Albspirit

Media/News/Publishing

Mr.sc. Elizabetë Qarri: Muzika dhe dasmat e çorodituara që po marrin jetë njerëzish

 

 

 

 

Në kulturën shqiptare muzika tradicionalisht  ka qenë pjesë e jetës njerëzore si refleksion  i proceseve të ndryshme kulturore e historike. Ajo pasqyron  gjendjen  shpirtërore të  popullit  si pjesë  e identitetit historik  kombëtar. Shqiptarët historikisht i kanë  kënduar si gëzimit ashtu edhe vuajtjes, i kanë   kënduar  trimave e dëshmorëve, krenarisë e sakrificës kombëtare.

Krijuesit dhe artistët kanë  qenë gjithmonë ata  që me krijimtarinë  dhe  artin e tyre,  kanë nxjerrë  edhe heronjtë  e mëdhenj kombëtar të dalë nga luftërat shtypëse ndaj shqiptarëve. Pra, si në ditët e gëzimit edhe në ditët e trishta të jetës, ngushëllimin e gjejmë te kënga. Te shqiptarët po këtë kulturë e hasim edhe në vallet tona, e  tillë është “ Vallja me shpata”, por edhe shumë  të  tjera. Të gjitha këto janë vetëm një pjesë  e realitetit të  trashëgimisë  sonë, ndaj edhe janë ngritur sintagma të shumta te shqiptarët për muzikën dhe këngën në veçanti.

Por, mjerisht një pjesë e kulturës dhe traditës sonë e përcjellë tashmë në dasmat tona, kohëve të  fundit po krijon deformitete të mëdha, përmasa këto që festat familjare po i shëndërron në kob familjar. Është bërë lajm i zakontë që paku një herë në javë të dëgjojmë se si nga të shtënat e armëve në dasmat shqiptare gjithandej, plagosen e humbin jetën burra, gra e fëmijë.

Rituali i shtënies me armë dikur paralajmëronte ardhjen e krushqve, kishte kuptimin e “kushtrimit”, pra njoftimit apo lajmërimit. Sot është ndryshe, ritualet e çmendura të gjuajtjes me armë në festa të rëndësishme, pasqyrojnë agresivitet dhe mentalitet arkaik e primitiv, ku nevoja për t’u çliruar nga komplekset e thella njerëzore dominon edhe mbi jetët e njerëzve.

Euforia e dasmave është shëndrruar në një fenomen shoqëror, ku shtresa të caktuara të shoqërisë po krijojnë madje edhe modele absurde që imponojnë jo vetëm mënyrën e të festuarit, por tashmë edhe mënyrën e shpenzimit  të parasë. Dikur, dasmat pasqyronin identitetin kulturor të një treve të caktuar, ndërkaq sot diferencen e përbëjnë shtresat shoqërore si refleksion i mentalitetit kulturor, të cilat pasqyrojnë nivelin social e intelektual të  tyre.

Euforia e dasmave shqiptare po ndikohet edhe nga modelet  krijuara që  shfaqen çdo ditë të publikuara në rrjetet sociale, ku në raste të caktuara shpenzimi i shumave marramendëse që arrin deri në dhjetra mijëra euro për një natë,  lë të kuptosh anomalitë dhe problemet e shumta që ka shoqëria jonë. Madje, dëgjojmë edhe rrëfime të ndryshme se si merren edhe kredi me mijëra euro euro, që  shpenzohen për një natë ani pse kthehen për dhjetë a më shumë vite. Pra, në një farë forme, kriteri që përcakton nivelin e dasmës është bërë shpenzimi enorm i parasë. Kjo çoroditje  mbase mund të  duket normale për njerëz që nuk e kanë provuar skamjen, por jo edhe  për një familje të  kapluar nga vafëria  e cila preokupimin e vetëm ditor e ka sigurimin e ushqimit për fëmijët  e tyre. Ky është kontrasti më i dhembshëm i shoqërisë sonë, e të  tilla në  familjet tona shqiptare ka shumë.

Ndoshta do t’i trajtonim më me gjentilesë të gjitha këto,  sikur të mos na impononin e bënin publike, por kjo situatë pa dashje të shtyn të mendosh në repartet e spitaleve të  mbushura me fëmijë e pleq, të cilët  ditët e fundit  të jetës i shtyejnë me shpresë se sëmundja e tyre mund të gjejë shërim jashtë vendit. Për ta, lajmi më i gëzueshëm mund të jetë një dorë e zgjatur e një zemër humane, që  i bën ata ta shohin diellin pësëri. Por, ne shqiptarët  raportin me gëzimin dhe hidhërimin e kemi disi të çuditshëm. Herë pas here humbim sensin e ruajtjes së ekulibrave të kësaj marrëdhënieje dhe si rezultat përfundojmë lehtësisht të palumtur apo edhe në tragjedi.

Një makth tjetër që këto ditë po krijon çoroditja e dasmave, është ai urban. Në rrugët kryesore të kryeqytetit këto ditë vere shohim se dasmat janë shpeshtuar. Është e çuditshme se si ne e konceptojmë lumturinë. Po s’ia imponuam të tjerëve, disi nuk e shijojmë, e bëjmë me çdo kusht dhe shfrytëzojmë çdo mjet për ta bërë, madje edhe kur shijojmë ushqimet e preferuara, i publikojmë me fotografi, sespe na shijojnë më shumë. Në të vërtetë, është shumë bukur të gëzohesh dhe ç’dokush ka të drejtë të jetë i lumtur, por çuditërisht kemi dëshirë që gjërat t’i bejmë më shumë për të tjerët sesa pë vete. P.sh. çfarë kuptimi ka kur në kolonat  me dasmorë sheh gra e fëmijë të ulur në xhamat e hapur të automjeteve  duke goditur me grushta kulmin e automjetit, e duke komunikuar me eufori, ndërkohë muzika gumëzhin deri  në qiell? Habitem se si arrijnë ta bëjnë. Madje, kur sheh në njërën anë  flamurin kombëtar e në anën tjetër muzikën e përzier me elementë orientalë, sllavë, e shumçka tjetër, atëherë fillon e mendon se aty diçka nuk shkon, ose flamuri me muzikën ose muzika me flamurin, jo pse kam kundërshti për njërën apo tjetrën kulturë, por kundërshtoj fortësisht pretendimet se kështu ruhet tradita.

Fundja, t’i qëndrosh në ballë flamurit kuq e zi, do të thotë të qëndrosh “shqip” me gjithë karakteristikat  e tij. Epo, kështu i bën pyetje vetes se athua si do ta përjetonte e komentonte këtë situatë një individ joshqiptar, jo pse të tjerët janë më të mirë se ne, por cili është modeli që ne duam?! Por ka edhe më keq. A duhet menduar dikush se në këtë kaos dikush mund të bie nga xhami e të përfundojë nën rrotat e automjetit? Apo tjetra, se si do të ndjehej një njeri që në po atë minutë mund ta ketë humbur një të dashur nga familja e tij? A do të duhej që edhe ai të ulërojë jashtë nga  xhamat e automjetit, që ta kuptojë bota hidhërimn e tij? Si gëzimi, edhe trishtimi  janë pjesë të jetës,  por nuk kuptoj pse duhet  t’ia imponojmë të tjerëve, pa na e kërkuar. Në botë, në një minutë lindin rreth dyqindepesëdhjetë  dhe vdesin rreth njëqindepesëdhjetë njerëz.

Pra, drama njerëzore në të njëjtin moment mund të jetë e ndryshme për secilin nga ne. Ritualet kanë edhe vendin edhe kohën e duhur. Për më tepër, kultura e ruajtjes së traditës nënkupton  nivelin e civilizimit të një populli, për ta përcjellur dhe ruajtur  ndër breza atë. Ndërkaq, euforia si në gëzim ashtu edhe në trishtim mund të sjell kob të ri, këtë që armët po na e sjellin në dasmat tona! T’i largojmë ato e të provojmë virtytin e madh të maturisë, në gëzim e trishtim!

 

Mr.sc. Elizabetë Qarri, Pedagoge e muzikës ligjeruese universitare

 

Gusht 2017

Please follow and like us: