Albspirit

Media/News/Publishing

Tekste shkollore falas në Shqipëri, familjet që përfitojnë

Kur kanë mbetur vetëm tri javë larg nisjes së vitit shkollor, gjithë vëmendja është përqendruar te sigurimi i teksteve.

Sipas urdhrit të Ministrisë së Arsimit, procesi nis pas pesë ditësh dhe parashikohet të përfundojë më 10 shtator, me qëllim që dita e parë e shkollës t’i gjejë të gjithë me libra.

Edhe këtë vit janë parashikuar një sërë kategorish që do t’i përfitojnë ato falas. Veç kategorive në nevojë, këtë vit janë shtuar edhe familjet që kanë mbi 3 fëmijë, që ndjekin arsimin parauniversitar. Për këtë qëllim, Qeveria ka ndarë 310 milionë lekë, që parashikohet të mbulojnë nevojat me tekste për rreth 100 mijë fëmijë.

Nga ana tjetër, Ministria ka siguruar se ka marrë të gjitha masat për shmangien e vonesave, problemeve me pullat certifikuese të librave, apo radhët e gjata të prindërve në librari.

RIMBURSIMI

Të gjithë prindërit, pa përjashtim, do të duhet fillimisht t’i blejnë tekstet shkollore në periudhën e përcaktuar. Ajo çka duhet të bëjnë është të ruajnë faturën, pasi nëse janë pjesë e kategorive përfituese, duhet ta dorëzojnë për t’u kompensuar nga MAS.

Më konkretisht, përfitojnë nxënësit që vijnë nga komuniteti rom apo komuniteti egjiptian, viktimat e trafikimit, nxënës që janë në institucionet e paraburgimit dhe vuajtjes së dënimit, nxënës që vijnë nga familje që janë me ndihmë sociale, si dhe familjet me më shumë se 3 fëmijë. Ndarja e teksteve nga distributorët do të nisë këtë të premte në pikat e autorizuara shumë pranë shkollave, shkruan Panorama.

Për të lehtësuar këtë proces, MAS u ka vënë në dispozicion distributorëve edhe mjedise të shkollave. Specialistët e arsimit apelojnë prindërit që përpara se të kryejnë blerjen, të shikojnë katalogun e miratuar nga ministria, i cili tashmë është i afishuar edhe në shkolla.

“Shitja e teksteve bëhet nëpërmjet njësive tregtare të shitjes së librave ose në pika të tjera pranë shkollave, nga subjekte të licencuara. Me kërkesën e botuesve, drejtoritë e shkollave janë të detyruara të vënë në dispozicion falas një ose dy ambiente për shitjen e teksteve shkollore. Ato duhet të kenë detyrimisht pullën me hologramën e MAS”, përcaktohet në urdhrin e Ministrisë.

Sipas një tjetër urdhri, atij për strukturën e vitit shkollor 2017-2018, të gjithë nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme pritet të nisin mësimin pas tri javësh./gsh.al/

 

Please follow and like us: