Albspirit

Media/News/Publishing

“Receta pa komb” nga prof. Saimir A. Lolja

 

Rezultate imazhesh për receta pa komb, saimir lolja

Fritz RADOVANI

 

 

Asnjëherë një liber nuk mundet me kenë jashta kohe!

Ndersa, ka edhe libra që i perkasin të gjitha kohëve, ose ma sakt: Gjithmonë në kohë. Një nder këta libra asht “Receta pa Komb” e Prof. Saimir Lolja, kushtue Prindve t’vet.

Kam lexue materiale të botueme nga Prof. Lolja dhe bindja ime ishte se, shkrimet e Tij ngulmojnë nder fakte dhe dokumenta. Nuk ishe kenë aspak gabim!

Libri “Receta pa Komb” asht një permbledhje faktesh të bazuem mbi dokumenta, që per fat janë permbledhë me saktësi nga Prof. Lolja, i cili me kujdes i ka rreshtue dhe, i ka paraqitë para lexuesit me kjartësinë dhe mjeshtrinë e një historiani modern.

Ngjarjet fillojnë me 25 Gusht 1928…

Ishin në Moskë edhe një grup shqiptarësh që mendonin me “shpetue” Shqipninë!

Per ate që don me kuptue, Prof. Lolja, e ka percaktue në faqen e parë tek “Mbjellja në fillim, shija më vonë” faqe 13, “Llazar Fundo ishte një veteran i Kominternit me mjaft karierë në xhihadin sllavo-komunist. Ai kishte qenë deri në Mongoli në fillim të viteve 1920…” Pra, Llazari, donte me shpetue Atdheun tue i sherbye Mikhaylov dhe Titos, dy “muxhahid ose xhihadist = luftarë të luftës së shenjtë” të percaktuem nga Prof. Lolja, si organizator të “revolucionit” në Shqipninë e viteve 1930… Dhe, bashkë me kohen dhe vitet, ecin edhe listat e emnave të “xhihadistëve” të Spanjës, Francës dhe Luftave Civile, ku nuk kanë mungue asnjëherë “sllavo-komunistët” shqiptarë.

Ardhja e Miladin Popoviqit në Rozhaja të Malit të Zi në Korrik të 1941… Hapë faqen e re (të zezë) të formimit të Partisë Komuniste Shqiptare (PKSh). Asht e vertetë që ngjarjet në librin e Prof. Loljes ecin në shinat e Historisë së shkrueme, po asnjëherë me emnat e plotë të atyne që banin pjesë nder grupe dhe celulat komuniste nga themelimi i PKSh. Duhet theksue një fakt shumë me randsi: “Ne nuk kemi njoh asnjëherë nenshkrimet e pakteve dhe marrveshjeve të mëshefta mes sllavo-komunistëve tanë me ata jugosllavë.”

Të gjithë paguhen dhe të gjithë janë “proletarë”, që “sakrifikojnë” per Shqipni.

Perballë perpjekjeve t’ Atdhetarëve tanë, libri tek kapitulli “Shteti Shqiptar” tregon me detaje edhe mbrapaskenat ose “dëshirat” e fqinjëve, që nuk mungojnë me u citue nga shumë personalitete që kishin në dorë fatin tonë, por per hirë të miqsisë me grekët apo titistët e Jugosllavisë, “detyrohen me na braktisë per 50 vjetë nën diktaturë komuniste”!

Paraqitja e saktë dhe e dokumentueme e Luftës së Dytë Botnore, pushtimi fashist italian, ikja e Ahmet Zogut nga Greqia në Egjipt, per me mërrijtë me 22 Qershor 1940 në Londer, tregon një ecje breshke neper Europë të “mbretit” Ahmet Zogu…

Në faqe 117: “me ndihmen e DZOV, komunizmi bizantin montoi Enver Hoxhen në Shqipëri dhe ai u bë gjatë gjithë jetës së tij sunduesi i Shqipërisë me stil sllav.”

A mundet kush nga “akademikët” tanë me e perkufizue ndryshej tiranin Hoxha?…

Ma sakt do të gjeni tek libri “Receta pa Komb” edhe zhvillimet e viteve 1943 dhe 1951, që asnjëherë nuk janë dokumentue me fakte të plota e jo gjysmake, si asht veprue nga viti 1941 e që vazhdohet edhe sot, nga matufët e “akademisë së tiranve të tiranit në Tiranë”

Libri mbyllet me një pyetje nga Autori Lolja: “A duhet të kishte patur një shtet kombëtar Shqiptar para vitit 1912, para…, para…?” dhe sigurisht, edhe lexuesi i tij mund të pyesin:

“Po Rusvelti, a e dinte ku bjen në hartë Shqipnia, që nenshkroi në Dokumentin e Jaltës:

“Ajo i perket qeverisjes sllavo-komuniste e bizantine greko, jugosllave dhe sovjetike… Por, jo Shqiptarëve pasues të Gjergj Kastriotit – Skenderbeut !”

Dhe, kurr Europës…. As sot!

Ju falemnderës z. Prof. Saimir Lolja, per këte veper të çmueshme e të saktë historike!

            Melbourne, Gusht 2018.

Please follow and like us: