Albspirit

Media/News/Publishing

Orjola Pampuri: Gratë vijojnë të perceptohen si prona të burrave posesivë….

 

 

Martesa e familja janë tempulli i bashkimit, edukimit, dashurisë, dinjitetit e integritetit për individin. Vendi ku formësohet e ardhmja e një shoqërie. Nëse kërkon të njihesh me moralin e shoqërisë pas dy apo tre dekadash, pyet për rolin, rëndësinë dhe kompaktibilitetin e familjes sot. Një marrëdhënie e konsoliduar prodhon një çift të konsoliduar. Respekti, mirëkuptimi, mbështetja e dashuria reciproke në çift, sjell fëmijë e breza që përfaqësojnë denjësisht moralin e një shoqërie. Martesa është hapi më i rëndësishëm që një individ ndërmerr, e ky hap duhet të ndërmerret nëse dy persona duhen, e jo se duhet të jenë bashkë, sepse ndjejnë dashuri për njeri-tjetrin, jo sepse i duhen njeri-tjetrit. Martesa funksionon nëse çiftin e lidh dashuria, intimiteti, komunikimi, bashkëveprimi, debati konstruktiv, nevoja për të qëndruar me njeri-tjetrin, vendimarrja e përbashkët. E nëse këto faktorë të lartpërmendur janë inegzistentë atëhere mundësia më e mirë për të shmangur çdo përplasje mes çiftit, është divorci.

Martesa nuk është letër, të cilën pasi e firmos, e hedh tej të pluhroset apo shkel mbi të, apo nën petkun e saj mund të bësh gjithçka, martesa është mision, nëse nuk e çon deri në fund ka divorc.

Por sa të vështirë e ka shoqëria këtë iniciativë?

Shumë…..

Herë për hir të reputacionit, herë për hir të stigmës e shpesh për hir të mentalitetit, falë të cilit edhe nëse gjithçka ka mbaruar, çifti qëndron bashkë sepse ky ishte fati. Por edhe për hir të nivelit të dobët ekonomik, prej të cilit shumë gra pranojnë të qëndrojnë në një strehë të martuara me bashkëshortin dhunues sepse nuk kanë punë, strehë e të ardhura.

Por dhe për hir të mungesës së mbështetjes së familjes së vajzës, e cila friket nga paragjykimi i komunitetit, fqinjëve apo të afërmve, apo jetojnë në varfëri, por dhe për hir të mentalitetit që nëse vajza shkon në shtëpinë e burrit, mirë keq duhet të qëndrojë atje.

Ndaj, kemi në dorë shumë mundësi për të ndryshuar këtë realitet të trishtë, kemi mundësi të rikthejmë vëmendjen tek mundësitë për të parandaluar akte tragjike të burrit ndaj gruas.

Prindërit e vajzës janë të parët që kuptojnë krisjet, mosmarrëveshjet apo dhunën që ushtrohet ndaj saj.

Mësuesit/ edukatorët/psikologët në kopshte e shkolla pikasin fëmijët e traumatizuar nga dhuna në familje, e kanë mundësi t’i referojnë.

Komuniteti, fqinjët mund të referojnë dhunën që dëgjojnë tek fqinjët e tyre.

Sistemet “e famshme” të referimit të cilat nuk funksionuan një herë të vetme siç duhet. Nuk ka instrumenta, ligji nuk është aq i fortë përballë dhunuesve, duhet të merren masa që urdhrat e mbrojtjes tanimë të zhvendosin bashkëshortin dhunues nga banesa edhe pse kjo e fundit është në pronësi të tij, duke e vendosur në qendra rehabilitimi ku të marrë asistencën e duhur psikosociale, e të jetë bashkëshortja ajo që do të vendosë për një rikthim të kushtëzuar në mbikqyrjen e asistentëve socialë për një afat kohe të caktuar, nëse nuk vendos për divorc, që në raste të tilla mund të përbëjë dhe zgjidhjen më të mirë të problemit, por përsëri mbikqyrja është e domosdoshme. Hallkat e sistemit të referimit sot janë fasadë, forcimi i ligjit për dhunën në familje mbetet ende një mision i pamundur. Familja vijon të degradojë e vlerat e saj po veniten. Sot një grua dhunohet, ofendohet, si të ishte plaçkë, e përsëri edhe në këto kushte martesa vijon, por duhet të pranojmë që nëse mbi një grua vihet dorë gjithçka ka mbaruar dhe në këtë marrëdhënie fillon të prevalojë krenaria e instikti mashkullor për të dominuar. Ky është fundi. E nëse gjendet mundësia e hapësira për t’u larguar, është fati i bardhë për të parandaluar fundin tragjik. Kush të dhunon nuk kursehet edhe të të vrasë. Edukimi i brezave, modeli i familjes solide, modeli personal i secilit prej nesh do të ishte një mundësi për ta perceptuar ndryshe e për ta përmirësuar këtë realitet të trishtë.

Please follow and like us: