Albspirit

Media/News/Publishing

Arqile Garo: “Himn” për Dropullin!

 

Qeveritë bien e ngrihen, njëra vjen e tjetra shkon,
por kurkush nuk të pyeti: “Po ti Dropull pse rrënkon?”
Popullore.

O Dropull, mëmëdheu im, o vendth i shumëbekuar,
t’i puth me mall e dashuri, ato dy sytë e shkruar.
Të përshëndes, vendlindje e shtrenjtë, përulem, të puth dorën
dhe hyj në garë, në poezi, me kapetan Mastórën*.

Vrava kaplloqën dy tre javë dhe mora laps e letër,
i vura vetes për detyrë të të nderoj, patjetër.
Të stis një varg, të thur një vjershë, për ty nënë e levduar
të shtoj dhe mall e nostalgji, që kurrë nuk kanë të shuar.

Të rehatohem në lëndinë, të rri si djalë shtëpie,
tek rrapi i çesmes të qendroj, të çlodhëm ndënë hije.
Me zë të dredhur të të pyes, o tokë e bukurive:
– Si ma kalove këte behar, si vajte, qysh u dive!…

Një këngë për ty, atdhe i lashtë, dua ta thur me ligje,
për kodrat e përrenjtë e tu, për male, pemë, e brigje.
Për fshatrat stisur mbi luginë, për baçet me perime,
për sytë e nënës mbushur plot, me lot e hidhërime.

* * *
Bie ndërmend fushën pa fund, ku bënin qejf gomarët,
por dhe tani, ke… taksixhinjtë, bisneset, tregëtarët…
Ç’i deshe malet me dëborë, arat me grurë e misër,
kur dy Vangjelë* ke deputetë dhe Spiron* ke ministër.

Njëri, Saliut i bën fresk, tjetri… në hije t’ ftoit,
i treti s’di se kujt t’i bjerë gozhdës apo patkoit.
Jo se përtojnë të bëjnë debat, s’i trembën polemikës,
por qënkesh lemsh e baterdi, kjo punë e politikës.

Ç’i deshe vreshtat plot me rrush, koshtet me jonxhë e thekër?!
Për ty, po luten priftërinj, me raso dhe me mjekër.
I psallin hymne Perëndisë, kryqosën, thimjatosin,
sa të kalojë edhe ca kohë, s’do kenë më ç’të varosin.

Po komunistat?!…hileqarë, që taksën mrekullira,
tashti, vër festën përmbi sy, se ke zgjedhje… të lira.
Ç’i deshe kodrat me qershi, prodhimet blegtorale,
bëj pallë, gëzo demokraci… fushata elektorale!…

Harroje ankthin, agoninë, tek rrije e prisje postën,
ke kryekomunarë me nam, Maluqin*, Koço Kostën*…
I shqepëm telat me gjëmbaçë t’i hoqëm taksiratët,
-Por… pse fsheh lotët tek shikon, si ikin refugjatët?!

Rezervuaret mbi luginë?! Lajthitje të Enverit.
Ti ke Vasilin*… palikar, në rol të timonierit.
Kemi Omonian, që na prin me afsh edhe me endje,
që ka me vete gjithë parinë, burra e gra plot mendje.

Po shkollat, mbushur plot me djem e vajza si burbuqe?!
…Ke “psistari”… që pjekin mish, bërxolla dhe sunxhuqe.
Ç’t’i bëjë stallat plot me lopë, me derra e me krunde,
nashi dhe plakat kanë të drejtë, të veshin minifunde.

Ç’ta bësh kostumin popullor, traditat kaq të lashta?
Ta thoshte kako Dhoksua: “të pafsha, bithëpërjashta!”
T’i hoqem rrobat e mërzisë të bëmë kontemporane,
të mbushëm plot me kafene, reklama dhe dyqane.

Dhe partizanët legjendarë, që prunë lirinë nga mali,
që pivën llohë e bubullimë, ujin në gjurmë kali,
që vigjëluan në kufi me grykë t’atij dyfeku,
rrinë e shullëhën mbi shilte: “marrën pension nga greku”.

Harroje etjen e urinë dhe vuajtjet e zborit,
vajtjet e ardhjet nëpër tym me otobuz të Shorit.
Raki?! Ça flet or ti, fshatar, ça thua or lum miku,
këtu të çajnë uiskërat, kardhuja dhe toniku.

* * *
Dropull, moj nuse zemërbardhë, ti vatër e mikëpritjes,
si s’u vjen turp që të tregtojnë, të bëjnë tabelë të qitjes.
Të gjetën vetëm në errësirë, të ngrirë, të lemeritur,
dhe t’u lëshuan me tërbim si ujqër të uritur…

Kush të të mbrojë, të të dalë krah, të thotë dy fjalë të mira,
ata, që nëpër mjegullnajë, rrinë e krijojnë partira?!
Ata, që u vetëquajtën të kombit baballarë,
ca zabërhanë që kush s’i njeh, e shpallin tradhëtar?!

Ku vanë mësuesit e tu që nxorrën profesora?
Ikën e morrën aratinë si zogjtë kur i ndjek sorra.
Ç’ u bënë moj mike tërë ata, që gjithë u thoshin “bravo!”
shkuan, edhe kë lanë këtu?… mua dhe zotin Çavo*.

Ku vajtën zonjë tërë ata djem, ku shkoi rinia jote?
Komunikojnë me facebook, nga cepat e kësaj bote.
Ngrënë sajte nëpër internet, grinden nëpër blog spote
“Jo po ky s’është atdheu yt, kjo s’qënka puna jote!…

Grekë!… jemi ne, ata shqiptarë, ju vllehë, ata jevgjitër,
e luajmë vetë, jemi të fortë, s’na duhet më arbitër.”
O burrani ! Si Don Kishotë, përmbi mullinjtë e erës!
Dridhu “armik!” se po të vinë, trimat e Spiro Kserës!

Dhe pala tjetër, që kaq vjet ja thith palcën pushtetit,
që preferon më mirë t’i hedhë, çelsat në fund të detit…
jetojnë përçart dhe endërrojnë në lëmshin e mishmashit,
siç endërron dhe dhelpëra, të hajë… koqet e dashit.

Ne kemi Dulen trim të parë, me dell prej komandandi,
sapo kërcet Bollanoja, pëlcet Spiro Dhjamandi*.
E paskemi të ndarë hisenë… ne k’tej, ju matanë urës!
Hapët jehona mbi lugine: “ pra… paski leshtë e currës!”

Copë copë, të mjerrë e të përçarë, për ty punojnë, o popull,
Dhe benë e bëjnë me përdëllim: “për kokën tënde… Dropull!”
Për ty gulçojnë për ty shkulmojnë dhe debatojnë me pathos.
… Gjegjet Stugara plot kuptim: – “afto, ine Mega-llathos!”*…

Për ty u tret shoku Enver, Ramizi dhe Saliu.
Për ty u çkreh shoku Fatos, Iliri e Pandeliu.
Me ty në mendje bënin gjumë, Moisiu edhe Mejdani.
Për ty, për pak, u fut në burg, dhe profesor Bezhani*.

Për ty o Dropull, thinja zunë, konsujt ambasadorët.
Të ardhmen tënde projektojnë dhe nuk flenë gjumë të gjorët.
Për ty kujdesen e vrapojnë “miqtë” nga… përtej kufirit.
Tani në prag të zgjedhjeve… të kanë në dritë të syrit.

Për ty jetojnë, për ty mendojnë, me fund i zbrazin gotat,
me vete flasin, kuvendojnë si të të rrjepin votat.
Pasi i nxorrën sytë Greqisë, e shpunë në buzë të gropës,
po vijnë të të rrëfejnë dhe ty, si shkohet drejt Evropës.

Po ti moj mike i njeh mire, furtunat, dhe tallazet.
Tek ti nuk shkojnë dinakëritë, pushtllëqet edhe nazet.
Veç, mos harro atheu im… dhe atë thënjen tjetër:
“Ruaju, nga agai i ri dhe nga putanë e vjetër!”

* * *
O Dropull, o atdhe i shtrenjtë, nuse e sapo stolisur,
ti historinë, përmbi luginë, me brymë e ke qendisur.
Ti, që Greqisë emrin i dhé, tok me njëmijë urime,
si mbete vetëm nëpër terr, në ngrica e në thellime?!

Por s’e ul kokën Mali i Gjerë, Stugara dhe Murgana,
e di ti vetë si t’ja u vesh, kufirin mu tek thana.
Ç’ është ai “trim” që dorën fsheh, pasi ka hedhur gurin?!…
Mos ja përto, po pa vonesë, ngreju dhe rrëmbe hurin…

Dhe kur stuhia t’ ulerijë të bjerrë furrishëm bora
të del në mbrojtje me guxim, vetë kapetan Mastóra
që negocion me Perëndinë, me Krishtin e Shën Ndreun,
dërgon në djall Karamanlinë, Salinë dhe Papandreun.

Mos u mërzit, bëj pak gajret, të ardhmen shihe pastër,
se më ke mua në Janinë, Çukllën* në Gjirokastër.
Ke Qiqin* mu në Vrisera, në Dhuvjan ke Sokratin*.
që me durim e mençuri, të garantojnë rahatin.

Ke Kristaq Xhain* që vërdallë, e bie Lush Serianin*,
ke brenda n’ Universitet Barkën* dhe Jani Janin*.
Në Krioner të mbron kufinë vetë Spiro Kallua, djali,
dhe në Tiranë, ta ngrenë dollinë, Koçua* dhe Mihali*.

Ke “Konsullin” në konsullatë, që të shton nurin, hirin,
që bën dhipllomaci të hollë, për gjithë Vorio Epirin.
“Elinizmoi-n” në Athinë?!… për ty çirret gazeta,
Për ty pëllet qir Jorgua*, për ty shkumon Loreta.*

Për ty në zjarr dorën e vë dhe vetë Vasil Jatrói*,
për ty “gremiset” Kitua*, gjëmon Lefter Kondoi*.
Për ty të tërë me rrokullimë e marrën tatëpjetën,
për ty dhe Vangjel Tavua, u “ba” me Ilir Metën.*

Për nderin tënd betohen flakë, të gjithë politikanët,
edhe ata të “tyrëve”, po edhe këta, “tanët”.
Në emrin tend, artikulojnë sharjet nëpër tribuna…
dhe grykë e lumit gurgullon… “po mua ç’m’u prish puna?!”

O Dropull, o athe krenar, gjëndur në udhëkryqe,
ti që na dhe veç dashuri e ne të lamë si qyqe.
Mos e ul kokën motërzo, s’të shkon buza e plasur,
ai që s’u bë dot njëri, vajti u bë… i pasur….
* * *
Ti nënë e shtrenjtë që djemtë e tu i rrite me thërime,
bëmat e “tyre”, i regjistron, armata anonime.
Mos e ul kokën por kujto: si thoshte barba Tási:
“ Káne qe ligho ipomoni, bóra ine tha perási!…”*

Mos të të vejë në sekëldi kjo kohë tërë paradokse,
tek lartësohet në Tiranë, selia ortodokse.
Çohu, dhe hidh shaminë e zezë, vish rrobat e qëmotit,
ndiz një qiri më përkushtim dhe nis e falju Zotit.

E di moj zonjë që nuk mallkon, ke djem nëpër kurbete,
nëpër Evropë e Amerikë në oqeane e dete.
Që të kujtojnë me nostalgji, me mall e zjarr ndër mende,
e që i lutën Perëndisë, t’i kthejë në tokën tënde…

Më zemër nënëje atdhe, ngrë dorën e bekona,
uro të kthehemi një ditë, shëndoshë në vatrat tona.
Bekoji nënë me dhëmshuri, të largëtit, udhëtarët,
përgjunju, lutju Perëndisë t’i falë dhe mëkatarët.

Fali moj mike që të gjithë, arhondët, fukarjarët,
fali hajdut’e pulave, por fal dhe “ustallarët”.
Fali hafijet lajkatarë, spiunët, intrigantët…
Hej!… mos harro… ndiz një qiri, dhe për ish diversantët.

Fali të gjithë pa përjashtim me mllefet e inatet,
dhe siç bekon të mençurit, beko dhe kokëpatatet.
Fali të ligjtë e maskarenjtë, bekoji dhe mjeranët,
veç… ndiz edhe një turrë me dru… “beko… !” politikanët.

Dhe kur qëtësia të jetë shtrirë, mbi shpatullat e Tua,
ngrij kokën mëmë, shikomë në sy dhe… falmë edhe Mua!

Arqile Garo, Janinë, tetor 2010.

Spjegues:

kapetan Mastóra* – miku im Jani Mastora nga Terihati që sajonte bejte me humor dhe revoltë. I ndrittë shpirti pasi nuk është më mes nësh.

kur dy Vangjelë* ke deputetë dhe Spiron* ke minister – Vangjel Dule, deputet i PBDNJ, Vangjel Tavo deputet i PS – së dhe pakëtaj i LSI – së , Spiro Ksera deputet i PD – së dhe ministër i Punësimit.

ke kryekomunarë me nam, Maluqin*, Koço Kostën* – Dhimitër Maluqi dhe Koço Kosta, kryetarë të komunave të Dropullit të Poshtëm e të Sipërm respektivisht, para se Dropulli të derivonte në Bashki.

Ti ke Vasilin*… – Vasil Bollano, kryetar i Omonias në atë kohë.

mua dhe zotin Çavo* – Stavro Vasua, mësues nga fshati Longo që për shkak të sëmundjes së tij mbeti vetëm. I qoftë i lehtë dheu!

Spiro Dhjamandi* – kuadër i lartë i Omonias.

– “afto, ine Mega-llathos!”*… – (greqisht) – ky është gabim fatal.

Për ty, për pak, u fut në burg, dhe profesor Bezhani* – I paharuari Thodhori Bezhani që tok me pesë të tjerë kuadro të Omonias u burgosën në verën e 1994 nga qeveria e PD – së me akuzën e tradhëtisë së lartë. Gjyqi përfundoi në një fjasko politike dhe ndikoi në përkeqësimin e marëdhenieve shqiptaro – greke.

se më ke mua në Janinë, Çukllën* në Gjirokastër – Vaso Çuklla, aktor dhe regjisor me origjinë nga Bularati.

Ke Qiqin* mu në Vrisera, në Dhuvjan ke Sokratin* – gazetarët Dhimitër Qiqi dhe Sokrat Papadhopulli.

Ke Kristaq Xhain* që vërdallë, e bie Lush Serianin* – Miqtë e mi gazetarë, Kristaqi dhe Engjëll Serjani.

ke brenda n’ Universitet Barkën* dhe Jani Janin* – Panajot Barka dhe Jani Jani – ish deputetë dhe pedagogë.

dhe në Tiranë, ta ngrenë dollinë, Koçua* dhe Mihali* – Koço Barka ish deputet dhe ministër, Mihal Naçi gazetar.

Për ty pëllet qir Jorgua*, për ty shkumon Loreta* – Jorgo Llaboviti, rahmet pastë, artikulshkrues dhe kryetar i Omonias, Loreta Boti gazetare dhe polemiste e gazetës “Elinizmos” (Helenizmi) që botohej në Athinë.

në zjarr dorën e vë dhe vetë Vasil Jatrói* – gazetar dhe botues i gazetës “Llaiko Vima”.

për ty “gremiset” Kitua* – Vasil Kito gazetar dhe kronikan nga Llongo.

gjëmon Lefter Kondoi* – ish përgjegjës i kulturës në Dropullin e Poshtëm, gazetar dhe shkrimtar.

për ty dhe Vangjel Tavua, u “ba” me Ilir Metën* – Vangjeli ja drοdhi PS – së me të cilën ishte zgjedhur deputet dhe iu bashkua LSI – së së lir Metës. Për këtë veprim u shpërblye nga kryeministri i asaj kohe Sali Berisha me postin e Ministrit të Shëndetësisë.

“ Káne qe ligho ipomoni, bóra ine tha perási!…”* – (greqisht) bëj dhe pak durim stuhi është e do të kalojë…

Please follow and like us: