Largimi i Hushit nga Shqipëria, Julian Deda: Mos bëj me faj atdheun, janë shtazët që po e shqyejnë nga të katër anët
Aktori i humorit Julian Deda, ka reaguar pas vendimit të tenorit Agim hushi, për t’u larguar përfundimisht nga Shqipëria. Deda shprehet se edhe ai vetë e ka menduar largimin nga Shqipëria dhe thotë se kjo nuk është një gjë e re, ndërsa e mbështet tenorin për vendimin. Mirëpo i kujton atij që të mos bëjë me faj atdheun, pasi sipas tij janë “shtazët që po e shqyejnë nga të katër anët”. “E larguan edhe një artist. Si puna e Gimit, po ikin përditë ose të paktën jane ulur disa herë në familje për ta diskutuar largimin nga Shqipëria. Nuk është sekret, edhe unë e kam bërë. Pse iku?
Për të mos i hequr asnjë presje asaj, që thotë vetë, ai iku se nuk pa “dritë në fund të tunelit”. Dritën e fundit e kërkoi në çadrën e lirisë, por edhe prej saj doli opak, ose më mirë i zhgënjyer deri në ikje nga vendlindja.
P.S. Gim, mos e bëj me faj Atdheun, ai është i bukur. Shtazët po e shqyejnë nga të katër anët”, reagon Deda.
Kujtojmë se tenori Agim Hushi deklaroi sot se kishte vendosur që të lërë përfundimisht Shqipërinë për t’u vendosur në Australinë e largët.
Duke e quajtur Sidnejn qytetin e tij, ai thotë se viti i fundit që ka kaluar në Shqipëri ka qenë vërtet qesharak dhe tashmë rikthimi si qytetar Australian është vërtet dinjitoz. Hushi vijon më tej duke thënë se Shqipëria është një vend i kapur nga kriminelët dhe hajdutët.
‘’ Pas një viti qesharak më së fundmi erdha dhe unë tek termat serioze të realitetit të një atdheu të dështuar, që është kapur për fyti dhe po jep shpirt në duart e një kaste kriminele, ku vlerë kanë vetëm hajdutët, maskarenjtë, injorantët, baballarët tanë të kombit me hundët zbardhur nga kokaina!
Më bëtë të më vije turp nga vetja qe jam bashkekombasi juaj!”, shkruan ndër të tjera Hushi.