Albspirit

Media/News/Publishing

Irma KURTI: Kur t’ju them: “Lamtumirë”! 

 

 

Atë ditë që do t’ju them “lamtumirë”

e largohem përgjithnjë nga kjo botë,

do të thërras fort derisa të ngjirem,

sepse thjesht nuk më pëlqen të shkoj.

 

Ulërimat ndoshta do t’ju shqetësojnë,

dikush do t’i bëjë hapat me nxitim,

një anonim, i nxehur do të telefonojë

policinë për prishje të rendit publik.

 

O njerëz, s’më kuptuat edhe në jetë,

mundohuni për një çast ta bëni tani.

E dua dritën, s’më pëlqen ta braktis,

errësira përherë më ka ngjallur frikë.

 

Do të më marrë malli për zhgënjimet,

gëzimet e pakta, kërkimin e lumturisë.

Do të më mungojnë dhe litarët e shiut,

kur pa takt trokasin në ballkonin tim.

 

 

Kur zëri im do nisë të qetësohet disi,

kur të dëgjoni se më nuk po bërtas,

mos më keqkuptoni, kjo s’do të thotë

se me vdekjen kam bërë ndonjë pakt.

 

 

Kam dalluar, si në një mjegull të dendur,

Nënën time që më përshëndet me dorë,

pak e zbehtë, e lodhur nga pritja e gjatë,

që më fton të ulem aty, në një stol bosh.

 

 

 

 

Do të hyj në harkun e përqafimit të saj,

në gjoks do t’i mbështetem siç bëja në jetë.

Thirrjet e mia do zbuten, do shndërrohen

në grahma dhe pastaj… do t’ju lë të qetë.

  

 

 

Marrë nga libri: “Nën bluzën time” 2013.

Please follow and like us: