Albspirit

Media/News/Publishing

Floriana Garo, nga jeta pas lindjes së vajzës tek planet për dasmën

Rrëfehet ish-moderatorja: I rikthehet ekranit shqiptar? Floriana Garo: Ja projektet e mia për shtatorin.

“Pjesa më e vështirë, të kuptuarit që je bërë nënë” – Edhe pse tashmë u bë më tepër se një vit që ajo është shkëputur nga mediat vizive shqiptare, të gjithë e mbajmë mend bukuroshen e “Jo Vetëm Modë”. Tashmë larg Shqipërisë, Floriana Garo ka krijuar jetën e saj pranë bashkëshortit dhe vogëlushes disamuajshe, Adias. Por së fundmi e kemi parë që ish-misi shqiptar është rikthyer në vendlindje.

Në një intervistë ekskluzive për “Bluetooth” të “Gazeta Shqiptare”, Floriana ka rrëfyer për planet e saj për këtë shtator edhe më gjerë. Ajo ka folur, gjithashtu, edhe për ndjesinë e përgjegjshmëritë e të qenit nënë si dhe për iniciativën e re të menaxhimit të bizneseve të saj në Zvicër së bashku me bashkëshortin. A do të rikthehet sërish të jetë pjesë e ekraneve shqiptare me një produkt të sajin? Së shpejti do të kemi dasmë dhe a do të zhvillohet ajo në Shqipëri? Për më tepër në intervistën e mëposhtme.

Pas një shkëputjeje të gjatë, je rikthyer sërish në Shqipëri. Do të jetë për plane afatgjata?
Jo, jam kthyer në Shqipëri për të pushuar pranë njerëzve të mi të dashur, që gjatë këtij viti, në Zvicër më kanë munguar shumë. Por mbi të gjitha, që vajza ime Adia, të përshtatet edhe me klimën e Shqipërisë. Ajri i detit i bën shumë mirë.

A keni ndonjë projekt në media që prisni ta nisni në shtator. A do t’i ktheheni sërish ekranit?
Jo, projektet e mia në shtator janë në Gjenevë me bashkëshortin tim. Kemi nisur disa biznese atje, të cilat duhen menaxhuar mirë.

Keni vendosur të jetoni përfundimisht në Zvicër apo do t’i riktheheni vendlindjes?
Nuk kemi vendosur asgjë. Do të qëndrojmë në Zvicër për sa kohë ta ndjejmë se është vendi i përshtatshëm për familjen tonë. Por nuk mund të them se do jetë përgjithmonë.

Mes të qenit nënë dhe bizneswoman, si ia dilni për t’i menaxhuar të dyja?
Është e vështirë t’i balancosh mirë, në fakt, ndaj unë jam me fat që kam një dado që më ndihmon. Në të njëjtën kohë nuk bëhen dot shumë mirë të dyja. Tani po e shijoj plotësisht kohën me vajzën time dhe kur të rikthehem në Zvicër do t’i përkushtohem më shumë punës.

Tashmë jeni nënë e një vogëlusheje që ju bekoi me këtë emër. Cila është pjesa më e vështirë e rritjes së një fëmije sipas jush?
Të kuptuarit vërtet që je bërë nënë. Kjo nuk vjen menjëherë. Netët pa gjumë dhe të qarat e fëmijës kur ti nuk e kupton çfarë sikleti ka dhe nuk mundesh dot ta ndihmosh. Këto mund të them se janë një pjesë e vështirësisë. Por koha i bën gjërat më të thjeshta, ose ti thjesht fillon dhe përshtatesh më shumë me rolin tënd të ri dhe kujdesi për fëmijën vjen më natyrshëm.
A keni hequr dorë nga ndonjë pjesë e mënyrës së jetesës suaj për vajzën?
Sigurisht. Asgjë nuk është më njësoj. Nëse më parë mendoje vetëm për veten tënde, tani fëmija është i pari!

Së bashku me bashkëshortin jeni celebruar por s’keni bërë ende dasmën. A keni filluar ndonjë parapërgatitje?
Kemi filluar të mendojmë dhe të diskutojmë për diçka që do na përshtatej të dyve.

Preferoni ta bëni dasmën në Shqipëri apo diku tjetër? Cila do të ishte stina më e përshtatshme për ju?
Mendoj se në Shqipëri do ta bëjmë. Në pranverë ose vjeshtë, kur të mos jetë shumë vapë.

Mes dashurisë për ekranin dhe pasionit të ri për drejtim biznesi, tek cili e shihni veten më tepër?
E shoh veten aty ku unë do të jem më e përshtatshme për të ndikuar pozitivisht. Biznesi është një fushë që kam nisur ta eksperimentoj tani, ndaj më duhet ta vazhdoj pak më gjatë për t’i parë frytet. Ndërkohë platforma që ekrani të mundëson për të ndikuar tek shikuesit do të jetë gjithnjë tërheqëse për mua.

A keni patur oferta për t’u rikthyer me një format tuajin në median Shqiptare? Cili ju ka joshur më tepër dhe mbase edhe keni pranuar?
Momentalisht nuk kam plane të rikthehem ndaj nuk vlen të diskutojmë ofertat./GSH/

Please follow and like us: