SHBA, sanksione të reja ndaj Rusisë për rastin Skripal
Shtetet e Bashkuara do t’i vënë sanksione të reja Rusisë, pasi që kanë gjetur se Moska ka përdorur agjent nervor kundër një ish spiuni rus dhe të bijës së tij në Brtitani.
Departamenti amerikan i shtetit tha të mërkurën se me këtë veprim Rusia ka përdorur armët kimike në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.
Ish spiuni rus, Sergei Skripal dhe e bija, Yulia, ishin helmuar me ‘Novichok’, një agjent nervor, në muajin mars në qytetin Salisbury në Britaninë e Madhe.
Britania e ka akuzuar Rusinë se qëndron prapa sulmit, gjë të cilën Kremlini e mohon me forcë.
Që nga sulmi i marsit, dy shtetas të tjerë britanikë, që nuk kanë lidhje me Rusinë, janë helmuar nga e njëjta substancë.
Zëdhënësja e Departamentit të shtetit, Heather Nauert, tha se “Shtetet e Bashkuara kanë vlerësuar se sipas Aktit të vitit 1991 për Kontrollin e Armëve Kimike dhe Biologjike, qeveria e Federatës Ruse ka përdorur armë kimike apo biologjike në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar ose ka përdorur armë kimike apo biologjike kundër shtetasve të saj”.
Ajo tha se sanksionet do të hyjnë në fuqi me ose rreth 22 gushtit.
Sanksionet do të strukturohen në dy pjesë, me ndikimin më të madh nga sanksionet fillestare që pritet të përfshijnë ndalimin e dhënies së licencave për eksportin e mallrave të ndjeshme kombëtare të sigurisë në Rusi, njoftoi NBC, duke cituar një zyrtar të lartë të Departamentit të Shtetit.