Albspirit

Media/News/Publishing

Kleves Bitro: Depresioni kolektiv i shqiptarëve dhe politikat depresive qeverisëse

 

 

Gjithë vëmendjen e opinionit publik dje dhe sot e “rrëmbeu” ngjarja e Selenicës me masakrën e 8 të vrarëve brenda fisit. Komentet e pafund, zemërata e ligjshme, ndërsa pati edhe çudi shqiptare ku disa pseudopsikologë fajësuan rrjetet sociale, portalet dhe mediat se përse transmetojnë pafund kronikë të zezë duke ndikuar kështu edhe në rritjen e depresionit kolektiv.

Mirëpo kjo tendencë për të mos dashur të shohësh problemin e vërtetë i bën qesharakë si televizionet e porositura për të tilla intervista ashtu dhe pseudopsikologët e fanepsura në ndihmë të qeverisë.

Depresioni kolektiv i shqiptarëve duhet gjetur tek politikat depresive qeverisëse të paralajmëruara nga gjithë faktorët me mend dhe të mirëinformuar që u thanë shqiptarëve “të mos e hanë sapunin për djathë” dhe nuk u dëgjuan.

Një i vrarë në Shkodër, 8 në Selenicë të Vlorës, 2 para dy ditësh në Kamëz dhe 1 vogëlush sërish sot në Divjakë. Nga ana tjetër del Policia e Shtetit dhe merret me këpucët me taka të femrave shofere. Epo më gallatë e shtet sallatë nuk gjen.

Po ku janë vrasësit e Santos dhe çfarë bëhet me dhjetëra e dhjetëra vrasje pa autorë që as e merr mundimin njeri t’i gjejë, nuk e thotë kush. Po ku janë gjoja gazetarët kurajozë që të informojnë mbi shkaqet e depresionit kolektiv që ka kaluar vendi e që vijnë kot vërdallë duke numëruar kufomat e akteve të keqqeverisjes e moskokëçarjes e neglizhencës totale të mekanizmave shtetërore?

Hë de, ku janë Sanço-Pançot dhe donkishotët e shoqërisë civile dhe në fund pyetja edhe sa të tjerë dhe për sa kohë do vazhdojë kështu? Deri kur do pyesni veten nëse i keni parë të gjitha çfarë ju premtuan apo jo?!…

Please follow and like us: