Albspirit

Media/News/Publishing

Dokumenti/ 10000 napolona ari të Lef Nosit që i vodhi Koçi Xoxe

Letra e oficerit të Sigurimit të Shtetit në Elbasan, hedh dritë mbi historinë e përndjekes së “armikut të klasës” dhe aktivitetin e dyshimtë të kësaj organizate famëkeqe qysh në vitet e para të diktaturës

Një letër e oficerit të Sigurimit të Shtetit, i cili kishte ndjekur Lef Nosin në vitin 1944, jep detaje mjaft interesante të mënyrës se si sillej Sigurimi me ata që përndiqte. Materiali hedh dritë mbi veprimtarinë e grupit të Sigurimit të Shtetit që persekutuan Lef Nosin, Atdhetar, veprimtar politik, arkivist, folklorist, etnograf, firmëtari i pavarësisë.

 

 

Dokumenti në fjalë zbulon se si Sigurimi i Shtetit i drejtuar nga Koçi Xoxe vodhën 10000 napolona ari që Lef Nosi ia kishte dhënë oficerit të sigurimit, i cili e kishte ndjekur dhe më pas arrestuar. Kur mori vesh oficeri se të hollat që kishte dorëzuar Lef Nosi, kishin përfunduar në duart e Koçi Xoxes, pa dokumentacion, ai raportoi pranë seksionit të Sigurimit të Shtetit në Elbasan. Pikërisht ky reagim do të ishte edhe nisja e përndjekjes së oficerit nga Koçi Xoxe. Letra e nënshkruar prej tij, drejtuar Komitetit Qëndror të PPSH, dëshmon se si anëtarët e PPSH ishin edhe spiunë sigurimi dhe aktiviteti i tyre në ndjekje të “armikut të klasës”.

Letër drejtuar: Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë

Në vitin 1944 hyra në Sigurimin e Shtetit si oficer informativ i qytetit dhe i qarkut. Në atë kohë është bërë një punë e madhe dhe në vitin 1945 m’u njoftua grada toger. Vazhdova punën me shumë suksese dhe fitova një simpati  të madhe, rregullova informacionin, u kapën shumë kriminelë dhe disa nga ata ishin për të punuar si informatorë për të na informuar për të tjetrët.

Më dorëzuan 11 dezertuesa nga Guri i Zi nga Belshi dhe shumë të tjerë do të ishin dorëzuar, kur u dorëzua një kriminel nga Dumreja. Nuk pranonte t’i dorëzohej asnjeriu vetëm mua. Por shefi i seksionit u muar vesh me Koçi Xoxen dhe menjëherë Koçi më bani lirimin tim. Për kapjen e Lef Nosit isha unë në lidhje me Lefin dhe më dha 10000 napolona, të cilat ia dorëzova shokut Jani N., i cili ishte shef i seksionit dhe napolonat ia shpuri shokut Koçi. Nuk di se ku shkuan këto para mbasi mua më nxorën në lirim. Shoku Koçi i kishte thënë shefit të seksionit për mua, nxirreni në lirim dhe çojeni në central ku ka qënë në rast se ka punë. Kështu që unë hyra në central si elektromontjer por me shumë zor, puna teme më bëri që pastaj të bëhëm kryetar dege i centralit. Më pas, kur ministria kërkonte një njeri, komiteti i partisë se qytetit më caktoi mua dhe ma vonë u bana drejtor i ndërmarrjes Nish elektrik i qytetit, ku jam akoma.

Në ‘46 më erdhën disa informatorë nga Dumreja dhe më thanë vishu e hajde se ty të dorëzohen të arratisurit. Kërkova nga seksioni të shkonja dhe Koçi nuk më la, por dha urdhër që informatorët të ç’armatosen dhe shtëpitë e tyre të kontrollohen imtësisht. Kur u pushova unë më 1 prill, Koçi urdhëroi torturat nëpër fshatra dhe një njeri vdiq nga druri ( e rrahura). Katër të tjerë dolën në arrati ku janë akoma. Kështu që puna në gjithë qarkun u pezullua gati fare vetëm që u dorëzuan ata që i kisha unë në lidhje.

Prandaj unë i lutem atij komiteti që të kërkohet llogari dhe për këto që unë thashë jam gati të dal edhe para gjyqit e t’i faktoj.

Anëtari i Punës së Shqipërisë.

sigurimi 2

Please follow and like us: