Albspirit

Media/News/Publishing

Dashamir Uruçi: Ç’TË BËJMË…?

Fotografia e Unioni Shqiptar i Shoqerise Civile - USHC

Për të gjitha llojet e problemeve qajmë, konstatojmë e ankohemi pa pushim.

Ankohemi për gjendjen e rëndë ku ndodhet SHQIPËRIA, sot, ankohemi për ushqimin, pasigurinë, papunësinë, emigracionin, për çfarë nuk ankohemi.

Të gjithë flasim, sidomos në tavolina, aty ku çdo ditë e pijmë nga një kafe, flasim pa pushim me njeri tjetrin dhe rrallë herë pyesim se ç’po bëhet me hallet tona dhe si do t’i ndreqim ato?

Akoma nuk e kemi kuptuar se qarjet e ankesat nuk mbarojnë kurrë e të gjithë së bashku, duhet të shkojmë drejt zgjidhjes të cilës po i ikën koha.

Përsa kohë ankojmë, duhet të vrasim mendjen çdo ditë, si të dalim nga kjo gjendje e rëndë dhe e thënë me dy fjalë, shoqëria shqiptare sot, Ata që kanë mbetur, duhet me çdo kusht,me të gjitha mënyrat, t’i përgjigjen pyetjes më të rëndësishme për kohën, pyetjes «Ç’TË BËJMË»?

Për një gjë jam i sigurtë, ashtu si mijëra bashkëqytetarë të mi se politika shqiptare, në të majtë e në të djathtë, “e lëvizur apo e palëvizur», e ka konsumuar mandatin e vet, e ka konsumuar këtë mandat 30 vjeçar, politikisht dhe moralisht. Njerëzit e saj duhet të largohen, për t’i hapur rrugën një klase të re,një grupi të ri liderësh, të dalë nga gjiri i shoqërisë shqiptare, pa lejen e atyre që tridhjetë vjet me radhë e drejtuan këtë vend, ashtu siç deshën ata, me miqtë e dashamirët e vet, të vënë në rresht e me kokën ulur në mesin e shalëve…!

Janë këto njerëz që me mosveprimin e tyre i hapën rrugën “revanshit të fqinjëve”, të cilët në vend që të lëshojnë ato pasuri që na kanë grabitur po rrisim përsëri territoret e tyre në dëm të shqiptarëve.

Kështu ndodhi me kufirin Kosovë-Maqedoni, me kufirin Kosovë-Mal i Zi, me kufirin Shqipëri-Greqi dhe tash e ka radhën KULÇEDRA SERBI, e cila kërkonte 30 për qind të Kosovës e sot kërkon më shumë se gjysmën e saj.

Pazare të politikanvë tanë me fqinjët, me pasuritë tona e të parëve tanë, për hatër të KOLLTUKUT të tyre të cilin një ditë, bashkë me pasuritë e vjedhura, do ta marrin me vehte në varr. Këtyre njerëzve nuk i besohet më. Këto kanë 30 vjet që janë provuar, këta duhet të largohen e të japin llogari, për çfarë kanë bërë, në dëm të këtij populli fukara.

Në kuadrin e UNIONIT SHQIPTAR TË SHOQËRISË CIVILE, kemi organizuar me qindra takime dhe sot që shkruaj këto rradhë e kam krijuar bindjen se nuk duhet të presim më se Asgjë nuk bie nga qielli.

Shoqëria shqiptare duhet të bashkohet, duhet të unifikojë mendimet, kërkesat dhe idetë.

Në kushtet e sotme, nuk ka asnjë rrugë, për një përfaqësim real te qytetarëve, në KUVENDIN E SHQIPËRISË.

Partitë e mëdha, ata që e kanë drejtuar me radhë këtë vend, kanë vendosur një mur të lartë, një mur betoni midis tyre dhe popullit i cili nuk ka asgjë në dorë.

Financat, administrata, policia, drejtësia,media….,të gjitha janë në dorën e “monopolit politik”.

Për ta çarë këtë gjendje, duhet që populli të ngrihet edhe njëherë, gjë që nuk ka shanse, të ndodhë më.

Shumë shqiptarë e kanë ngritur antenën e mendojnë si e si të ikin nga ky vend, për të cilin mendojnë se nuk bëhet më.

E në fakt një krizë e thellë morale e shpirtërore e ka përfshirë SHQIPËRINË.

Një rrugë tjetër për të çuar përfaqësuesit e shoqërisë shqiptare drejt Kuvendit, mbase rruga e vetme, në kushtet e sotme, është ndihma e politikës ndërkombëtare, është rruga e përcaktimit të vendeve të lira,në Kuvendin e Shqipërisë të cilat i lihen në dorë shoqërisë civile.

Menjëherë skeptikët do të ngrihen e do të dyshojnë për gjithçka; politika do të ngrihet e do të përpiqet që asgjë e re të mos gjallojë në këtë vend sepse asaj i duhet statuskuoja, për të mbrojtur me çdo kusht, privilegjet shumë vjeçare të pushtetit.

Ne të tjerët, njerëzit e thjeshtë të këtij vendi, njerëzit e shoqërisë civile në Shqipëri, për të cilën ju thoni se nuk ekziston, mendojmë krejt ndryshe nga ju.

Ne do të kërkojmë ndihmën e politikës ndërkombëtare, do ta kërkojmë me çdo kusht, ndryshimin.

NE JEMI KËTU…!

UNIONI SHQIPTAR I SHOQËRISE CIVILE.

Tiranë, Gusht 2018.

Please follow and like us: