekreteve, jam e mendimit se vetë fjala të kushtëzon në një formë apo një tjetër ta zbulosh me gjithkënd, megjithatë mund të them që varet nga lloji e sekretit dhe rëndësia që mbart. Sekrete ‘të vogla’, pse jo i ndaj dhe me pjesën e shoqërisë, duke përfshirë edhe Brisin, bazuar në besimin e ndërtuar deri më tani.
Çfarë preferoni më shumë tek tjetra?
BRISEIDA: Pëlqej shumë faktin që nuk ka fjalë të bukura fallco. I thotë gjërat si i mendon dhe kur ty mund mos të të pëlqejë në momentin që e dëgjon. Është e sinqertë dhe unë këtë gjë e vlerësoj shumë tek njerëzit.
ANISA: Personalisht preferoj më tepër tek Brisi, njeriun. Me të ndodh që pavarësisht bukurisë që ia ka falur natyra, përtej pamjes fizike, të gjesh një shpirt të pastër, një mendje të zgjuar dhe pa komplekse.
Çfarë preferoni më pak tek tjetra?
BRISEIDA: Nevrikoset shumë shpejtë ndonjëherë dhe për gjëra që nuk ia vlen të harxhosh energjitë.
ANISA: Nuk mund të veçoj diçka që ta vendos nën veçoritë e tjera, për të percaktuar se çfarë preferoj më pak. Brisi është shumë e mirë në tërësinë e saj si njeri.
Mendoni se mes jush ka lindur një shoqëri e përjetshme apo ka mundësi të mos ju shohim më së bashku pas këtij sezoni të “Fiks Fare”?
BRISEIDA: Shoqëri e përjteshme?! Këto më duken si mendime për një vajzë 10 vjeçe që planifikon gjithë jetën së bashku me shoqen e saj, e më pas zihen për një kukull dhe nuk flasin më (qesh) Siç e thashë, gjërat tregohen me kohën. Nuk i dihet kurrë ç’mund të ndodhë nesër.
ANISA: Planet për të ardhmen është mirë t’i mbajmë të pazbuluara. Mendoj dhe besoj që lidhja jonë jo vetëm profesionale, por dhe shoqërore është përforcuar gjatë këtyre dy viteve aq sa për t’u mos shkëputur lehtësisht. Përsa i përket përjetësisë, asgjë në këtë botë nuk është e përjetshme.
Do t’i ndani pushimet me njëra-tjetrën këtë vit?
BRISEIDA: Nuk kam planifikuar asgjë për pushimet e kësaj vere. Duke qenë se deri më tani kishim plane pune së bashku, i lamë pas dore pushimet. Po patjetër, mund të kalojmë një pjesë të pushimeve bashkë. Mbetet për t’u diskutuar.
ANISA: Po, sigurisht. Para disa ditësh ishim në Sivota në Greqi dhe me stafin e Fiksit.
Cilin vend do të dëshironit të vizitonit nën shoqërinë e njëra-tjetrës? Pse?
BRISEIDA: Shoqëria e mirë është më e rëndësishme se vendi ku do të shkosh. Kështu që, kudo të shkojmë besoj se do të kënaqeshim shumë, si gjithmonë.
ANISA: Ne kemi shumë gjëra të përbashkëta, njëra ndër to është që na pëlqen shumë të udhëtojmë, të vizitojmë vende të ndryshme. Një ndër vendet që do deshiroja të vizitonim sëbashku është Barbados. Do më pëlqente të shkonim gjatë ditëve ku zhvillohet Crop Over Festival,Karnavalja e Barbados, që fillon më 27 Qershor dhe mbaron më 3 Gusht. Në këtë mënyrë, do kishim mundësi të shijonim parada,koncerte,konkurse, ujërat e kristalta dhe më pas shijen e kuzhinës vendase, të ofruar nga të gjitha tendat nëpër rrugë.
Cili tipar i Anisës i pëlqen Brisit më së shumti dhe e anasjellta?
BRISEIDA: Sytë. Buzëqeshja, ja them gjithmonë që ka buzëqeshjen më të bukur që kam parë.
ANISA: Më pëlqejnë sytë e saj që pasqyrojnë çiltërsinë që mund të karakterizojë një vajzë në moshën e Brisit.
Çfarë komentesh keni marrë lidhur me ekspozimin në kopertinën e BORDO?
BRISEIDA: Komentet ishin të gjitha pozitive. Kam marr shumë komplimente për punën e bërë.
ANISA: Bordo është tashmë një revistë tepër e njohur në vendin tonë, dhe përfshirja jonë në të ishte diçka shumë e rëndësishme. Komentet kanë qenë nga më të ndryshmet, më së teprëmi në formën e komplimentave dhe brenda kuadrit të pozitivitetit.
A keni dikë tjetër në jetën tuaj aktualisht?
BRISEIDA: Kam shumë njerëz në jetën time që më duan dhe i dua (qesh) Jetën time personale mendoj ta mbaj të tillë për sa kohë unë s’e shikoj të arsyeshme që kam diçka për të treguar. Nuk po flas vetëm nëse kam apo jo dikë në jetën time, por lidhur me gjithçka, si me familjen apo me njerëzit e tjerë që më rrethojnë.
ANISA: Nuk preferoj të jap një përgjigje për këtë pyetje.
Shumë velina janë përfshirë në botën e televizionit. A është ky një plan që keni për të ardhmen tuaj?
BRISEIDA: Televizioni mbetet dashuria ime e parë dhe më e hershmja. Tani për tani, po provoj diçka ndryshe jashtë Shqipërisë. Nuk e përjashtoj asnjëherë kthimin në televizion dhe nuk mund të them se kam hequr dorë prej tij.
ANISA: Konkretisht po merremi me disa planet tona, por që është ende herët për t’u zbuluar. Ato shtrihen përmes botës së televizionit dhe modelingut. Ështe një aspekt që na dhuron kënaqësi dhe na bën të ndjehemi të apasionuara. Shpresojmë që ne ta zbulojmë akoma më tepër këtë rrugë, por edhe të na zbulojnë (qesh), ta vazhdojmë më tej pasi gjithçka e bukur që mund të dashurohet mund të arrihet falë këmbënguljes. Asgjë nuk është e pamundur pavarësisht vështirësive në dukje apo të hasura përgjatë çdo drejtimi në jetë. Askush s’duhet të harrojë që një dritë ekziston për çdokënd në fundin e një tuneli.
Nëse do të mundeshit, për cilën kompani mode të famshme do të dëshironit të ishit imazh?
BRISEIDA: Dior ose Chanel, sepse shfaqin një klas të papërsëritshëm. Përsa i përket magjisë së sfilatave, Victoria Secret është më e mrekullueshmja dhe besoj është dëshira e çdo vajze pjesëmarrëse në këtë fushë.
ANISA: Të isha imazh i parfumit J’adore nga “Christian Dior”.
A mendoni se “Fiks Fare” ishte një fillim i mbarë për karrierën tuaj në ekran, apo jeni penduar që jeni përfaqësuar fillimisht si velina?
BRISEIDA: “Fiks Fare” është një eksperiencë e bukur dhe gjithmonë e them që është një trampolinë për t’u ngjitur më lart. Nuk pendohem, sepse çdo gjë që bëjmë është një eksperiencë për ne. Eksperiencat na ndihmojnë në formimin tonë profesional.
ANISA: “Fiks Fare” është një fillim i mbarë dhe një eksperiencë e vlefshme. Për nga vetë fakti që ka shikueshmëri, që transmetohet në një orar të përshtatshëm, ku audienca është e lartë, si dhe për faktin që është i përditshëm dhe figura jonë domosdoshmërisht shikohet nga gjithëkush, na bën të prezantueshme dhe të njohura për një pjesë masive të popullatës, duke i dhënë një avantazh të madh figurës tonë. Megjithatë, figura jonë është përtej kuadratit plotësues, përtej vajzave të bukura të ekranit dhe që mbeten vetëm aty; ne dimë të bëjmë shumë më tepër dhe do ta demostrojmë këtë dhe në të ardhmen. E penduar nuk jam absolutisht, gjithçka e zgjedh ta bëj, sepse më fal kënaqësi vetjake. Deri më tani kam patur luksin dhe fatin e të bërit në jetë atë që më pëlqen, pa pendesa, dhe kjo gjithmonë në lidhje me punën. Por, mendoj që ky është vetëm fillimi…
Do ta braktisnit televizionin apo botën e bukurisë, për një ofertë më të mirë në një fushë tjetër?
BRISEIDA: Varet nga puna që mund të bej. Sa mund të kem arritur. Sigurisht që puna si velinë kishte një afat skadence përshembull. Këtë vit mendova që unë e kisha bërë punën time në këtë gjë, e po kërkoja për diçka tjetër. Për momentin jam në hapat e parë të botës së modelingut dhe deri më tani gjërat kanë shkuar më mirë nga ç’e mendoja. Sigurisht që me kalimin e kohës, duke u rritur mund të kem prioritete të tjera për jetën, ndoshta bota e televizonit dhe e bukurisë mund të mos më terheqë më, e një ofertë në një fushë tjetër mund të më duket shumë më e volitshme. Gjithsesi, unë e pelqej shumë botën e biznesit, pavarësisht se po studioj për diçka tjetër. Më pëlqen shumë te kem diçka timen, që ta ndërtoj dhe ta zhvilloj vetë hap pas hapi. Besoj se këtë gjë do ta bëj paralelisht me rritjen profesionale në fushën që ndodhem për momentin.
ANISA: Siç është dhe shprehja: ‘gjithçka varet’, me anë të së cilës dua të them që gjithçka varet nga momenti, rrethanat, cilësia e ofertës dhe e njerëzve që e ofrojnë, si dhe nga plot faktorë të tjerë. T’ia lëmë kohës më mirë, ajo është gjykatësja më e denjë që vendos fatet tona./ Bordo.al/