Artur AJAZI: Vettingu tmerron milionerët e korrupsionit
Afrimi shtatorit dhe pikënisja e zbatimit të procesit të Vettingu-t, duket se u ka futur tmerrin milionerëve të korrupsionit. Frika e zbulimit, arrestimit apo dhe dënimit publik, po i detyron ata, që edhe në muajt e verës dhe pikun e vapës, tu sulen bankave, hipotekave dhe zyrave noteriale. Kjo për faktin sepse milionat e eurove që kanë vënë kur kishin pushtet, që kanë zhvatur duke abuzuar me postin, pronat e shumta që kanë në bregdet, male dhe fusha, nuk do të mund ti justifikojnë në asnjë formë apo formulë, ditën kur tu kërkohet llogari.
Dhe kjo duhet të ndodhë sa më parë, në rast të kundërt milionerët e korrupsionit, do të dalin një ditë “të pastër” dhe të larë nga mëkatet dhe krimet e tyre, duke u trajtuar të barabartë mes të barabartëve. Në zyra noteriale, hipoteka dhe banka, po dynden ata që në 27 vjet që kishin pushtet, grabitën, shitën përvetësuan me firmat dhe vulat e tyre qindra hektarë toka, qindra objekte publike, edhe ato që e kanë një pronar të ligjshëm, ata që në çdo tender marrin 20 deri 35 per qind të vlerës së investimit, duke ndryshuar tapi dhe depozita bankare.
Në zyrat noteriale, bankat dhe hipotekat , janë paraqitur në çdo orë të ditës, ish-zyrtarë të lartë dhe të mesëm, ligjvënës dhe drejtues institucionesh, ish-ministra dhe ministra e deputetë, madje ka prej tyre që veprimet po i kryejnë edhe përmes prokurave, duke ndryshuar tapi dhe çertifikata pronash nga emri i tyre, në emra të tjerë familjarësh, krushqish dhe miqsh”. Brënda 2-3 muajve të fundit në disa qytete kryesore të vendit, si në Tiranë Durrës, Korçë, Vlorë e Shkodër, janë tjetërsuar mbi 2100 tapi pronash, si vila, dyqane, troje, objekte luksi dhe biznesi, dhe depozita bankare, duke i kaluar ato në emra ose fiktivë ose familjarësh.
Kështu nga 3-4 apartamente dhe 3-4 dyqane, në tapinë e re të milionerit të korruptuar, sot rezultojnë “një apartament , një dyqan, dhe kredi bankare e pashlyer”, ose nga pesë depozita bankare që ka patur, sot ata rezultojnë të kenë vetëm 1 ose 2, dhe me vlera 10 deri 15 milione lekë, kurse pjesën e “luanit” ja kanë kaluar në emra të tjerë. Fshehja e pasurive jo të ligjshme, e pronave të grabitura, e trojeve të zhvatura nga gjobëvëniet, e milionave të vjedhura nga tenderat dhe sekserllëqet, mbetet krimi më i rëndë që po kryhet ditën me diell në këtë vend, nga ata që duhej të kishin dalë para ligjit me kohë.
Përpara kësaj maskarade dhe këtij krimi të rëndë institucional që po kryehet si në hipoteka, kadastra, banka e zyra noteriale, qëndron neglizhenca dhe ftohtësia e organeve kompetente, i organeve të hetimit dhe kontrollit të pasurive. Kjo ka bërë që kollaret e shtetit, të politikës, lubitë e korrupsionit, ata që nuk lindën, por u bënë në pak vite milionerë dhe pronarë tokash, ata që nuk i trashëguan nga gjyshërit dhe stërgjyshërit por i grabitën dhe i zhvatën nën hundën e ligjit, të tallen me forcën e ligjit.
Ata janë sulur dhe po “spastrojnë” gjithçka të pisët nga vetja e tyre, po spastrohen nga akuzat, denoncimet, penalitetet, dhe po shkelin sërish hapur ligjet e këtij vendi. Duke dashur të bëjnë “catharsis” mbi gjithçka të keqe që kanë brënda vehtes, ata po gënjejnë vehten duke menduar se “ligji nuk do ti prekë”. Në rast se ndodh kështu , atëhere duhet thënë se reforma në drejtësi , ka dështuar ende pa u tharë boja e miratimit nga Kuvendi kaluar.
Por në vorbullën e kësaj maskarade , janë edhe mjaft ish- ligjvënës, ish-ministra dhe drejtues të tjerë më minorë se ata, që kanë mbushur xhepat dhe thasët me para tenderash dhe investimesh, me para pronash të shitura dhe të blera për një copë bukë, madje edhe me para trafiqesh dhe sekserësh. Reforma në drejtësi, duhet tu nxjerrë “ujin e zi” lubive të dhjamosur me milionat e shqiptarëve, kurse organet kompetente të mos mbyllin sytë dhe të mos bëjnë sehir.