Baxhanaku i Kryeministrit, Armand Frangu merr 41 tendera me vlerë 15.6 milionë euro
Armand Frangu, ortak në kompaninë ABS ka përfituar plot 41 tendera publikë nga 2013 kur erdhi në pushtet e majta e deri më tani. Sipas Partisë Demokratike, Frangu është baxhanaku i Kryeministrit të vendit, Edi Rama. Përpos tenderave me vlerë 15.6 milionë euro kjo kompani ka edhe 27 kontrata sekrete, të përkthyera të përfituara nga AKSHI me vlerë 850 mijë euro.
Faktet janë publikuar nga n/kryetarja e Komisionit të Ekonomisë, Jorida Tabaku. Më poshtë deklarata e plotë shoqëruar me dokumentet e tenderave të familjarit të Kryeministrit.
“Për të përfituar një tender publik është e domosdoshme që të jesh edhe brenda rrethit familjar të kryeministrit Rama, oligark brenda kryeministrit, ose kriminel me rekorde kriminale. Firma ABS që Partia Demokratike po denoncon sot, jo rastësisht është e lidhur me familjen e kryeministrit, ka mundur të përfitojë 15.6 milion euro tendera nga shtatori 2013 deri më sot. Kompania “Advanced Business Solutions” zotërohet në bashkëpronësi nga baxhanaku i kryeministrit Armand Frangu, i cili së bashku me kompaninë “B360” marrin pjesë gjithmonë në të njëjtat tendera, gjithmonë duke ndarë përfitimet me njëri-tjetrin. Si rregull për ta bërë garën në dukje të ligjshme, por nga ana tjetër është thjesht vetëm një farsë.
Në tenderin e fundit të ofruar nga OSHEE me një vlerë prej 1.94 mld lekësh (të vjetër) kompania ABS ka pasur ofertën më të lartë dhe përsëri ka fituar.Ndërkohë që kompania “B360 shpk” ka marrë pjesë në këtë tender si spektator. Jo vetëm kaq, por Partia Demokratike këtu publikon të 27 tenderat që kjo kompani ka fituar nga shtatori 2013 e deri më sot.Të gjitha këto tendera janë qoka që kryeministri ka rezervuar nga tepsia e parave publike, për njeriun e familjes së tij.Tenderi më i fundit i marrë nga kompania e tij nga AKSH-i, ka një vlerë prej 1.56 miliardë lekësh dhe përsëri ka fituar oferta më e lartë. Tenderat që i shpërndahen oligarkëve, ofiqarëve të PS-së, të inkriminuarve që mbajnë me oksigjen deputetët e mazhorancës dhe së fundi familjen e kryeministrit, janë një provë e rëndë për krimin që po kryhet me tenderat publik në Shqipëri.
Këto janë një tjetër dëshmi që provon akuzën e ngritur nga Partia Demokratike dhe faktuar edhe nga Gjykata e Auditit të Bashkimit Europian se 1 në 3 tendera jepet pa garë, 1 në 3 tendera jepet abuzivisht. Jo vetëm kaq, shembulli i kompanisë së baxhanakut të Ramës, dëshmon edhe raportimet e Departamentit Amerikan të Shtetit që thekson se “Raportet e korrupsionit në prokurimin e qeverisë janë të zakonshme.” Vetëm për vitin 2017 sipas të dhënave publike të disponueshme online nga Agjensia e Prokurimit Publik, 1281 ose 26% të tenderave të prokuruar, janë dhënë me ofertën më të lartë.Kjo I ka kushtuar buxhetit të shtetit 41 milionë euro, që mund të ishin përdorur për ndihmën ekonomike, që mund të ishin përdorur për mirëmbajtjen e të gjitha rrugëve në Shqipëri”, deklaroi Tabaku.