28-VJETORI I THEMELIMIT TË DEGËS SË PD-MIRDITË!
Mark Ruci
28 vjet më parë, mes një trysnie e terrori të egër të një regjimi që po jepte shpirt dhe një shprese për liri dhe demokraci, z Ndue Gjika, Muharrem Bicprendi, Gjon Ndoka, Gjin Lazri, Zef Bardhi, Fran Çanga, Kol Zefi, ishin nismëtarët e parë për krijimin e degës së Partisë Demokratike Mirditë, që u pasua me qindra e mijëra të tjerë anëtarë dhe mbështetës të proceseve demokratike duke u kurorëzuar me fitoren spektakolare të 22 Marsit 1992, që shënonte fundin e regjimit komunist!
Nder dhe respekt pa fund për komisionin nismëtar themelues, për ish deputetët, ish -drejtuesit e PD ndër vite të degës, nën-degëve, kryetarë e sekretarë seksionesh, anëtarët e PD, anëtarët e forumit rinor dhe gruas demokrate, ish-drejtuesit e pushtetit vendor, drejtorive lokale dhe rajonale për kontributin e tyre.
Aktualisht Partia Demokratike Mirditë, pas një procesi riorganizativ të strukturave të saj, është para sfidave të ardhshme elektorale të vështira por jo të pamundura.
Janë të vështira për shkak se përballë është një pushtet arrogant dhe i kriminalizuar qendror dhe lokal, që ka rrëzuar çdo standart për zgjedhje të ndershme dhe ushtron një trysni të vazhdueshme ndaj administratës publike dhe qytetarëve por dhe ka kthyer “legjitimitetin” e blerjes së votave!
Kjo është sfida reale e opozitës në Mirditë dhe gjithë Shqipërinë!
Nuk është e pamundur fitorja në zgjedhjet e ardhshme lokale, pasi mirditorët besojnë realisht tek Partia Demokratike, inspiruese e ndryshimeve të rëndësishme në rang kombëtar e lokal, por dhe në procesin e integrimit euroatlantik.
Tashmë edhe më skeptikët, por dhe vetë socialistët kuptojnë se qeverisja lokale në Mirditë, gjatë ushtrimit të mandatit, ka qenë një qeverisje pa vizion, pa prioritete dhe mbi të gjitha një qeverisje nepotike dhe e korruptuar që nuk ka ndikuar në nxitjen e zhvillimit ekonomik lokal duke sjellë një varfëri të tejskajshme!
Ky realitet do bashkojë mirditorët, për të ndryshuar qeverisjen lokale dhe për t’iu kthyer mirditorëve qeverisjen që meritojnë dhe është detyrë e PD Mirditë të bashkojë energjitë pozitive të demokratëve dhe gjithë mirditorëve!
Duke marrë shkas nga situata e pazakontë e bllokimit të rrugëve kombëtare e rurale si pasojë e reshjeve të doborës, festimet për 28 vjetorin e PD Mirditë do të jenë javës së ardhshme, për të cilën do njoftojmë gjithë anëtarësinë e PD Mirditë!
Gëzuar festën dhe FITORE në sfidat e ardhshme elektorale!