Ilir Kaduku: Jam dhe do të jem përballë çdo padrejtësie shtetërore kundër popullit tim
Të dashur miq dhe armiq! Kam vënë re me keqardhje disa komente Tuaja mbi pjesëmarrjen time në Tendën e Qypave dhe mbi epitetin që i kam vënë vetes si Kryeqyp. Në rradhë të parë dua të sqaroj se unë do të jem përsëri në rradhët e para të çdo lloj tende e cila është kundër padrejtësive që i bëhen popullit tim. Këtë proces ose “rebelim” unë e kam nisur që në rininë time të hershme dhe mendoj ta vazhdoj deri në ditën që do të marr frymën e fundit. Zyrtarisht e kam nisur si themelues i PD, si organizator dhe pjesëmarrës i grevës historike të studentëve dhe pedagogëve (Shkurt ’91), si pjesëmarrës aktiv dhe i arrestuar i revoltës popullore (Shtator ’98), si pjesëmarrës i të gjitha demonstratave popullore të opozitës në 27 vite “demokraci”. Rebelimin tim e kam shprehur institucionalisht me anë të shtypit periodik kombëtar dhe ndërkombëtar (289 artikuj me sens politik). Për kontributin tim si rebelues klikat komuniste në fuqi më kanë shpërblyer më së miri (të gjitha shkollat i kam filluar dhe mbaruar natën, 2 herë riedukim nëpërmjet punës në periudhat ’84 – ’88 dhe 4 herë pushime politike nga puna në periudhat ’91 – ’05). Gjatë gjithë jetës time pasuniversitare (për 34 vite) nuk kam patur asnjë post politik dhe as karrekëll pushteti përveç profesionit të nderuar të pedagogut të universitetit. Si përfundim mund të deklaroj që momentalisht jam duke bërë relaks intensiv dhe po mundohem të rimarr forcat për tendën e rradhës dhe të çdo lloj revolte “demokratike” që do të më dali përpara kundër çdo lloj qeverie mjafton që ta kuptoj se popullit tim po i bëhet padrejtësia e rradhës. Turpi t’i mbesi atyre njerëzve dhe asaj force politike që manipulon revoltën time dhe të popullit tim! Përsa i përket humorit dhe rebelizmit tim kurrë mos harroni që para se të jem shqiptar, mbi të gjitha jam shkodrian dhe bile nga i Urës të Thive! Besoj se Ju e dini që thitë ose derrat në gjuhën Tuaj janë kokëfortë! Opozitar lind, nuk bëhesh! Më falni për kohën që Ju mora! Mirë u pafshim në Tendën e Qypave të rradhës!