Ish- paraushtaraku Jonel Boeru: Si e vrava Çausheskun?
Ish- paraushtaraku Jonel Boeru e kujton si sot, ditën kur vrau diktatorin rumun, Nikolae Çaushesku. Boeru tha për Mirror se ishin 29 plumbat e dalë nga AK-47 e tij, që vranë presidentin dhe gruan e tij, Elena. Kapiteni thotë se tirani 71- vjeçar ishte veshur me stil dhe vinte erë e rëndë solucioni pasrroje. “Fjalët e fundit të Çausheskut ishin: Jetë të gjatë Republikës Socialiste të Rumanisë- të pavarur dhe të lirë,” thotë Boeru. Në të kundërt, Elena Çaushesku mbante erë të keqe. Fjalët e saj ishin krejt të ndryshme. “Ajo i ulëriti një ushtari: Ti, shkërdhatë”, thotë ai. Boeru, 56 vjeç, rrallë flet për ngjarjen e ndodhur në Krishtlindjet e vitit 1989. Madje ai nuk i ka treguar as vajzës së tij 9- vjeçare, Andria, për këtë ngjarje. Më pas ai tregon ngjarjen. Perdja e Hekurt kishte nisur të binte në Europën Lindore me disa revolucione paqësore. Por në Rumani Çauseshku vetë urdhëroi trupat që të qëllojnë mbi protestuesit. Më shumë se 1100 njerëz u vranë në tre javë, përpara se tirani të rrëzohej pas 22 vitesh drejtim. Së bashku me të shoqen, ai u arratis nga kryeqyteti me një helikopter më 22 dhjetor. Ata përfunduan në Targoviste, një qytet i vogël në veri të vendit. Pasi u strehuan në një institut të teknologjisë agrokulturore, ata u arrestuan. Tre ditë më vonë, Boeru ishte një nga 15 njerëzit brenda gjykatës ushtarake të improvizuar. Çaushesku kishte dalë përpara gjykatës, i akuzuar se kishte urdhëruar vrasjen e më shumë se 60 mijë njerëzve dhe se kishte dërguar miliarda dollarë në llogaritë e tij në banka të huaja. “Isha në sallën e gjyqit dhe armën e mbaja në gjoks. Prisja më vëmendje kur do jepej vendimi”. “Çaushesku i tha gruas së tij se besonte se do e lironin. Ai fliste me zë të ulët. Shpesh i prekte lehtë këmbën asaj për ta siguruar që do ndodhte kjo”. “Pastaj erdhën gjykatësit dhe thanë se ata janë fajtorë. Thanë “Dënim kapital” dhe u larguan”. “Në sallë mbetëm vetëm tre veta. Çaushesku ishte tradhtuar nga gjeneralët e tij- një prej tyre ishte në sallë dhe bënte aeroplanë prej letre”. “Mbaj mend që e pyesnin se ku i kishte llogaritë bankare, ku i mbante paratë. Ai tha se nuk kishte asgjë”. Për çudi një kolonel i solli insulinë Çausheskut, që vuante nga diabeti. “Ishte e çuditshme sepse ai do vritej”. “Më thanë që t’i ndaja dhe t’i vrisja. Por më thanë se donin të vdisnin bashkë dhe ua plotësova kërkesën”. “Unë dhe një ushtar tjetër e morëm Çausheskun dhe gruan e tij dhe po i dërgonim në pikën e ekzekutimit. Ishim në mes të rrugës, kur ai ndaloi dhe nisi të mërmëriste dhe më pas të këndonte Internacionalen. Më pas bërtiti: “Jetë të gjatë Republikës Socialiste të Rumanisë. E pavarur dhe e lirë”. Një ushtar, me pseudonimin “Makina e Vogël” i bërtiti gruas së Çausheskut. Ajo ia ktheu: “Shkërdhatë”. I çova te muri, ne u kthyem, bëmë gjashtë hapa dhe u kthyem sërish. Pashë që një ushtar kishte mbetur pranë tyre. Nuk e kuptonte se çfarë po ndodhte. Më pas u largua. U sigurova që kisha plumba në armë. Kisha 29. Thashë urdhër që armët të qëllonin automatike dhe sapo fola sërish, ata qëlluan. Qëllova tre herë nga arma ime AK-47. Çaushesku ra në gjunjë dhe u përkul përpara. Plumbat e parë kishin goditur këmbët. Më pas plumbat i kapën pjesën e sipërme. Qëllova edhe mbi gruan. Ajo ra majtas. Një nga kolegët e mi kishte harruar që ta çonte armën tek automatike dhe bënte qitje teke. Një tjetër nuk qëlloi fare. Mendoj se ishte i traumatizuar. Kështu që mendoj se plumbat e mi i vranë të dy”. Ushtarët nisën të bërtasin, ndaj Boeru kishte frikë mos e vrisnin edhe atë. Pasi dorëzoi trupat, u largua. Në uniformë kishte gjakun e tyre. Gjatë kohës që pasoi, druhej se mos e vrisnin. Martesa e tij e parë, nga e cila kishte dy vajza, u prish. Gruaja e tij nuk ra kurrë dakord me atë që kishte bërë. Ai u martua sërish dhe tani ka një vajzë 9 vjeç. Edhe gruaja e dytë ka frikë. Vendimi për të marrë pjesë në ekzekutim ishte i mirë për karrierën e tij, pasi u bë kolonel. Në fund, ai thotë se nuk i vjen keq për atë që ka bërë. “Jam krenar për rolin që kam luajtur në revolucion,” thotë ai.