Albspirit

Media/News/Publishing

Mediat ndërkombëtare, jehonë Shqipërisë turistike

Mediat e huaja vijojnë t’i bëjnë jehonë turizmit në Shqipëri, një promovim ndërkombëtar që mesa duket ka ndikuar në rritjen e  ndjeshme të numrit të vizitorëve të huaj gjatë këtij sezoni turistik.

Revista Forbes e rendit Shqipërinë si destinacionin më të lirë të botës për 2017-tën, ndërsa gjiganti botëror i industrisë së guidave turistike dhe udhëtimit, Lonely Planet, paraqet pamje të plazheve të fshehura të Shqipërisë.

Artikujt dhe shkrimet e publikuara në prestigjozet ndërkombëtare kanë qenë pasaporta më e mirë që ka marrë turizmi shqiptar këtë vit, ndërkohë që fluksi i turistëve të huaj vjen në rritje.

Sipas statistikave zyrtare, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri për qëllime pushimi u rrit me 2.4 herë në 6-mujorin e parë të vitit 2017.

Vetëm në vitin 2016, ekonomia shqiptare përfitoi 1.5 miliardë euro të ardhura nga turizmi, shifër e barabartë me 15 për qind të prodhimit kombëtar.

Forbes

Revista Forbes e rendit Shqipërinë si destinacionin më të lirë të botës për 2017-tën. Vendin tonë, revista e njohur e cilëson si më të përballueshmin në të gjitha zonat ku mbërrin dollari, nga Vietnami  deri në Las Vegas.

…”Në këtë cep të harruar të Europës, aty ku jo çdokush shkon, mund të gjesh akomodim deri në 5 dollarë personi. Me plazhe fantastike përgjatë bregdetit të saj, përfshirë portin e Sarandës, Shqipëria u ofron vizitorëve shansin të shijojnë ujërat e Mesdheut për një fraksion të çmimit të zakonshëm dhe gjithashtu zonat e mrekullueshme historike, ku hyrja është ose falas, ose kushton nga 2 deri në 5 dollarë. Nga qyteti mesjetar i Gjirokastrës tek rrënojat e Butrintit, do të gjeni një pamje shumë të ndryshme të Europës, të cilën ia vlen ta vizitosh përpara se të dynden të gjithë…”.

Corriere Adriatico

Corriere Adriatico krahason plazhet e Jugut me ato të Karaibeve, ndërsa ndalet te qytetet e trashëgimisë kulturore, liqenet, lumenjtë trashëgiminë historike, burimet natyrore ujore, që i quan burimi i perëndive.

“…Në këtë cep të Ballkanit është Shqipëria, një vend që është për t’u dëshiruar, për t’u përshkruar, për t’u eksperimentuar me detin e saj, që nganjëherë të ngjan me Karaibet, me male, duke e bërë atë ende “vendin e shqiponjave”, me histori, me mbetjet e arkeologjisë pellazgjike, romake, greke, ilire, turke, dhe pa lënë mënjanë natyrën, me mundësi për të vizituar 12 parqe kombëtare…”.

Liberoquotidiano.it

“Shqipëria, parajsa e re për të kaluar pushimet: det fantastik dhe peshk i freskët me bollëk për 7 euro”. Ky është titulli me të cilin prezantohet Shqipëria turistike në artikullin e liberoquotidiano.it.

“Dhjetë ditë përmes Shqipërisë për të zbuluar një qoshe të harruar të Italisë. Po, sepse kush vendos të marrë rrugën për në vendin e shqiponjave, nuk mund të injorojë historinë që ka lidhur dhe ende lidh këto dy vende. Një binjakëzim i fortë që mund të kuptohet vetëm duke ecur me kilometra të tëra nga Tirana në Berat, drejt bregdetit jugor, Himarë, Kasmil, Gjirokastër, Korçë e deri në Vlorë, ku është shfaqur një horizont të ri i turizmit low cost mes detit të kristaltë, bunkerëve socialistë dhe malësorëve zemër-flori.

Sidoqoftë Shqipëria mbetet ende një vend për t’u zbuluar, shumë larg nga turizmi tradicional masiv që ka dyndur resortet e destinacioneve më të frekuentuara të Mesdheut.”…

TV Francë 2

Një reportazh për turizmin e Shqipërisë, transmetuar në TV France 2 arriti edhe një rekord shikueshmërie prej 8 milionë qytetarësh francezë.

Revista italiane Gioia

“Një zhytje në Shqipëri” titullohet reportazhi i revistës së njohur italiane. …”Plazhet që ceken nga ujërat e tejdukshme të Mesdheut e bëjnë vendin e shqiponjave një destinacion tejet befasues për pushimet verore. Vetëm vitin e kaluar, turizmi u rrit me 15%, falë edhe natyrës së paprekur, destinacioneve të shumta, pjesë të trashëgimisë së UNESCO-s, si dhe dëshirës në rritje për të përqafuar të ardhmen, të një prej popullsive më të reja të Europës….

…Mos ndoshta Pylli Vertikal, një xhevahir arkitekturor i qendrës së re në Milano, do të bëhet së shpejti me një “binjak” në tokën ballkanase!? Ka mundësi, duke qenë se arkitektit italian Stefano Boeri i është besuar Plani i ri Rregullues i Tiranës, kryeqyteti i Shqipërisë. …

Lonely Planet

“Zbuloni plazhet e fshehura të Shqipërisë”.  Kjo është ftesa që përcjell gjigandi botëror i industrisë së guidave turistike dhe udhëtimit, Lonely Planet në një video dedikuar bregdetit shqiptar.

Open Minded

Një artikull për Shqipërinë turistike, botuar në mediat franceze Open Minded, e cilëson Shqipërinë një destinacion të ruajtur jashtë rrugëve të rrahura … dhe nga turistët!

…”Rrethuar nga Mali i Zi, Kosova, Maqedonia dhe Greqia, Shqipëria i ka shpëtuar turizmit masiv. Vendi gëzon një pasuri dhe diversiteti peizazhesh të jashtëzakonshme për të dashuruarit e natyrës, relaksit në plazh, dhe të fshatrave të vegjël. Pak e njohur mes turistëve, nxitoni për të shijuar qoshet e vogla të parajsës sa nuk është tepër vonë…”.

Please follow and like us: