Albspirit

Media/News/Publishing

Vajza e Artur Zhejit merr titullin “Qytetare Nderi” në Itali

Diplomatja Gerarta Zheji Ballo u nderua me titullin Qytetare Nderi nga Bashkia e Lungros, në Itali, për “kontributin dhënë përforcimit të marrëdhënieve kulturore dhe historike mes Arbërisë dhe Shqipërisë”, lexohet në vendimin e këshillit bashkiak, që u miratua me unanimitet.

Dje në Lungro u zhvillua ceremonia e dhënies së Qytetarisë së Nderit. Morën pjesë përfaqësues të institucioneve rajonale, vendore, fetare, veprimtarë të shoqatave kulturore nga bashkësi të tjera arbëreshe, shumë qytetarë të Lungros, ndër të cilët këshilli bashkiak në tërësi.

Kryetari Beppe Santoianni theksoi se Gerarta ka kontribuar në vijimësi në promovimin e trashëgimisë arbëreshe. Lungro (Ungra në arbërisht) është qytet arbëresh i Kalabrisë me rëndësi historike, i themeluar në fund të shekullit të XV nga familje aristokrate me prejardhje nga viset shqiptare të Greqisë aktuale.

Sot popullsia flet arbërishten krahas italishtes. Në Lungro ka seli Eparkia, kisha katolike me rit bizantin që mbikqyr famullitë arbëreshe. Ipeshkvi i saj është në vartësinë e drejtpërdrejtë të Papës.

Në falënderimin drejtuar autoriteteve që i dhanë Qytetarinë e Nderit, diplomatja shqiptare përmendi elementët kryesorë të identitetit arbëresh si dhe vështirësitë që arbëreshët po kalojnë.

“Nëse do duhej të zgjidhja njërin nga përbërësit e mozaikut arbëresh, unë do zgjidhja personat. Arbëreshët që unë kam pasur fatin të njoh janë kaq të përkushtuar, të apasionuar dhe të pasur në nisma e ide për komunitetin, sa falë tyre kam kuptuar se si është bërë e mundur ruajtja e gjuhës dhe kulturës për më shumë se pesë shekuj! Jeni ju xhevahirët më të çmuar të Arbërisë! Jeni ju që jetësoni ditë përditë mrekullinë për të cilën flet Luigi Berlinguer!”, u shpreh Gerarta Zheji Ballo gjatë fjalimit të saj.

Gerarta Zheji Ballo, të cilës të gjithë i thërrasin Geri, është vajza e madhe e publicistit Artur Zheji.

Please follow and like us: