Parlamenti i Ontarios miraton mocionin për Ditën Përkujtimore të Masakrës së Nankinit
Parlamenti provincial i Ontarios në Kanada miratoi të enjten një mocion për caktimin e Ditën Përkujtimore të Masakrës së Nankinit, për të përkujtuar 300 000 të vrarët nga trupat japoneze në qytetin kinez të Nankinit gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Miratimi i mocionit që e shpall 13 dhjetorin si Ditën Përkujtimore të Masakrës së Nankinit “është i rëndësishëm për nxitjen e paqes dhe të një të ardhmeje gjithëpërfshirëse dhe respektuese”, tha Soo Wong, një anëtare e Parlamentit të provincës Ontario që paraqiti mocionin.
Në një njoftim për shtyp, Wong tha se caktimi i Ditës Përkujtimore të Masakrës së Nankinit do t’u “mundësojë të gjithë banorëve të Ontarios të reflektojnë, të nderojnë dhe të kujtojnë viktimat, të mbijetuarit dhe familjet e prekura nga mizoria e ndodhur 80 vjet më parë në Azi”.
Parlamenti i Ontarios, ku jeton bashkësia më e madhe aziatike në Kanada, është organi i parë legjislativ në Perëndim që miraton një mocion të tillë.
13 dhjetori i sivjetshëm shënon 80-vjetorin e Masakrës së Nankinit, e njohur në Perëndim edhe si “Përdhunimi i Nankinit”. Në dhjetor të vitit 1937, trupat japoneze pushtuan qytetin e Nankinit, asokohe kryeqytet i Kinës, duke vrarë 300 mijë veta dhe duke kryer përdhunime masive.