Astrit Lulushi: Maqedonë, ilirë e epirotë
Filipi ishte trim e finok – atij i atribuohet edhe fraza e njohur “divide et impera” – “përça dhe sundo”. Kur ishte fëmijë, Filipi u mor peng në Tebë, qytet-shtet, në atë kohë fuqi ushtarake mbizotëruese në rajon. Në Tebë, Filipi mori edukim ushtarak dhe diplomatik, aftësi që i përdori më pas për të ri-fituar fronin maqedon. Gjatë periudhës si mbret, për hir të aleancave apo politikës dinake, Filipi pati 7 gra ose u martua 7 herë. Sipas historianit Athenaeus, gruaja e parë e Filipit ishte Audata, bija e mbretit ilir Bardhyll i Dardanisë. Historianë thonë se gratë ilire shquheshin si luftëtare dhe udhëheqëse në luftë, aftësi që Audata ia kaloi vajzës së saj, Cynane (Synanë), duke e stërvitur si kalorëse për luftë e gjueti. Edhe Cynane bëri të njëjtën gjë me vajzën e saj Euridice. Mes grave të tjera të mbretit Filip ishte edhe Olimpia, nëna e Aleksandrit të Madh. Olimpia ishte vajza e Neoptolemit (Ptolem, Pirro), mbret i Mollosëve të Epirit. Familja e saj i përkiste fisit Aeacidaes të Epirit, që thoshte se e kishte prejardhjen nga Neoptolemi, biri i Akilit legjendar. Sipas Plutarkut, emri i saj ishte fillimisht Polyksena; pastaj e ndryshoi në Myrtale kur ishte vajzë e re para martesës me Filipin; Olimpia ishte emri i tretë që ajo e mori kur i thanë se burri i saj, Filip, kishte dalë fitues në Lojrat Olimpike më 356, lajm që përkoi me lindjen e Aleksandrit. Emri i saj i fundit ishte Stratonicë, që shihet më tepër si epitet që iu dha pas fitores për çështje trashëgime ndaj Euridices, bijës së Filipit gjatë martesës me Synanën. Olimpia dhe Filipi, patën edhe një vajzë, Kleopatrën – kështu, nuk është rastësi që emrat mollosë Ptolem a Neoptolem e Kleopatra ndeshen brez pas brezi deri në fund të dinastisë së Ptolomeut në Egjipt.