Albspirit

Media/News/Publishing

Orjola Pampuri: Braktisja e turizmit, shuplakë e fortë ndaj qeverisë së mashtrimit

 

Ndërkohë që kryeministri numëron jahtet luksoze të multimiliarderëve shqiptarë e të huaj, le të numërojë turistët shqiptarë të cilët janë më të paktë se çdo vit në numër, shëtisin nga Dhërmiu në Jalë e nga Borshi në Qeparo, nga Saranda në Ksamil me shpresën se do të gjejnë ndonjë ofertë më të mirë për të përballuar 3 ose 4 ditë, pushime me paratë e fituara me shumë mund përgjatë një viti. Por shumëkush prej tyre largohet i tmerruar duke u mjaftuar vetëm me një fundjavë. Çmime të çmendura të cilat nuk i kontrollon askush. Biznese të cilat pasurinë e perceptojnë ta bëjnë vetëm në një muaj të vitit, duke ofruar shërbim të varfër kundrejt çmimeve të çmendura.

Nëse do të vendosësh të pushosh në jug do të të duhet të rezervosh 20.000 lekë të reja në ditë për një familje prej 4 personash. Dhe këto, duke kursyer maksimalisht.

Nga ana tjetër bizneset çdo ditë bastisen nga skuadra e “shirje-korrjeve’ e hetimit tatimor e cila bën “të fortin” me çdo biznes i cili nuk është në listën e miqve të ministrave, deputetëve apo kryeministrit, duke e bllokuar dhe mbyllur, i bën dhe një show duke e publikuar dhe pasi këto biznese paraqiten tek shefi e paguajnë gjobën prej 500.000 deri në 1000000 lekë të reja biznesi u hapet përsëri.

Kjo është fabula që kryeministri ofron këtë sezon veror. Kështu pra, të gjithë përfitojnë në zinxhir, marrin e japin rryshfete, por ata që goditen fort janë gjithnjë qytetarët.

Kjo është qeveria që pak prej jush e votuan, shumë prej jush në këmbim të bukës që vetë ua mohoi në këto vite, ua bleu votën, e cila sot po tallet me qytetarët e këtij vendi dhe është gati të mohojë gjithçka që e nxjerr zbuluar. Por tani edhe gjethja e fikut i ka rënë e s’kanë me ç’mbulohen më. Janë mbytur me zullume e bëma që për fatin e tyre të keq i nxjerrin zbuluar çdo ditë e më shumë.

Please follow and like us: