Albspirit

Media/News/Publishing

Ish-shefi i Euralius: Mjaft me vonesat e reformës në drejtësi

Reformës së drejtësisë shqiptare i duhen ricaktuar sërish përparësitë, sepse ajo është tashmë një vit e vonuar.

Kështu komentoi sot ish-shefi i misionit Euralius, dr. Rainer Deville, në një konferencë të Institutit të Studimeve Politike mbi këtë temë.

“Çfarëdo që të thonë e të bëjmë politikanët në parlament, asnjë ligj tjetër nuk do të jetë i rëndësishëm, nëse nuk zbatohen ligjet e reformës në drejtësi” – tha zoti Deville.

Ai kujtoi se më 13 shtator 2017 presidenti i Komisionit Europian njoftoi me një shkresë se planifikohej një strategji për futjen në BE të Serbisë dhe të Malit të zi, por Shqipëria nuk u përmend aty, një vendim që e marrin të gjitha shtetet anëtare të BE-së, shikohen fakte, dosje, dokumenta, shikohen arkivat a janë realizuar objektivat.

“Shqiptarët nuk duhet të mbajnë sytë nga të huajt për një kohë të gjatë, por shqiptarët duhet t’i bëjnë vetë gjërat, duhet t’i marrin vetë punët në dorë, të bëjnë pjesën e tyre” – tha zoti Deville.

Sipas tij, duhen parë detajet se ku ka mungesa që të shtyhet përpara këtë reformë, e kjo nuk ka të bëjë me BE-në, por duhet vetë Shqipëria ta kryejë këtë punë, sepse duhet të funksionojë si shtet.

“Duhet të gjendet përsëri një marrëveshje tek shqiptarët, se kush do të jetë motori i kësaj reforme, sepse ky motor mungon. Duhet gjetur një zgjidhje, se kush është ajo strukturë që ka frymën për t’i shtyrë punët përpara” – tha zoti Deville.

Ai theksoi se shqiptarët nuk duhet të presin që punët t’ua bëjnë ndërkombëtarët, por duhet që kjo të jetë një veprimtari plotësisht shqiptar. Ndaj duhet ngritur një task force dhe duhet hartuar një kalendar i ri pune me përparësi të përcaktuara sërish.

“Duhet të kemi konsensus politik për çfarë mungon dhe çfarë duhet bërë, pra nevojiten direktivat politike” – tha zoti Deville.

Në parlament, sipas tij, duhet të ketë më shumë angazhim për t’u marrë me këtë çështje,

“Ne nuk kemi më frymën e reformave dhe duhet të kërkojmë organizatorin e tyre. Duhet parë kush është ai që i çon përpara këto reforma, që të zbatohen vërtet” – tha zoti Deville.

Ai shtoi se kohët e fundit pati shumë kritika për pagat e larta të komisionerëve të vettingut apo për kushtet e punës së tyre, por këto nuk janë thelbësore, dhe mund të zgjidhen.

“Ende ka dyshime se dikushi mbron dikë, sepse janë të lidhur etj. Këto dyshime do të bënin që të dështonte reforma në fitimin e besimit. Në fakt, ne duam që reforma të ketë besimin e plotë” – tha ai.

Ish-shefi i misionit Euralius tha se procesi ka një vit vonesë, tani kur duhet t’i afrohej fundit dhe nuk ka nisur ende.

“Komisioni ndërkombëtar i monitorimit ka ardhur me shumë vonesë, por edhe ata janë thjesht mbikëqyrës, nuk kanë pushtet, nuk kanë forcë vendim-marrëse, ata raportojnë në Bruksel. Pra, duhet vetë shqiptarët t’I bëjnë gjërat” – tha zoti Deville.

Sipas tij, detyra e vettingut nuk është të shpëtojnë miq të caktuar apo persona që më parë kanë qenë të lidhur me partinë, por të pastrojë e të rregullojë pushtetin e tretë shtetëror të Shqipërisë.

“Nëse ka milionerë që nuk justifikojnë dot milionat e tyre, atëherë duhet të fillohet me trajtimin e dosjeve të tyre. Ligji thotë se ai hyn në fuqi dhe duhet të nisë të zbatohet qysh në çastin që miratohet” – tha ai.

Kur një person është nën hetim dhe ka një dosje të plotë për të, tha ai, atëherë dosja duhet të kalojë tek instancat e radhës dhe nuk ka arsye për vonesa, se këto janë rregullat e shtetit ligjor. Por deri tani kjo nuk ka ndodhur.

“U fol se nuk ka ende zyra, por nuk është problem për të marrë mjedise me qera. Nëse mungon një tryezë, mund të përdoret një karrige për të mbajtur dosjet. Puna duhet të nisë me ato kushte që janë, por zbatimi i reformës ende nuk ka nisur vërtet” – theksoi ish-shefi i misionit të Euralius në Shqipëri, dr. Rainer Deville.

Please follow and like us: