A duhet të gëzohemi që ajo po vuan nga kanceri i gjirit?
Daniel Boecking, BILD
Gruaja e kasapit të armëve kimike, Bashar al-Asad ka kancer në gji. Dhe, që të jemi të sinqertë, mendimi i parë që të vjen ndërmend është edhe ai më i zymti: Paska goditur njeriun e duhur. Asma al-Asad, 42 vjeç, është gruaja e bukur, moderne dhe imazhi hipokrit i propagandës së Asadit: Ndërsa burri i saj bombardon fëmijët me armë kimike, ajo shfaqet e qeshur me vajzat dhe djemtë në Instagram. Ajo mbron luftën vrastare të bashkëshortit ndaj popullit të tij dhe gëzon jetën luksoze në krah të tij, teksa tre fëmijët e saj flenë të sigurt në një bunker në pallatet e tyre. Dhe tashmë vjen diagnoza: kancer gjiri, një tumor malinj. I kapur në fillim. Trajtimi ka nisur. Një fotografi e tregon atë në spital. Në krah të saj është tirani Asad. Në krah të djathtë disa tuba infuzionesh. Në Twitter ka urime për shërimin e saj, por edhe komente të tilla: “Shpresoj që të mos shërohet kurrë” apo “I uroj asaj një vdekje të gjatë dhe të dhimbshme”. Komentuesit i dërgojnë edhe imazhe me duar të kryqëzuara, sikur duan të falenderojnë Zotin për këtë dënim hyjnor. Kjo mund të jetë njerëzore. Por nuk është e krishterë. Sipas të kuptuarit të krishterë, Zoti nuk dënon në këtë mënyrë. “Ai e bën diellin të ngrihet mbi të mirën dhe të keqen”, thuhet në Bibël. Dhe për gëzimin ndaj vuajtjeve të të tjerëve, thuhet: “Ai që gëzohet për një fatkeqësi të tjetrit, nuk do mbetet pa u ndëshkuar”. Çfarë katastrofe do të ishte nëse do e shihnim çdo vuajtje dhe sëmundje si një dënim nga Zoti- veçanërisht murtajën e kancerit që prek miliona njerëz çdo vit. Ndoshta gjithë ajo neveri për çiftin Asad e bën të vështirë. Por të krishterët janë të thirrur të luten. Edhe për armiqtë e tyre, madje edhe për të ligjtë. Por ne të krishterët besojmë gjithashtu se do të ketë një gjykim të drejtë të Zotit për Asma al-Asad, nëna vrasëse e Sirisë. Jo këtu nga kanceri i gjirit. Por më pas, kur të dalë para Zotit.