Albspirit

Media/News/Publishing

Ibrahim Vasjari: Një dert i gjyshit

Bie bunacë. Gjithkund gjallesa hesht.

Nuk pipëtin asgjë.

Nën fshat, u qet dhe lumi.

Hedhur një mjegull si velenxë të leshtë,

Gërhin e flë.

 

Veç bulkthi sikur zgjon që thellë territ,

Zëra të fshehtë.

Ndihen dihatje, pëshpërima guvash.

Mos vallë gëlojnë shpirtrat e paqetë?!

 

Bobo, imgjysh, diçka do ketë harruar,

Kur iku atë natë dimri të rreptë!

Po vjen me gulç.

Të lodhshëm e ka kthimin.

Të enjtur zemrën nga një dert.

 

Duket e zhduket,

Ecën në të mugët.

Me hapin inatçor që ia di unë.

Dhe kur diku një mjegull i zë rrugën,

Përpiqet ta përzërë me bastun.

 

Për mua kish gjithnjë merak, i ngrati!

S’ia mbushja synë ashtu fidan i brishtë.

Unë lozja… ai ulur te sofati,

S’m’i ndante sytë

Dhe hiqte thellë në shpirt.

 

Vjen e më  thotë: ashtu i vogël mbete,

Ç’të duket vetja, sikur botën ndreq.

S’shikon më larg se përtej hundës sate.

Sa isha unë, të ngrihja kalapeç.

 

Ngjitu te rrapi ynë i moçëm,

Nga sheh më larg tejkohën e pamatë,

Dhe shih ku vdes një rrugë e lind një shteg.

Dallo ndër breza larg dredhitë e fatit.

Dëgjo ç’të thonë bilbilat nëpër degë.

 

S’pati më kohë.

U nis për rrugë sërish…

U bëra mik me rrapin, siç më tha.

Dhe, për çudi, ndër breza bredh magjisht

Një trumë bilbilash më ngrehin mbi krahë.

 

E di, o gjysh, e ke të mençur fjalën,

Paçka se je i sertë e hijerëndë.

Aty nën rrap u ndjeva rrënjëthellë.

M’u mbush shpirti me këngë.

 

Tani, më kot pse të mundohem?

Ç’të hipi lart, me vete thashë.

Këtu me hoje këngësh mjaltëzohem.

Rritem nga brenda.

Siç më do, të madh.

Please follow and like us: