A lindi vërtet Jezusi në Betlehem?
Sipas 2 tregimeve në Dhjatën e Re, Jezusi Krishti lindi në Betlehem, qytet në Bregun Perëndimor të Palestinës së sotme, rreth 10 kilometra në jug të Jeruzalemit. Megjithatë, shkrimet e tjera fetare dhe burimet e lashta, nuk janë aq të sigurta për këtë pretendim.
Studiuesit debatojnë ende sot se sa e besueshme është Bibla si një burim historik. Por shumica priren të pajtohen se Jezusi ishte një figurë e vërtetë historike, dhe jo thjesht një mit.
Por në mesin e akademikëve, besohet pak se Dhiata e Re është një përshkrim i saktë biografik i jetës së Jezusit. Gjithsesi, duke pasur parasysh mungesën e provave të forta nga ajo kohë, tregimet biblike janë shpesh i vetmi burim që duhet të shqyrtojnë, dhe prej tyre mund të nxirren disa të vërteta historike.
Ungjijtë e Mateut dhe Lukës, janë dy tregimet e vetme në Dhiatën e Re për të rrëfyer detaje mbi lindjen e Jezusit. Që të dyja pretendojnë se ai lindi në Betlehem në kohën e mbretërimit të mbretit Herod (përtej kësaj, 2 tregimet për të njëjtën ngjarje ndryshojnë jo pak).
Të paktën që nga shekulli II i erës sonë, njerëzit kanë besuar se vendlindja e Jezusit ndodhet në një shpellë në vendin e Kishës së Lindjes së Krishtit në Betlehem. Vetë kisha përfundoi së ndërtuari vetëm në vitin 339 të Erës Sonë, dhe i është nënshtruar shumë restaurimeve gjatë 1700 viteve të fundit.
Por shumë besimtarë të të krishterë bëjnë ende pelegrinazh në atë vend, duke e shpallur atë si vendlindjen e profetit. Çuditërisht, dy Ungjijtë e tjerë të Dhiatës së Re – Marku dhe Gjoni – nuk e përmendin në mënyrë eksplicite lindjen e Jezusit, dhe as emrin e Betlehemit.
Përkundrazi, Ungjilli i Markut thotë në mënyrë të përsëritur se Jezusi është nga “Nazareti i Galilesë”, ndërsa nuk e përmend kurrë Betlehemin. Po ashtu, Ungjilli i Gjonit e lidh Jezusin me Galilenë dhe Nazaretin. Megjithëse Gjoni përmend se Mesia ishte parashikuar të vinte nga Betlehemi, emri i Jezusit nuk lidhet kurrë drejtpërdrejt me këtë qytet.
Kurani, libri i shenjtë i Islamit, përmend gjithashtu lindjen e Jezusit, dhe madje e nderon atë si një profet të Zotit. As ai nuk e përmendet Betlehemin, por thotë se Maria e lindi atë në një “vend të largët” të papërcaktuar. Disa historianë argumentojnë se lidhja e tij me Betlehemin, ka të bëjë më shumë me politikën e lashtë dhe me ritet fetare sesa me faktet historike.
Rodolfo Galvan Estrada III, ndihmës/profesor i Testamentit të Ri në Universitetin Vanguard, thotë se Bibla bën një përpjekje të madhe për ta portretizuar Jezusin si pasardhës të mbretit David. Tek e fundit, vetë Bibla thotë se Perëndia kishte premtuar se froni i Davidit do ta sundonte përgjithmonë Izraelin.
Në disa pasazhe biblike, thuhet se Mesia do të vinte nga prejardhja e nderuar e mbretit David. Meqenëse pretendohej se babai i Jezusit, Jozefi, ishte pasardhës i Davidit, Jezusi i përshtatet mirë kësaj narrative. Megjithatë, një libër nga Bibla Hebraike i quajtur Mikea, profetizon se Mesia do të vinte nga vendlindja e Davidit, që ishte Betlehemi.
Duke e lidhur fort lindjen e Jezusit me Betlehemin, Ungjijtë e Mateut dhe Lukës po kontribuonin në pretendimin se Jezusi ishte Mesia nga një prejardhje davidiane, argumenton Estrada. Së bashku me vendlindjen e Jezusit, ekzistojnë shumë pasiguri rreth ditëlindjes së tij.
Shumica (por jo të gjitha) traditat e krishtera e festojnë lindjen e tij më 25 dhjetor, por Dhiata e Re nuk përmend ndonjë datë. Edhe një herë, shpjegimi i kësaj çështje është i ngatërruar shumë në histori, politikë dhe traditë. / iflscience – bota.al