Albspirit

Media/News/Publishing

Nora Malaj: Besa ministre apo Besa portokalli mekanik?!

Asnjëherë dhe në asnjë rast nuk ka ndodhur që një ministre e Arsimit, Sportit e Rinisë apo dhe cfarë do ministër kur thirret në komision parlamentar, të mund të braktiste Komisioni, se i ka përfunduar koha?! Pasi ikën me arrogancë dhe e panikosur, se ka marrë mesazhe në celular që të ngrihet, ndërkohë që edhe koha e programuar nuk kishte përfunduar, ajo si një mekanizëm manekini mekanik, merr komandën, ndonëse për kohën që ka qëndruar nuk ka thënë asgjë, ikën, nuk kthen kokë dhe fyen një komision të tërë…Kjo është më e pakta…pasi në fakt ajo ka fyer e shpërfillur 140 studentët shqiptarë, familjet e tyre e tërë klasën e pedagogëve që janë futur ne ditën e 54 në grevën studentore dhe prisnin zgjidhjet që do t’i japi ministresha, e cila ka axhendë shumë të ngarkuar. Po ngjarja nuk mbaron këtu…Zonja Shahini e tregon fyerjen e saj deri në fund me dokumentin, tashmë me shkrim, që i nis Parlamentit Shqiptar, duke i dërguar një shkresë ku nuk e njeh Parlamentin Shqiptar, pasi ajo është shumë e zënë e nuk ka kohë për parlamentin. Ajo harron e nuk do të dijë që jemi Republike Parlamentare. Ajo drejtohet qorrazi vetëm nga një njeri, i vetmi që ajo mund t’i shërbejë… Nuk kam më fjalë të cfarë të them… Tashmë Besa, qytetarja prej një viti shqiptare, harron që ka detyrimin kushtetues t’i përgjigjet cdo pyetjeje, apo shqetësimi që adresojnë përfaqësuesit e popullit shqiptar, që janë deputetët dhe çdo grup interesi… Nuk kish ndodhur ndonjëherë…Ja që ndodhi nga shoqja Besa… O Besa, nuk drejtohet vendi i shqiptarëve, me diletantizëm, as me arrogancë dhe paaftësi! Dhe së fundi për ta mbyllur, Besa, për të thënë të vërtetën, ka nevojë për dy: një për ta thënë, dhe një tjetër për ta dëgjuar. Kurrë mos lejo që dikush të jetë prioriteti yt, se ti për atë je një nga zgjidhjet alternative. Mos e harro këtë! Mos u bëj portokall mekanik, që pasi të përdorin, të shtrydhin, në fund do të flakin… Reflekto sa nuk është vonë dhe mos fyej me veprimet e tua askënd…aq më tepër Parlamentin Shqiptar!

Please follow and like us: