Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Izet Shehu

 

 

PAKT

Ati im i mirë,
O ati im i urtë,
Bëjmë të dy një pakt të thjeshtë?!
Unë këtu mbi tokë t’ia ruaj pyllit drutë,
Ti atje në Had t’ia mbash të pastra rrënjët.

Unë zëdrithëruar të të them: o atë!
Ti zëvenitur të më thuash: o bir!
Ajo që shthur, u shkul, u zhvat,
Ajo që u nxi mbeti përherë e nxirë.

Veç rrënjëve dhe limfës asgjë s’na ka mbetur,
Ata që e prenë pyllin e presin përsëri.
Shfaqen më rrufjanë, më të kallajisur, më të thekur.
Shfaqen më të pabesë se djajtë me bisht.

Ati im i urtë,
O ati im i mirë
Bëjmë të dy një pakt të thjeshtë?!
Ti atje në Had bëj kujdes me miqtë,
Unë këtu mbi tokë nga lajkat dhe gjarpërinjtë.

Vëllimi “Brohoria e një dimri”

 

MË PËLQEN DASHURIA

Më pëlqen dashuria që më deh si vera,
Që më bën të qesh, kur duhet të qaj,
Që më bën të fluturoj lakuriq si era,
Që më bën të shkumëzoj si jasemin i bardhë.

Më pëlqen dashuria që m’i lbyr sytë,
Që prushin dhe akullin ma përzien përbrenda,
Që zërin dhe ajrin ma dridh e ma ndrydh,
Që gjakun e nxehtë ma rreh në tëmbtha.

Më pëlqen dashuria që s’e përfill dimrin,
Më pëlqen dashuria që e sfidon verën,
Që e erëmon dhe të vyshkur trëndafilin,
Që e erëmon dhe të tharë luleshqerrën.

​***

Kam një mendim që e shpesh e kruaj,
Kam një mendim që s’jua kam thënë:
“ Zot, pse i bëre kuajt
Të dashurojnë e flenë në këmbë”?!

​***
Më jep një buzëqeshje ta marr me vete,
Mbase më bie rruga në të tjera planete.
Mbase më bie rruga të shkel dhe në hënë,
Atje buzëqeshja, mbase më bëhet këngë.
Më jep një buzëqeshje si trëndafil të bardhë,
T’i marr pak erë, kur të mbushem me mall.

KËPUTA NJË YLL

Këputa një yll në qiell
Dhe e nisa për tek ti.
Të kërkoi , por nuk të gjeti
As në Jug,
As në Veri.

Këputa Arushën e Madhe,
Një skuadër me shtatë yje.
Të kërkoi nëpër livadhe,
Të kërkoi nëpër pyje.

Më në fund
U nisa vetë
I mërzitur nëpër natë.
Kur ti dole krejt e beftë,
Më fine se hën’ e artë.
PRITMË

Pritmë, moj drenushë, pritmë,
Rroj me ty dhe pse jam larg.
Malli zemrën ma ka grirë,
Ma ka zënë si zog në lak.

Vij si agu shkëlqimtar,
Vij si muzg e zbres atje,
Vij si diell rrezear,
Vij si zogu në fole.

Pritmë, moj drenushë, pritmë,
Nën një shelg, në një çair.
Ku çukit me sqep një cinkë,
Ku çel lulja jasemin.
DERISA…

Derisa
Në gjithë këtë planet,
Që rrotullohet në pafundësi
Ka njerëz, që zemra u pëlcet,
Për pak dritë e drejtësi,
Ç’duhet bërë me këtë botë?

Ç’duhet bërë me të gjithë ata,
Që ç’ndodh përqark s’duan ta dinë,
Që s’e kuptojnë një pikë loti,
Që s’e kuptojnë një jetë pelin?

Derisa kjo botë
Të rrokulliset kështu,
Plot padrejtësi edhe mjerim,
Më mirë vidhise tej, o Zot,
Krijo një tjetër rruzullim!

Please follow and like us: