Roland Bejko: Diaspore rumune kundër qeverisë, po ne shqiptarët?
Diaspora rumune proteston masivisht kundër qeverisë.
Diaspora shqiptare proteston në shumicë në radio, tv dhe fcb kundër opozitës!
Faleminderit që nuk vijnë të protestojnë në Shqipëri se do protestonin gabim.
Në një shkrim sot te gazeta Panorama, shkruhet se protestën në Rumani po e merr në dorë diaspora.
Rumunët e diasporës që janë gati 4 milionë, (rreth 20% e popullsisë) kanë vendosur që ti kalojnë pushimet e verës në vendin e origjinës, Rumani, sepse të organizuar nëpërmjet rrjeteve sociale kishin vendosur që më 10 gusht të protestonin para pallatit qeveritar.
Por, përse protestojnë rumunët kësaj here?
As më shumë dhe as më pak, por për forcimin e shtetit ligjor sepse qeveria e majtë socialdemokrate e Liviu Dragnea kërkon që nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese të vendosë nën kontrollin e vet politik drejtësinë dhe shtetin ligjor.
Qeveria jo vetëm që nuk i ka marrë në konsideratë protestat e tyre në vendet e ndryshme të BE-së, por në mediat e kontrolluara prej saj ajo i ofendon dhe fyen ata duke i quajtur “lypsa, hajdutë, prostituta, lympendiasporë etj”.
Po në Shqipëri çfarë ndodh sot?
Edi Rama me bandën ( ndjesë për ata që nuk mendojnë si unë, por nuk do ta quaja “bandë” nëse nuk do isha i bindur se është e tillë) e tij të Rilindjes jo vetëm që i ka gjunjëzuar të gjitha pushtetet; gjyqësorin, ekzekutivin, legjislativin, mediat por edhe opinionin publik si brenda dhe jashtë vendit nëpërmjet shpëlarjes së trurit që e ka realizuar me propagandën e asaj që ai e quan me cinizëm “media e kazanit”.
Shqiptarët brenda vendit që po se po, por më keq akoma edhe ata të diasporës, jo vetëm që nuk janë masivisht kritikë (pa le më të revoltuar) ndaj Edi Babës dhe bandës së tij me 40 hajdutë që si piranja lumenjsh po bluajnë me dhëmbët e tyre pasuritë e shqiptarëve , demokracinë dhe shtetin ligjor, por paturpësisht e adhurojnë atë.
Po po, e adhurojnë në mënyrë perverse. Secili mund të japë shpjegimin e vet të arsyes se pse ndodh kjo…
Po të dëgjosh emisionet e mëngjesit shumica e telefonuesve, më pak nga brenda vendit (mesatarisht 1 në 2 telefonues), por më shumë akoma ata të diasporës shqiptare, (mesatarisht 1 në 4 telefonues) e adhurojnë deri në ofshamë Edi Ramë që vesh atlete dhe çitjane, Erion Velinë që ju shfaqet 24/24 h me lopatë në dorë, adhurojnë fasadat, ngjyrat, pllakat e gurit në qendra qytetesh që mbulojnë mjerimin dhe korrupsionin katastrofik …
Duket sikur në fakt është një adhurim estetik dhe i pafajshëm i tyre për të bukurën, për trendy, për ngjyrën.
Por në thelb nuk është një qëndrim kaq naiv, është i vetëdijshëm.
E kanë bindje që Edi Rama është i miri, dhe kushdo që vendiset përballë tij është i keqi.
I gjykojnë për aq sa shikojnë në ekrane dhe nuk e vrasin mendjen të kuptojnë se ç’ndodh përtej fasadës si vidhen fondet dhe pronat publike, si vidhen vet miliarda dërgesat e tyre për familjet e varfra që kanë lënë pas në vendorigjinë në formën e mbifaturimeve të ujit e energjisë, ilaçeve të shtrenjta e shërbimeve që ju ofrohen prindërve të tyre me para nën dorë etj, etj.
Zot i madh! Më mirë që diasporës nuk i është kërkuar të protestojë.
Mendojeni për një çast sikur diasporës shqiptare që është më shumë se 1/3 e gjithë popullsisë së regjistruar ti shkonte ndër mend të organizohej e të vinte me vetura e avionë në Shqipëri për të protestuar për mungesën e shtetit ligjor, ekonominë kriminale, varfërisë, korrupsionit etj.etj.
Çfarë do të ndodhte do thoni ju?
E besoni dot apo jo, por ata do protestonin dhunshëm ndaj opozitës shqiptare. Ata e shikojnë atë me sytë e Edi Ramës dhe e gjykojnë atë me mendjen e Fate Velajt si shkaktaren e të gjithë të këqijave dhe fatkeqësive të shqiptarëve kudo që janë.
Nuk jam cinik, madje kam konsideratat më të larta për diasporën antiqeveritare e cila për fat të mirë është edhe shumë cilësore, por ju lutem dëgjojini, dëgjojini si shprehen në mëngjes te Aldo në radio, te Bashkimi dhe te Rezar Xhaxhiu në tv, dhe do ta kuptoni se ç’është në gjendje të bëjë po ti jepet rasti ajo diaspora sasiore, e masës.
Shumica e tyre shan opozitën me libër shtëpie dhe e akuzon atë për dështimin total të qeverisjes dhe integrimit evropian, krejt në kontrast me rumunët.
Dhe e dini pse është ky kontrast i madh midis rumunëve dhe ne shqiptarëve?!
Secili mund të gjejë arsyet e veta, por unë mendoj se qasjet tona që në vitet 1989-1990 ndaj diktaturës komuniste që po shembej dhe demokracisë që po vinte ishin krejt të ndryshme.
Nëse rumunët u ndanë moralisht nga diktatura duke i futur plumbin në ballë diktatorit komunist Çaushesku, ne shqiptarët thërrisnim nëpër mitingjet e opozitës ‘rroftë Ramiz Alia’ dhe disa muaj më vonë e pranuam për Presidentin e parë në sistemin pluralist.
Dhe sot përunjësisht kemi pranuar të qeverisemi nga mbetjet dhe zgjatimet e atij regjimi dhe pinjollët e tyre duke ju dhënë madje edhe miliarda euro nga taksat tona dhe dërgesat në valutë të diasporës në formatin e PPP-ve për shëndetin tonë, rrugët, plehrat etj.
Prandaj rumunët e të tjerët janë ata që janë e do jenë ata që do jenë dhe ne jemi këta që jemi e do jemi ata që do jemi edhe në shekujt që do vijnë, pra siç i thonë një fjale fundi i kavallit!