Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Izota Rexho Haruni

 

Të prisja

Të prisja si ai fëmija i humbur që pret ta gjejnë,
ta marrin në krahë, ta përkëdhelin,
ëmbël t’i flasin,
t’i pastrojnë lotin e tharë,
Të mbështesja kokën në atë gjoks që kishte një jetë që e prisja,
të ngopesha me aromën lëkurës tënde,
e të pëshpërisja…..
O Zot…
Sa kohë kisha frymë pa marrë.

Të prisja si ai fëmijë
që nuk do që ta pyesin se a ka uri o a do të hajë,
por ta ushqejnë si një nënë kur jep gji
e me fëmijën e saj nuk ngopet duke e parë.
T’i ushqejnë lëkurën, sytë, frymën e në gjak t’i ndezin zjarr,
T’ia ushqej ëndërrat me dëshirat e tij,
ta dojë si herën e parë.
T’ia shuaj etjen shpirtit të zhuritur,
të shuaj prushin e ndezur buzëve që nga pritja ishin tharë,
Ta veshë me petkun e besimit,
kalanë ta gjej pa ushtar.
Le të derdhë shpirtin në të
timin
e të shohë si do shkrihen llavë
Do digjet ëmbël, siç digjen yjësitë,
unë dritën hënës do ia marr.
Kur jemi bashkë shkëndija lëshojnë sytë
edhe parajsës i vëmë zjarr…

 

Ju …gërmat e mia

Sa herë ju nxjerr nga zemra
Me avuj lotësh ju vesh,
Ju kapeni përdore dhe më buzëqeshni
E sheh…
U lehtësove, me përshpërisni shpesh,
unë me sy ju ledhatoj, ju ndjej.

Sa herë ju nxjerr nga shpirti
aq shumë ma mbushni shpirtin
Me ju, të pavdekshme ngelen kujtimet ,
kam ndjesin se përsëri unë atë kohë jetoj,
tani me pak dhëmbin lëndimet.

Ju puth e ju mbi buzë më ngelni
Me frymën time jetë iu jap
Nën tinguj mbushni ajrin, ju shpirtra mbushni,
bëheni te padukshëm, por unë ju kap.

Sa herë kam qarë nga ju, sa herë jam lumturuar
Se ka mjeshtra në botë që mire ju vënë në vargje
Me ju përzier, të tyret ndjenja kanë brumëzuar
Ushqim për ata shpirtra që nuk gjejnë paqe.

 

Robinj e qytetit të shitur

U zgjova e robëruar,
në buzë më mbeti kënga.
Ishte shitur qyteti im,
dikush e kishte blerë me mua brënda.

Brenda meje kish’ blerë edhe botën time,
kish’ blerë pranverën me të gjitha lulet që më dhuronte,
kish’ blerë pllenimin e tyre deri tek petalet në rrëzim,
i kish blerë akoma gonxhe.

Kish’ blerë vjeshtën me ngjyrat pastello,
shkëputjen e gjetheve, rënien e tyre me përtim,
bleu rrahje zemre, puthje qerpikësh,

ëndërra akoma të pa mbaruara ne agim.
Bleu shtegtimin e zogjve që ikin,
bleu ikje pa kthim.

Dimrin kish blerë me borën që adhuroj
bashkë me qiellin gri,
me erën që shpërndan retë e ngarkuara,
kish blerë edhe të timin shi.

Dikush pa më pyetur bleu stinët që dua shumë,
ndërsa verën,
verën e bleu vetëm se brenda
isha unë.

Bleu një qytet se më donte.
Donte atë blu që qiellin dhe detin bashkon.
Sa herë më shihte në sy, ata ndryshonin ngjyrë,
Ai donte tek unë thellësit e detit Jon.

U zgjova e robëruar.
Dikush bleu edhe zgjimet.
Nuk e di e bleu qytetin për mua,
a ndoshta unë u bëra robinj e qytetit të tij me dëshirën time?!

Please follow and like us: