Albspirit

Media/News/Publishing

Hafize F. Elshani: Të jesh grua në Kosovë!

 

 

 

Gratë në Kosovë kanë të drejtë të jenë të sigurta në shtëpitë e tyre dhe në komunitet, të jenë të arsimuara, të kenë kontroll mbi trupat dhe jetën e tyre.

Dhuna kundër gruas që po përdoret në Kosovë ka ëerë që  situata në këtë vend të kthehet në një kaos dhe në një gjendje të pasigurt për jetën e femrave.

Të ngujohesh, të vdesësh dhe të humbasësh jetën, të verbohesh apo të mos kesh mundësi të jetosh, të jetosh në izolim dhe me frikën e panikun ndaj vdekjes, të përjetosh ankth dhe të mos gjendet dikush pranë për të thënë, të luftosh me vehten dhe mundimin, të heqësh të zitë e ullirit dhe të jetosh e dërmuar dhe e brengosur gjithë jetën, të ecësh dhe të bësh të njëjtën rrugë çdo ditë, e cila përfshin aksin “dhomë-kuzhinë-dhomë”, kjo është e padurueshme.

Të jetosh ferrin e Dantes dhe të mos dish të tregosh vuajtjet e mëdha që heq, të fillojë të të mbyllet goja nga halli e mërzia, të qash dhe të fshish lotët nga frika se po të vret dikush, të gjendesh përballë gacës dhe të përdorësh mashën për orë të tëra, e për një çast të mendosh se e mira është të qëllosh vehten me të, të vjen të tundohesh nga gjithçka, të mos kesh shtet që të ofron ndihmë, të mos kesh mbrojtje nga shteti yt dhe që urren çdo gjë e çdokënd qoftë edhe pa arsye, kjo është jeta jote, nuk e ke zgjedhur ti, por ajo të ka rënë për hise ty,sepse ti nuk ke mbrojtje, sepse ti nuk ke shtet, sepse ti je vetëm dhe nuk të del në ndihmë as policia, as ai burrë i mallkuar.

Kësi përjetimesh genden në Kosovën  e heshtur të atyre 101 femrave të vrara. Faji nuk njeh përmasa, e pafajshmja as nuk njihet! Shteti nuk mund të organizojë dhe të bëjë diçka më tepër, ndërsa femra vazhdon të ndihet si në kohë të lashta, e diskriminuar dhe e dhunuar, me të drejta të kufizuara, e vrarë, e nëpërkëmbër e papërkrahur, në vetmi të plotë. Absurdi është se ligjet e shtetit dhe institucionet heshtin dhe nuk ofrojnë kurrfarë sigurie dhe nuk i dalin krah femrave.

Populli shqiptar duhet të mobilizojë gjithë potencialin fizik e mendor në ndalimin e gjakderdhjes, kësaj epidemie që vjen nga thellësitë e shekujve. E ardhmja e fëmijëve, nënave dhe motrave tona është jeta pa armë.

Femra shqiptare, pjesa më vitale e kombit, gjaku i së cilës është tepër i çmuar.

O ti kriminel qe i thua vetes “burrë” duhet mësuar që t’i ruash grushtat aty ku duhet, duhet mësuar që t’i ruash armët për të mbrojtur trojet e të parëve dhe jo për të vrarë gra .

O ti kriminel që e quan veten “burrë”, do të ndalesh o kafshë duke pirë gjakun e nënave, motrave, vajzave tona; ne të gjithë duhet t’i themi ndal vrasjeve, ngujimit e fshehjes, që rrjedhin nga disa ligjeve idiotike.

Të jesh grua në Kosovë nuk është bukur sigurisht, në një shoqëri me origjinë patriarkale, ku femra është gjithmonë “një tjetër” që shihet si objekt gjykimi dhe se shoqëria pikërisht këtë bën, e gjykon dhe vetëm e gjykon…k konsideron një objekt gjykimi. Madje edhe kur e vrasin, përsëri gruan e gjykojnë (si ishte si dhe si nuk ishte?.

Sigurisht të jesh grua në Kosove ka shumë vështirësi… Të vrasin pa pikë droje! Dhe vrasësi merr dënim të lehtë!

Të jesh grua në Kosovë do të thotë që ligji të jetë i “butë” kur i vrasin, kur i përdhunojnë, kur i provokojnë seksualisht, kur i rrahin, kur u rrëmbejnë fëmijët etj. etj., sepse për këtë realitet femra është gjithmonë “një tjetër” me më pak vlerë sesa një send me vlerë që e ke në përdorim dhe që mund ta shesësh, shkëmbesh, shkatërrosh etj. etj.

E gjithçka mund t’i bësh, për sa kohë në disa mentalitete konsiderohet si një send në përdorim nga dora e tjetrit që e ka emrin burrë. Pse? Sepse jetojmë në një shoqëri me mentalitet ende patriarkal.

Të jesh grua në Kosovë ndodh që kur shkon te polici për të bërë kallëzimin se të ka rrahur burri, merr përgjigjen “shko te shtëpia”. Dhe e dërgon pa asnjë shpresë përsëri nga andej nga ka ardhur, kur shkon dhe i thua ” po më kërcënon”, ai të thotë sërish shko në shtëpi.

Dhe herën tjetër burri e vret… dhe kjo polici e gjen të vrarë. Sepse edhe ky polic në këtë realitet është edukuar që gruaja duhet të durojë rrahjen, poshtërimin e burrit dhe jo t’i nxjerrë problemet e saj në “pazar” sipas mentalitetit të mjerë të policit. Nuk e parandalon vrasjen!

Të jesh grua në Kosovë ndodh që kur njofton 112, polici shkon më i frikësuar sesa gruaja e rrahur që ka njoftuar dhe nuk guxon as të identifikohet, por do të mbetet anonim. Sepse ky polic shkon sa për t’i thënë shefit të tij që shkova dhe t’i vërë ditën e punës dhe ikën me vrap nga frika se mos e rreh edhe policin burri i asaj gruas që ka bërë kallëzimin. Madje ka frikë se mos e rreh edhe më shumë sesa gruan e rrahur… Dhe pas disa ditësh ky polic apo kolegë të tij e gjejnë gruan të vrarë… Nuk e parandaloi vrasjen!

Të jesh grua në Kosovë ndodh që të të grabisin e të shkulin bizhuteritë duke të marrë edhe jetën dhe policia bën sa andej-këndej, shumë mes dritash… dhe ndriçimesh… por jo atje, në ato territore ku janë skutat e fshehura dhe rruget pa ndriçim. Gabim se herët a vonë, nëse e lë krimin të mbysë organet e rendit, do të mbërrijë edhe në familjet e këtyre policëve, siç edhe ka ndodhur që kanë vrarë aq policë të pafajshëm.

Dhe thirrjet te 112 përfundojnë vetëm me një mbushje statistikash më shumë, sepse policin jo specialist por militant apo lidhjet nepotike e frenojnë veprimin për të parandaluar vrasjen e gruas. Sepse punësimi i tij nuk është bërë sipas meritokracisë si në vendet e BE ku ne aderojmë dhe pretendojmë se po përafrojmë legjislacionet dhe ky polic ka në dorë parandalimin e vdekjes së gruas… Se më pas, kur vjen prokuroria dhe gjykata, gruaja ka humbur jetën dhe ca fëmijë më tepër jetimë.

Një apel ligjvënësve që të rishikojnë ligjet dhe mjetet shtrënguese, që krimineli ta dijë që nëse vret dhe i merr lirinë gruas, do të ketë shtet ligjor që do t’ia marrë lirinë edhe atij vetë.

Ndonëse krimineli burrë do të vazhdojë të shpresojë se po vrau gruan veç ca vite burg do të bëjë dhe përmes ndonjë amnistie ca ulje dënimi do t’i fitojë, ligjvënësit dhe ekzekutuesit e ligjeve do të vazhdojnë të rrinë indiferentë me ligje dhe dënime të buta sa për të thënë që marrin ndonjë ndëshkim. Atëherë nesër tehu i kriminelit do të jetë edhe në familjet e këtyre ligjvënësve, kudo, gjithandej dhe atëherë kjo përmasë negative do të jetë një fatalitet për kombin.

Fatalitet për Kosovën nëse shtetin ligjor dhe të së drejtës do ta mposhtin kriminelët vrasës dhe fatalitet nëse ky vend do të bëhet një vend i frikshëm për të jetuar gra dhe fëmijë si dy kategori të pambrojtura. Kjo e keqe për të ardhmen mos na ndodhtë me si komb!

E gjitha kjo ishte sepse unë jam dhe do mbes zëri gruas në Kosovë.

Boll ma!

Please follow and like us: