Albspirit

Media/News/Publishing

Bedri Blloshmi: Përgjigje karrieristit Edmond Caja

 

 

Sapo gjyqtari i diktaturës Spartak Braho shpërtheu në komisionin e ligjeve se duhej shkaruar Drejtori i Institutit për Zbardhjen e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Z. Agron Tufa (i votuar nga Parlamenti) se po shtrembëron historinë e po përkrah ballistat. Pas kësaj gazeta “Dita” boton një shkrim të Edmon Cajës me banim në Gjermani me titull: “Unë ‘krimineli’ përgjigjem”. Fjala kriminel ishte në thonjza. Komandanti i togës të policisë në të dy numrat e gazetës shpjegon se nuk ka asnjë lloj përgjegjësie për revoltën e 22 majit 1984 në burgun e Qafë Barit.

Unë po e përsëris se po të mos ishte ky person në krye të policisë së burgut aty nuk do kishte ndodhur asgjë. Ashtu nën presion, herë me bukë e herë pa ngrënë, ne ishim nënshtruar fatit të keq nën terrorin komunist që prej pushtimit të 1945. Unë në fakt prisja që ky oficer karrierist i Sigurimit do të thoshte të vërtetën dhe të paraqiste një farë pendese për atë që ndodhi për shkak të tij. Ti si komandanti i togës së policisë i ke përvetësuar me zell mësimet e partisë terroriste e i kishte përmbushur parametrat e “njeriut të ri”.

Unë kam qënë në një turn me ata që t’i i torturove në “dhomën e takimit” i hodhe në një makinë të zbuluar edhe i ngjeshe në Degën e Punëve të Brendshme të Pukës. Më pas u dole dhe dëshmitar. Pas disa ditësh na mblodhe në mencë, i gëzuar se kishe fituar betejën dhe gjithë krenari shpërtheve: “Dëgjoni vendimin e gjykatës: Sokol Sokoli e Tom Ndoja dënohen me vdekje me pushkatim, të tjerët me dënime të ndryshme, duke përfunduar me fjalët ‘ka ndonjë trim tjetër përballë meje’. Tani po të përgjigjem për çfarë më ke akuzuar për shkrimin tënd.

E para, problemi që unë kam me mbesën time është një çështje familjare dhe jo për hundët e tua, megjithëse ti ke edukate komuniste dhe të sulmon tek familja.

Problemi tjetër që ngrite me të ndjerin, vëllain tim Vilson Blloshmi, unë të them publikisht se ti e ke shumë të lehtë ta vërtetosh këtë. Sot sundon partia jote. Janë bijtë e atyre që ti i njeh shumë mirë, e së bashku me ta keni zbatuar me përpikëmëri mësimet kriminale të saj. Kryesundimtari ka ngritur një institucion të cilin e quaj Autoriteti i Mbylljes së Dosjeve. Aty bëjnë pjesë oficerë të Sigurimit, madje si familje, bëjnë pjesë bijtë e komunistave, ka dhe spiunë dhe në krye të tyre dhe është kryetarja Genta Sula që i ka mbrojtur dhe vazhdon t’i mbrojë tërë sigurimsat.

Pra, ti nuk ke asnjë pengesë ta marrësh dosjen penale tonën, shpfletoje, gërmo dhe po gjej aty jo një faqe, jo një rrjesht por një fjalë që unë të kem shprehur për Vilsonin apo për Genc Lekën, atëhere bëje publike. Po gjete, atëherë ti do kesh të drejtë për atë që the. Unë të them dhe më tepër se kjo. Se gjatë gjithë kohës së hetuesisë unë nuk jam pyetur për këta dy persona që shokët tuaj i çuan në dhé para kohe.

Ndërsa në pjesën e dytë të shkrimit thua se në vitet ’90 ke bërë zbulimin e një konvente që Shqipëria ka firmosur në vitin 1954 ku ndalonte detyrimin me punë të burgosurve dhe ti si oficer i Sigurimit nuk e paske ditur, se çfarë konventash e cilat ligje ka firmosur qeveria jote. Vërtetë mendon se i ha njeri këto? Po si ke punuar pa ditur këto ligje? Si t’i ka mbajtur të fshehta partia jote këto? Po në mbledhje nuk t’i tregonin?

Komandant, pse nuk e thua se kur torturove Sandër Sokolin, të cilit i more shpirtin, kush ishte tjetër? Atëherë po të kujtoj unë. Bashkë me të ndjerin Sandër ishte dhe doktori Drago Vujosheivç, kryetari i zyrës teknike Dalip Zhabolli dhe Hajredin Fratari. Aty qarkullonin fjalët se Dalipin e torturuat se ju i kishit kërkuar të deklaronte në një raport se revolta ishte e organizuar, gjë që të cilën nuk e pranoi.

Mond, ty të kujtohen kur i dënuari Tomorr Allajbeu nga Berati që ishte i sëmurë me raport e nuk punonte dot, ju urdhëruat mbylljen në birucat e lagështa për disa muaj rrjesht. Në atë dimër ra një dëborë e madhe dhe kur roja i brendshme shkoi t’i hiqte batanijen në 5 të mëngjesit ai e pa se Tomorri kishte ngrirë. Atëherë me të shpejtë e morët dhe e futët në infermieri. Më pas e dërguat në burgun e Burrelit.

Ti komandant përmendje se dy të dënuarit që i zuri galeria ishin Ilmi Çoçka dhe Dilaver Hysi. Po është e vërtetë, po t’i nuk sqaron pse u vranë. Mbaj mend se data ka qënë 2 ose 3 korrik i vitit 1984, pra diku tek një muaj e gjysëm pas revolte ku terrori në kamp, nga ju, civilë dhe ushtarë, ishte jashtë çdo parafytyrimi njerëzor. Dru në kamp, dru në galeri: NORMA DUHEJ BËRË ME PATJETËR. Këta dy punonin në galeri 70/1 veriore dhe në frontin e punës nuk kishte mineral për të bërë normën. Këta e dinin se po të dilnin jashtë pa bërë normën do të hiqnin të zitë e ullirit nga ti. Prej frikës dhe tmerrit detyrohen të hyjnë në hapësirë për të mbushur vagonat. Aty i zuri mali dhe vdiqën. Këtë e mbaj mend mirë së në 5 korrik ju na futët mua bashkë më 11 të tjerë të dënuar në zyrën e Dalipit dhe mbasi na dhatë një dru të mirë aty na transferuat në burgun e Spaçit.

Një nga të vrarët e nxorëm të copëtuar, ndërsa tjetrin nuk e di kur është nxjerrë së unë u transferova. Aty në shkrim ke thenë se i ke kërkuar Sherif Merdanit të këndonte këngës e “NËNËS”, ndërsa unë të kujtoj ty se ne aty kemi dëgjuar një tjetër këngë. Dy nga ato rreshta i mbaj mënd. “Enver Hoxha tunjatjeta, sa këto male, sa këto shkrepa”. Sherifit i kërkoj ndjesë për përmendjen e emrin. Shkrimi përfundonte me një gjë shumë qesharake. Ti ke thënë se në Tiranë mishi ishte me tollona, kurse te ne mishi ishte pa hesap falë përkujdesjes tëndë. Këtë punën e mishit na e sqaro të lutem se unë nuk e paskam ditur, për brezin para 90’ apo pas? Edhe një pyetje të fundit: T’i ke qënë me ne në burg apo komandant i togës së policisë?

Gjithsesi tragjedia e Qafës së Barit është në shpinën tënde!!!

Akt mjeko-ligjor nr. 12

Egzaminohet e gjithë kufoma me përjashtim të kolonës vertebrale e cila nuk është hapur… Pse?

 

Sadik Bejko: Cajat vazhdojnë të mburren me ndëshkimet e paligjshme që kanë kryer ndaj të burgosurve politikë

Please follow and like us: