Orjola Pampuri: Tashmë edhe ‘Cosa Nostra’ në Shqipërinë tonë të varfër…
Që varfëria, korrupsioni, droga, bandat të kurorëzonin qeverinë e krimit duhej të ndodhte ngjarja e tmerrshme ndaj gazetares Klodiana Lala.
Sot Shqipëria është nën pëlhurën e ‘Cosa Nostrës’ nga veriu në jug.
Një mijë e një të zeza ndodhin në 24 orë, por ajo që duhet të bëjmë sipas shtetit mafjoz është të heshtim.
Sa për drogën, ministrat e ish ministrat, deputetë e ish deputetë të përfshirë ia morën dorën, dalin në deklarata për shtyp, bëjnë disa deklarata shpesh herë duke sulmuar opozitën, pasi dihet mbrojtja më e mirë është sulmi, e ndonjëherë të ndjera, e mendojnë se ia hodhën.
Sa për varfërinë, këtë e kanë çështjen më qesharake, pasi e dinë mirë e ua morën dorën qytetarëve, të cilët nga varfëria e tejskajshme e shohin si mjet për frymëmarrje shitjen e votës, u japin ca para e u blejnë votën.
Sa për kullat del Lali Eri, përvesh mëngët, i vë zjarrin disa çerdheve, pret ca pemë e vendos disa hekura për stërvitje e zbavitje, i merr pronat pronarëve, pronat publike i shndërron në private, e kështu me një buzëqeshje ia kalon rradhën të “plotfuqishmit” atij i cili me bejte, karagjozllëqe, e gjëegjëza ia hodhi 5 vjet e mendon se do vijojë sërish kështu. Dhe kur gjenden shtatë pashë nën dhe të vërtetat, e u dalin të palarat në shesh, vendos mafien në veprim. Më në fund sinjali u dha, Shqipëria nga sot plotësoi copëzën e fundit të puzzle-it, atë të kërcënimit me armë e plumba kundrejt gazetarëve investigativë, e kështu, ndaj kujtdo që nxjerr të vërtetën lakuriq.
E dënoj ashpër sulmin e pashembullt ndaj gazetares Klodiana Lala, një profesioniste e shkëlqyer që punon me pasion e përkushtim. Puna e saj sot u shpërblye me plumba nga ‘Cosa Nostra Shqiptare’, por me respekt e mbështetje nga qytetarët dhe opozita.
#JAM ME KLODIANA LALËN.