Yzedin Hima: Po kush është?!
Lexova në një gazetë elektronike nismën e disa qytetarëve të Beratit për të nxjerrë një kandidat për të konkuruar për postin e kryetarit te Bashkisë së Beratit për zgjedhjet e ardhshme, një kandidat që ka lidhje të forta me qytetin e Beratit si vendlindja e tij dhe e të parëve të tij ndër breza, i mëkuar me dashurinë dhe respektin për qytetin e Beratit dhe banorët e tij, i formuar me dashurinë dhe respektin për kulturën e këtij qyteti, për trashqiminë e pasur kulturore, duke filluar nga gurët e rëndë të kështjellës deri te fjala dhe veprimi i matur i qytetarëve të sotëm, një kandidat vizionar për menaxhimin e pushtetit vendor, me ide konkrete për zhvillimin e të gjitha resurseve të këtij qyteti, ato njerëzore, kulturore, materiale e shpirtërore, klimatike e gjeografike, një kandidat me lidhje shpirtërore dhe fizike me qytetin, jashtë lidhjeve ideologjike, të cilat kanë dominuar, ose kanë qënë lidhja e vetme e kandidatëve, apo fituesve të deritanishëm, një kandidat që të përfaqësojë në shtëpinë më të rëndësishme të qytetit banorët e tij me interesat, problemet, hallet, dëshirat, vizionet, shijet, zakonet,mentalitetin, sjelljen etj, një kandidat që të respektojë atë çfarë ka më të mirë ky qytet sot, qytetarët që respektojnë rregullat, ligjet dhe të gjitha normat e bashkëekzistencës qytetare, qytetarët pa dallim besimi fetar dhe pa dallim rreshtimi apo moszotimi politik, pa dallim krahinor, qytetarët e pasur dhe qytetarët e varfër, të papunët dhe sipërmarrësit e guximshëm, mësuesit, mjekët, artistët, punëtorët dhe pensionistët, një kandidat që nuk vuan nga epilepsia e luftës së klasave, sëmundje që ka prekur tërë shoqërinë shqiptare prej treçerek shekulli, një kandidat që në çdo rast të jetë në anën e qytetarëve, sa herë të këtë mospërputhje apo përplasje të interesave të qytetit me politikën, qeverinë qendrore, të fortët, shkelësit e ligjit, investuesit që shohin vetëm fitimin e tyre duke dhunuar qytetin dhe trashgiminë kulturore, një kandidat që idetë dhe vizionin e tij për zhvilimin e qytetit ta bëjë dëshirë dhe vullnet të shumicës dërmuese të qytetarëve, një kandidat, i cili që nga dita e sotme të shkojë shtëpi më shtëpi dhe të prezantojë idetë dhe vizionin e tij për të marrë miratimin e qytetarëve, një kandidat që të inicojë një lëvizje të fortë qytetare si nevojë urgjente për një qeverisje moderne, një kandidat që të jetë në krye të prezantimit të programit për një qeverisje vendore ndryshe, ku të mbledhë banorët lagje më lagje dhe të diskutojë me ta për ta bërë programin e tij program të tyre, një kandidat që të jetë i përgjegjshëm 24 orë në 24 orë për lartësinë e detyrës së tij, larg festave banale me darka e dreka që zgjasin sa orari zyrtar i punës në bashki, një kandidat që të jetë i përgatitur të vrapojë në pistën me pengesa, qofshin ato politike, klanore, mafioze, duke patur në shpatulla forcën e papërballueshme të qytetarëve, një kandidat që të mos presë si lypsar te dyert e partive të mëdha, duke iu lutur Zotit që t’u shtjerë ndër mend emrin e tij si kandidat për kreun e bashkisë, një kandidat që të shfaqet i njëjtë, që nga dita e parë që nis rrugën për në bashki,deri ditën e fundit që do të largohet nga shërbimi, një kandidat që refuzon shfaqjet groteske të sotme, ku fituesit shfaqen “lakuriq” para qytetarëve, sepse rrobat e premtimeve i kanë flakur një e nga një gjatë striptizmit të gjatë në pushtet. Po kush është?